Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla ishte sotë në Elbasan ku pa nga afër rikonstruktimin e shkollës profesionale "Ali Myftiu" në Elbasan. Ai shoqërohej nga kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini dhe Prefekti Gledian Llatja, të shoqëruar nga drejtoresha e shkollës Refiko Lushnjari.
Balla tha se arsimi pofesional është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit.
"Një numër i madh i atyre që kanë studiuar degën e mekanikës në këtë shkollë, tashmë punojnë në fabrika të prodhimit të automjeteve në Gjermani. Po ashtu një pjesë e tyre janë integruar në tregun e punës, jo vetën në Elbasan, por kudo në Shqipëri.
Unë jam shumë krenar për punën që kemi bërë, me mbështetjen e qeverisë, për këtë shkollë profesionale. Do të vazhdojë projekti i rikonstruksionit edhe me shkollën tjetër "Salih Ceka", ku pas pak ditësh fillon puna.
Qasja jonë ndaj shkollave profesionale ka qenë rritja e numrit të djemve dhe vajzave të cilët zgjedhin një profesion.
Sa më shumë profesionistë, në sektorë jetikë të ekonomisë, aq më shumë rritet punësimi dhe unë jam krenar ta them që, sipas statistikave të INSTAT, Elbasani ka numrin më të madh të të punësuarve, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat" theksoi Balla.
Nga ana e tij prefekti vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë të shkollës profesionale me bizneset:
"Shkolla "Ali Myftiu" është një nga shkollat më të mira që kemi, jo vetëm në Elbasan, por edhe në Shqipëri. Është me kushte bashkëkohore, është bërë një investim shumë serioz. Të gjithë nxënësit këtu përfitojnë jo vetëm njohuritë teorike, por edhe praktike.
Shkolla ka një bashkëpunim shumë të mirë me bizneset dhe po ashtu jemi duke mbyllur një marrëveshje me DPSHTRR, pasi ato kanë një program retro që ndihmon makinat e vjetra të epokës të kthehen në makina funksionale dhe model për tregun" tha Llatja.
Vetëm në vitin shkollor 2018-2019 shkolla profesionale "Ali Myftiu" në Elbasan numëron 940 nxënës në drejtimet: elektroteknikë, mekanikë, ndërtim, shërbime mjete transporti.
Në vitin e tretë të secilit drejtim nxënësit profilizohen në: instalime elektrike civile dhe industriale, riparim pajisjesh elektroshtëpiake, konstruksione metalike, makina metalpunuese, shërbime elektroaut, shërbime motorrike, muratim, suvatim.