Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ibsen Elezi thotë se tentativa që bën Lulzim Basha për t’u kthyer në politikën aktive nuk është institucionale se nuk kanë struktura. Në një intervistë për Report Tv në ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Elezi tha se ka pasur shumë thyerje rregullash.
“Nuk është çështja mes Berishës dhe Bashës por se një parim me të cilin funksionon demokracia që është parimi i shumicës që duhet të respektohet nga të gjitha palët. Tani në PD nuk e merr vesh i pari të dytin. Nuk është institucionale kjo që tenton të bëjë Basha se s’kanë struktura duke nisur nga anëtarësia deri te Kryesia. Partia funksionon me institucione dhe po t’i referohesh fakteve dhe të shkosh në dyert e gjykatës, ata do të vendosin për shkrirjen e kësaj force. Thyerje e rregullave kanë zbehur institucionet”, tha Elezi.
Sa i përket Gazment Bardhit, u shpreh se ky i fundit këmbëngul në respektimin e statutit dhe do të bëjë si shpëtimtar kur ka shkelur rregullat së bashku me Bashën.
“Këtu ka 2 grupime. Të dyja kanë tipar mosrespektimin e institucioneve dhe manipulimeve. Bardhi po kërkon me këmbëngulje respektimin e rregullave statutore por ai bashkë me Bashën e kanë shkelur në mënyrë të vazhdueshme. S’mund ta konsiderosh një shkelës si shpëtimtar. Bardhi ka mëkate në deformimin e demokratëve”, tha Elezi.
Edhe për Sali Berishën shprehet se është dëmtuar prej bashkëpunimit me Ilir Metën duke u bërë i pabesueshëm.
“Bashkimi me Ilir Metën e ka dëmtuar. PD do kishte marrë më shumë se 500 mijë vota nëse do kishte qenë i vetë, jo me Metën. Do krijonte besim. Kur bashkëpunon me Ilir Metën dhe sulmon sistemin që manipulon dhe kur ke manipulator në anën tjetër, je i pabesueshëm”, tha Elezi.