Elbasan, arrati në natyrë
për qejf e ballokume

Elbasan, arrati në natyrë<br />për qejf e ballokume
Elbasani është një qytet që të jep shumë arsye për të mos e lënë jashtë guidës turistike për  një udhëtim jashtë mureve të shtëpisë dhe brenda kufijve të Shqipërisë. E ka më të fortë këtë arsye sidomos në një ditë të vitit, kur bëhet kryeqendra e vendit. 14 marsi, apo dita e verës është e lidhur ngushtë me këtë qytet pavarësisht dimensionit kombëtar që ka marrë vitet e fundit. Afishet për ofertat festive, prenotimet dhe  bollokumet vihen re  në të gjitha lokalet, baret dhe pasticeritë e qytetit që në ditët e para të marsit. Ndërsa elbasanasit përgatisin hiset për mysafirët e ditës së verës. Arra, pala fiku, ftonj e bollokume, ndahen veç për të ftuarit të cilët janë pjesë e festës.
 
RRETH TRYEZËS ME MISH HELLI
 Të kalosh mbrëmjen e 13 marsit në Elbasan do të thotë për të rinjtë  që të kalosh një natë plot argëtim në bare dhe  për familjarët mysafirë ushqim dhe biseda të këndshme  në tryezat e elbasanllinjve. Amvisat pjekin qengjin e shoqëruar me shumë sallata e meze. Shpesh në vend të qengjit piqet edhe një gjel deti. Gjithashtu gatuhet tava me pistil, tava e kosit, kabunia apo çomleku.  Po aq të rëndësishme sa gatimet janë edhe lulet. Manushaqja dhe karakaftet janë lulet e para të stinës ndaj, zënë vendin kryesor mes gjithë të tjerat. Mbrëmja jashtë mbushet nga festimet e organizuara për ditën e verës, ndërsa ata që preferojnë pabet, kanë mundësinë për të dëgjuar edhe këngëtarë live. Duke gdhirë data 14 mars, njerëzit dalin sërish në sheshe, ku bëhen pjesë e karnavaleve, panaireve të ndryshme, veccanërisht atij të luleve, bandave muzikore shëtitëse si dhe shumë aktiviteteve argëtuese për të gjitha moshat. Pikniku është rituali i ditës së verës. Rreth orës 10  të mëngjesit vendas dhe mysafirë u drejtohen pikave turistike të qytetit për të qëndruar në natyrë, duke ngrënë e duke u zbavitur falë edhe kohës mjaft të mirë që zakonisht mban plot diell në këtë ditë festë.
 
PIKNIK NE NATYRE
Në Byshek, dikur elbasanasve u pëlqente të pinin raki dhe të mbanin këmbët në ujin e ftohtë të burimit. Ndonëse rruga nuk është aq e mirë si dikur Bysheku e ruan magjinë e tij me burimet dhe rrepet shekullorë. Ai ndodhet në Shushicë,vetëm 9 km larg Elbasanit. Pika të tjera ku mund të bëhet piknik gjatë ditës së verës janë Gjinari, Gurra e Labinotit, Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit apo Çezma e Lepurit dhe patjetër Ulliri i Qejfit. Ky i fundit është pagëzuar me këtë emër pasi vendasit mblidheshin dhe shkonin deri lart në majë në fund të kurorës ku edhe ndodhet një pemë ulliri e veçuar nga të tjerat e rrethuar nga një lëndinë e vogël. Kurora e ullirit nënkupton për banorët mirësi, paqe e mbarësi. Shumë pranë këtij ulliri të veçuar nga kurora e madhe e ullishtes, Pal Shuteriqi ndërtoi dhe një çezmë në vitin 1900.  Prej vitesh njerëzit shkojnë në këtë vend për të bërë piknik e për shijuar së bashku peisazhin sidomos në ditën e verës. Këshillohet të shkoni edhe tek Rrapi i Vojvodës. Shumë takime të rinjsh vazhdojnë të bëhen tek kjo pemë e mocme e cila tashmë është shpallur monument kulture. Rrapin e Vojvodës e gjeni në të dalë të qytetit, në pjesën lindore të tij. Ndërsa brenda në qytet nuk duhet të humbni pjesën e kalasë me lokalet e saj, njëri prej të cilëve ka ndërthurur përsosmërisht antiken me modernen mes një gjelbërimi dekorativ mbresëlënës. Në Real Skampis vëllezërit këngëtarë Endri dhe Stefi do të këndojnë ditën e Verës prej orës 13.00. Ambjentit dhe muzikës nuk do t’i mungojë, një menu e pasur enkas për këtë ditë feste e cila kushton 5 mijë lekë të reja për person.

NE FUND MOS HARRONI BALLOKUMET
Kur dielli fillon të perëndojë më 14 mars, festa mbaron. Mos harroni tw merrni disa bollokume për t’i shijuar pas ditës së verës, por edhe për t’ua ndarë miqve që nuk kanë qenë në festë. Nëse është një bollokume shtëpie, shijen e saj do ta mbani mend shumë më gjatë se zakonisht, por do t’u duhet të prisni edhe 365 ditë për të ngrënë sërish një bollokume made in home.
(rr/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Imazhet e para nga dronët Bayraktar, Peleshi: Rrisim ndjeshëm aftësitë tona të mbikqyrjes dhe sigurisë

Imazhet e para nga dronët Bayraktar, Peleshi: Rrisim ndjeshëm aftësitë tona të mbikqyrjes dhe sigurisë