ELBASAN- Në Universitetin e Elbasanit, i cili aktualisht është i vetmi që ofron një program studimi për gjuhën rome u zhvillua një konferencë shkencore  me rastin e Dites Ndërkombëtare e Romëve.

Organizuar nga Departamenti i Gjuhësisë në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Rome në Shqipëri, konferenca kishte në fokus figurën e studiuesit Marcel Courthiade dhe kontributin e tij në studimin dhe standardizimin e gjuhës dhe kulturës rome.

Rektorja e universitetit, Prof. Dr. Elvira Fetahu dhe përfaqësues të komunitetit rom gjatë diskutimeve theksuan rëndësia e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës rome, si një element thelbësor i identitetit kulturor.

Bashkëshortja e Marcel Courthiade ndau me të pranishmit kujtime nga jeta dhe puna e tij në vende të ndryshme të botës, nga Franca dhe Spanja deri në Indi, duke evidentuar përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në këtë fushë.

Nga ana tjetër, pedagogu i gjuhës rome, Dr. Emiliano Aliu, u ndal tek sfidat e mësimdhënies së kësaj gjuhe, duke nënvizuar nevojën për më shumë mbështetje institucionale dhe zhvillimin e mundësive në tregun e punës për këtë profil.

“Kur më pyesin, çfarë experience ka qenë gjuha rome në Universitetin e Elbasanit,  më duhet të them që është njësoj si një shqiptar që ndodhet larg Shqipërisë, jep mësim gjuhën e nënës së tij. Nuk ka emocion më të papërshkrueshëm. Akoma më mirë është që të jetë në nivel institucional për një të ardhme që do e trashëgojë këtë gjuhë tek brezat që vijnë. Një eksperiencë tjetër positive në Elbasan është fakti që ky universitet është i pari që hap dyert për këtë degë" tha Aliu

Në fokus të konferencës ishin gjithashtu çështje që lidhen me të drejtat e komunitetit rom, integrimin e tyre në shoqëri dhe luftën kundër diskriminimit. 

Marcel Courthiade ishte një nga studiuesit më të njohur ndërkombëtar në fushën e gjuhës dhe kulturës rome, megjithëse për publikun e gjerë mbetet një emër pak i njohur. Me origjinë nga Franca, ai punoi ne Shqiperi për dekada të tëra me komunitete rome. Po keshtu ka dhene leksione në  Francë, Spanjë, etj. 

Një nga arritjet e tij më të rëndësishme ishte krijimi i një forme të përbashkët standarde të gjuhës rome, e cila synonte të bashkonte dialektet e ndryshme dhe të ndihmonte në përdorimin e saj në arsim, botime dhe institucione.