Barcelona ka fituar El Clasicon në Madrid përballë Realit përmes shumë polemikash me rezultatin 3-4. 90’ kanë pasur brenda gjithçka, grindë, emocione, penallti, karton të kuq, por edhe plot 7 gola. Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë mjaft e fortë nga të dy ekipet me sulme dhe kundërsulme të shpejta, por nuk munguan edhe momentet e tensionit. Ndryshe nga sa pritej Barcelona ka kaluar shumë shpejt në avantazh me Iniestën në minutën e 7 duke shtangur madrilenët.

Por kundërpërgjigja nuk vonon dhe Reali barazon me Benzemanë pas një krsoimi të bukur nga Di Maria në minutën e 20. Goli i barazimit çorienton miqtë duke u nxjerrë edhe problemet në pah, Reali përfiton nga momenti negativ dhe sërish me një aksion identik me të njëjtët protagonistë dyfishon rezultatin, heroi është francezi Benzema. Epërsia rrit moralin te Los Blankos që sulmojnë pa pushim duke krijuar shumë raste për të trefishuar, por nuk tregohen të saktë para portës, duke i dhënë mundësinë Mesit që të barazonte në krahun tjetër pas një rrëmuje në zonë. Barazimi rriti nervozizmin duke sjellë edhe një karton të verdhë Pepe dhe Fabregas pas një përplasje. Në pjesën e parë Reali pretendoi dy penallti, por arbitri duket se nga atmosfera entuziaste nuk ka qenë shumë i vëmendshëm.

Fillimisht Ronaldo pretendoi një ndërhyrje të gabuar në fillim të ndeshjes në zonë, ndërsa pak minuta më pas përsëri portugezi pretendoi një prekje të topit me dorë nga Pike pas një goditje të lirë. Pjesën e dytë Reali e nisi mirë duke kaluar në avantazh me Ronaldon me penallti. Pas golit të portugezit Reali merr kontrollin e ndeshjes, por gjithçka përmbyllet kur arbitri akordon një penallti të dyshimtë për Neymar për një ndërhyrje të Ramos, duke e larguar këtë të fundit me karton të kuq. Mesi nga pika e bardhë shënon duke barazuar 3-3. Në vazhdim vendasit u tërhoqën në mbrojtje dhe pësuar edhe një golin e katërt, i cili erdhi pas një tjetër penallti të akorduar për miqtë. Pas kësaj fitoreje Barcelona qëndron vetëm një pikë larg Realit në kampionat duke rihapur garën.


d.b/shqiptarja.com