Profesor Ardian Ndreca, nisi sonte në Report Tv emisionin Elektroshok. Përmes këtij emisioni, Ndreca ka për qëllim të trazojë mendimet duke kthyer mes nesh guximin e dijes si qasja më e mirë për shoqërinë tonë.
Emision krejt i veçantë në llojin e tij dhe në ekranet shqiptare. Tema e parë e këtij emisioni ishte: Roli i intelektualëve në shoqëritë moderne, por sidomos në Shqipërinë tonë! Si fillim, profesor Ardian Ndreca ngre disa çështje reflektuese me pyetje të ngjitura në pikëpyetje, duke theksuar ndër të tjera:
1. A mund të kemi elita nëse nuk kemi kritikë?
2. A është çdo i diplomuar në ditët tona një intelektual?
3. A mund të jetë intelektuali një lloji ushtari i politikës?
4. Cila është elita që na duhet si e zgjedhur për nga zotësia?
5. Na duhen më shumë intelektualë apo njerëz teknikë?
Por çfarë, përse, kë dhe si synon të ngacmojë Elektroshoku i energjisë ndreciane?
"Elektroshok asht nji sprovë apo sfidë komunikimi mendimesh dhe refleksionesh për rolin e intelektualit në shoqërinë tonë, eksperiencën estetike, sensin e drejtësisë, biçikletën, paqen… janë takime, konvergjenca divergjente, gjithsesi krejt shkurt e krejt qartë", shprehet Ardian Ndreca.
Profesor Ardian Ndreca flet për rolin e intelektualit: Ndonjëherë një goditje e jashtme nga sistemi mund të sjellë kthimin normalizim të disa ritmeve të organizmit. Edhe shoqëria është organizëm dhe ndonjëherë ka nevojë për ndonjë elektroshok miqësor, të kalibruar dhe mbi të gjitha me doza të arsyetuara. Nga ana tjetër bëhet fjalë për elektriciteti, një shkëndijë. Qëllimi është me ndez një shkëndijë sado të vogël të refleksionit brenda secilit prej atyre që na ndjek. Do fillojmë duke folur për rolin e intelektualëve në shoqëri.
Zakonisht thuhet se në shoqëritë e pazhvilluara çdo i diplomuar është një intelektual. E dimë se komunizmi tek ne e ka minimizuar rolin e intelektualit. Megjithatë intelektuali historikisht është njohur dhe identifikuar me klasat e privilegjuar. Merita e elitave ka qenë prania në klasat e të privilegjuarve. Nuk janë privilegjuar për faktin se kanë qenë intelektualë. Megjithatë e dimë se prej privilegjeve më së shumti dalin derra të kënaqur se sa sokratë të vuajtur, siç thotë Migjeni.
Prandaj, përkufizimi i skajit intelektual si një person me arsim të lartë i specializuar të cilit shoqëria i ka besuar përçimin e dijeve është pak i paplotë. Revolucioni francez e ka plotësuar këtë dimension duke i shtuar dimension politik, duke bërë që intelektuali të jetë ndërgjegjja kritike, drejtimi politik i shoqërisë. Sot synohet në zbulimin e rolit të intelektualit në shoqëri, rolin e një personi që jep mendimin e tij, merr pjesë në jetën e shoqërisë pa interesa të veçanta dhe vë në shërbim të shoqërisë dijet e tij. Kjo gjë nuk realizohet thjeshtë dhe e dimë se shoqëria postmoderne e ka zbehur më tej rolin e intelektualit. Nga legjislator që ishte në antikitet, hap pas hapi në modenritet është bërë një interpretues si shoqërisë, është bërë një sufler dhe ka përfunduar deri aty sa me u bë një noter i atyre ndryshimeve që shoqëria i kryen në bazë të proceseve ekonomike, proceseve të cilave s’kanë të bëjnë me drejtimin e mendjes. Në rastin tonë shpesh herë intelektualët janë kthyer në ushtarë rezervë të pushtetit, të cilët pushteti i ka përdor edhe keqpërdor.
Profesor Ardian Ndreca thotë se “intelektuali duhet të ketë guximin me përdor dijet e tij për të thënë një ‘jo’ sa herë të nevojitet”.
"Kemi një histori tepër interesante që na vjen nga antikiteti, Sokrati. Është figura e filozofit të fillimeve të mendimit filozofik europian, i cili rrëfente se ndjente brenda vetes një zë të fshehtë, që i thonte vetëm nj diçka, ‘jo’. Kur kishte për të marrë një vendim, me pjesë në një asamble, forum, i thonte jo mos merr pjesë, mos e aprovo, mos u bashko, mos u vë në bishtin e këtij grupimi. Ky është roli kritik i intelektualit, jo me dhënë zgjidhje për gjithçka. Intelektuali nuk mund të jetë gjitholog, se për atë ka teknikë në fusha të ndryshme. Intelektuali duhet të ketë guximin me përdor dijet e tij për të thënë një ‘jo’ sa herë të nevojitet. Edhe pse kemi një tendencë të vazhdueshme në post modernitet me zëvendësuar intelektualin me teknikun. Tekniku nuk është në gjendje me dhënë përgjigje dhe monitoruar jetën me atë parametra që intelektuali njeh. Intelektuali kalon përtej pjesës teknike të shoqërisë. Çfarë të bën Intelektual? Sigurisht nuk të bën diploma, nuk të bën shkolla, nuk mjafton as edhe vetë dija me të bërë Intelektual. Ajo që të bën intelektual dhe hap rrugë për krijimin e elitave është guximi me përdor dijet dhe guximi me zbatuar parimet në bazë të cilave ato dije janë fituar."
Ardian Ndreca është profesor i historisë së filozofisë moderne pranë Pontificia Universitas Urbaniana. Ai gjiithashtu ka qenë drejtor i Institutit të Studimeve të Ateizmit e të Kulturave pranë PUU në periudhën 2007-2013 dhe nga viti 2016 në vijim. Nga viti 2007 z. Ndreca është profesor i ftuar pranë John Carroll University (Cleveland). Anëtar i Associazione Italiana di Studi del Sud-est Europeo (AISSEE). Anëtar i fondacionit Il Cortile dei Gentili (pranë Pontificio Consiglio della Cultura, Vatikan). Kryeredaktor dhe editor i revistës Shejzat-Pleiades series nova – 2016 në vijim.