Elbasan/ Zhvillohet Konferenca e Tregtisë dhe Bujqësisë 2014 – 2020

/ ATSH-Miranda Sadiku- Integrimi i Tregtisë dhe Bujqësisë për vitet 2014-2020 ka qenë tema e një konference mbajtur në qytetin e Elbasanit, në të cilin u diskutuan planet afatgjata dhe afatshkurta për zhvillimin e këtyre sektorëve të cilësuar si sektorët primarë për ekonominë shqiptare.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë ministrat e Ekonomisë dhe Bujqësisë, Sekretari Ekzekutiv i Komisionit Ekonomik për Europën në OKB, Kristian Bah, ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Filloreta Kodra, përfaqësues të bizneseve të ndryshme në qytet si edhe pushtetarë lokalë.

Në fjalën e saj përshëndetëse në këtë konferencë, Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Filloreta Kodra tha se " do të jem gjithmonë e angazhuar për forcimin e kontakteve mes Ministrisë së Ekonomisë dhe OKB-së, do të jem një lobuese e fortë për Shqipërinë". "Simbolika e rilindjes së ekonomisë shqiptare shprehet me një sipërmarrje të zgjuar dhe inovatore. Sot në këto kushte të vështira tregtia është më e rëndësishme se kurrë për Shqipërinë, por nga pozicioni i favorshëm, vendi ynë duhet të përfitojë nga lëvizjet tregtare rajonale ndërkombëtare. Tregtia dhe bujqësia janë dy sektorë të rëndësishëm të zhvillimit të vendit tonë dhe duhen mbështetur fuqishëm", tha Kodra.
Ndër të tjera, ajo vlerësoi punën e doganave shqiptare duke përshëndetur reformat e qeverisë në këtë sektor.

Në vijim të konferencës, fjalën e ka marrë edhe ministri i Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj i cili tha se, " qeveria shqiptare është duke përfunduar draft-strategjinë për zhvillimin e tregtisë dhe bujqësisë për vitet 2014 - 2020?. "Kur flasim për model të ri ekonomik, fokusi është tek rritja e prodhimit vendas dhe rritja e eksporteve, duke i kaluar efektet e kësaj rritjeje tek qytetari shqiptar, sidomos tek punësimi", tha Ahmetaj. Duke u ndalur tek arritjet e vitit 2014, ai tha se " për  dy vitet në vijim, Shqipëria do të kapë vetëm investime të huaja mbi 1 miliardë dollarë ç'ka është rekord për 20 vitet e fundit".

Duke u ndalur tek reformat, ai shtoi se "në reformat tona nuk jemi duke u përpjekur për strategji afatshkurtra por strategji që kalojnë edhe vitin 2020?. "Me kënaqësi dua t'ju them se deri në fund të vitit 2014 likujduam 340 milionë dollarë borxhe. Brenda tre viteve do të paguajmë të gjithë borxhin ndaj sipërparrjes për shërbimet publike. Borxhi që gjetëm ishte i paimagjinueshëm dhe i pallogjikshëm. Kemi ndërruar qasjen ndaj industrive për promovimin e tyre, si dhe kemi përdorur dhe do të përdorim paketa lehtësuese ndaj industrive, ndër to paketa e manifakturës ku sot ka rritje eksportesh në masën 26 për qind si edhe rritje punësimi".

Pikat më kryesore ku është ndalur Ministri Ahmetaj kanë qenë nxitja e biznesit, mbrojtja e konsumatorit si edhe mbikqyrja e tregut. Sipas Ahmetaj, " fokusi ynë është tek rritja e tregtimit vendas si dhe tek eksporti, pasi rritet punësimi. Ndërkohë që ka një rritje të fluksit të investimeve të huaja në vend. Sipas tij," ka shumë sfida për të kaluabrsiç është modernizimi i sipërmarrjeve shqiptare". Gjithashtu, ministri i Ekonomisë parashtroi edhe disa nga objektivat e dikasterit që drejton, që sipas tij, synojnë zhvillimin e tregtisë. "Po punohet për bashkimin e QKR-së me QKL-në, si edhe do të ndërhyhet me paketa mbështetëse për turizmin dhe do të punohet për ndryshime serioze në ligjin e partneritetit publik- privat, ky i fundit një nga instrumentat kryesorë të zhvillimit ekonomik. Në gjashtë mujorin e parë do të kemi zonën e parë ekonomike me partner shumë të rëndësishëm", tha Ahmetaj.

Duke folur për mbrojtjen ndaj konsumatorit, Ahmetaj komentoi edhe thirrjen e PD-së për fikjen e automjeteve në shenjë proteste për çmimin e karburanteve. Nafta u ul nga 195 në 155 lekë, gati e barabartë me çmimin botëror. Por shqiptarët e dinë vetë se kur t'i fikin dhe ndezin makinat. Ne premtuam se çmimi nuk do të rritej, ndaj shumë shpejt do të krijojmë një paketë për monitorimin e naftës. Objektivi ynë është që të kemi një rritje ekonomike për të mirën e qytetarëve, pasi sfida jonë është që të mos jemi të kënaqur me arritjet e 2014, dhe ta konsiderojmë 2015 - 2016 një vit kthese që të kemi një rritje ekonomike mbi 4 për qind dhe jo 2.1 që kishim në vitin 2014", përfundoi Ahmetaj.

 Ndërsa Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, duke folur për arritjet gjatë vitit 2014 tha ndër të tjera se një ndër masat më të rëndësishme ishte heqja e taksës së qarkullimit dhe naftës së karbonit për peshkatarët, ndërsa e vuri theksin tek reforma veterinare e cila sipas tij, "bën të mundur që shërbimi veterinar të jetë unik". Një hap i guximshëm është krijimi i partneritetit veterinar me tregtarët e shërbimit veterinar privat". Sipas Panaritit, dikasteri që ai mbulon do të mbështesë të gjithë ato inisiativa që janë të konkurueshme në treg".

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari