9.392.600 fije cigare janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit të ushtruar nga grupet e përbashkëta operative Doganë-Crown Agents, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Sektorin Kundër Krimit Ekonomik në ambientet e subjektit A. T., në Librazhd.

Dyshohet se duhani hynte në Shqipëri si lëndë e parë duke përdorur regjimin e përpunimit aktiv dhe rieksportohej pas procesit të përpunimit. Hetuesit besojnë se cigaret ambalazhoheshin dhe eksportoheshin në shkelje të markës tregtare, duke qenë se gjatë kontrollit të ambienteve të kompanisë u sekuestruan kuti ambalazhimi dhe paketa të cilat përmbanin të dhënat e një marke të regjistruar cigaresh.

Rasti në fjalë i është referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për procedim të mëtejshëm, për konsumimin e veprave penale “Shkelje e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale”, “Pastrim i Produkteve të Veprës Penale”, dhe “Prodhim i Kundërligjshëm i Artikujve dhe Mallrave Industrialë dhe Ushqimorë”.

Ndërkohë, vazhdojnë hetimet e mëtejshme për identifikimin e shkeljeve të mundshme administrative.

Dyshohet se kjo kompani ka eksportuar sasi të konsiderueshme cigaresh më parë, ndërkohë që një pjesë e tyre mund të kenë përfunduar edhe në tregjet e jashtëligjshme të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ambientet e kompanisë dhe aktivitetit prodhues i kësaj marke specifike cigaresh tashmë është pezulluar. Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Programit të Croën Agents, z. David Smith, shprehet se ‘këto zbulime janë tregues i vullnetit dhe aftësisë së Doganave dhe Shqipërisë për të luftuar krimin e rëndë ekonomik në kuadër edhe të kritereve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian’.
dogana
dogana
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)