Elizabeth T. Gray,Jr: Si
mbërrita te kjo poezi

Elizabeth T. Gray,Jr: Si<br />mbërrita te kjo poezi
Kur e nisa vjershën “Shqipëria” pas vizitës sime në Shqipëri, mendova që ishte një vjershë për Shqipërinë.

Për Shqipërinë mësova nga pasaporta ime e parë amerikane. Më kujtohet që në faqet e saj shkruante: “Kjo pasaportë bëhet e paligjshme nëse bartësi i saj udhëton në Kubë, Republikën Demokratike Popullore të Koresë, ose Shqipëri.” Ishte viti 1962 dhe Lufta e Ftohtë në kulmin e saj.

Unë e dija që Kuba dhe Koreja Veriore ishin mëkatare, por çfarë dhe ku ishte Shqipëria? Ç’kishte bërë? Është si Bashkimi Sovjetik, thonin. Por në harta ngjyra e saj nuk ishte e njëjta e kuqe. Paj, thonin, shiko, komunistët e saj janë me kinezët.

Mirëpo hartat ishin shumë precize: Shqipëria nuk ishte askund afër Kinës. Ishte afër Italisë dhe skaj Greqisë. Athua kishte raketa? A ishin Greqia dhe Italia të frikësuara? Askush nuk mund të më thoshte asgjë.

Kisha menduar se kisha harruar çdo gjë për Shqipërinë. Dhe ndërsa nuk i ipja asaj vëmendje të veçantë më; ndërsa rritesha dhe studioja dhe gjezdisja autostop në Indi dhe përktheja poezi persiane dhe studioja drejtësinë dhe konsultoja korporata të ndryshme dhe martohesha dhe rrisja binjakë; ndërsa pra i kisha duart plot, Pakti i Varshavës u shkatërrua dhe Shqipëria, si fqinjët e saj, u bë diçka tjetër.

Me 2005, ndërkaq që unë dhe burri im po shikonim në hartat detare të planifikonim një verë me fëmijët tonë në Egje dhe Adriatik, venerova se ne do të lundronim përskaj Shqipërisë.

Dhe a nuk ishte Shqipëria e lirë tashmë? Tani njeriu mund të shkonte në Shqipëri. Kishte libra udhërrëfyes që përshkruanin hotelet dhe bar-kafetë në Tiranë. Athua do të mund të hynim në dok atje? Mund të hidhnim spirancën dhe të vizitonim Shqipërinë?

Përgjigjja ishte, “Jo.” Kufiri bregdetar ishte i paarritshëm. Anijet private nuk mund të ankoronin në Shqipëri. Raporti i Marinarëve (Notice to Mariners) i secilit shtet na tërhiqte vërejtjen të rrinim larg Shqipërisë.

Por Shqipëria u bë vendi i vetëm ku doja të shkoja gjithsesi. Isha e paepur. Do të shkoja në Shqipëri. Dhe, nuk mund ta shpjegoja këtë.

Një mëngjes të dieleje në Korfuz gjeta një firmë që organizonte eskursione dhe me ferribot shkova nga Korfuzi në Sarandë dhe prej aty, sëbashku me njëqind turistë gjermanë dhe holandezë, me autobus, në Butrint. Ciceroni ynë na tregonte për historinë e Shqipërisë dhe të gjitha ndryshimet që kishin ngjarë “prej vitit 1992.”

Nuk mora vesh asgjë se çfarë kishte ndodhur me 1992. Por Shqipëria ishte pamohueshmërisht reale: porti i ndriçuar nga dielli me dy anije mallrash të ankoruara, doku i gjallë me qenë, shitësit e frutave dhe shumë fëmijë, ca makineri të ndryshkura të mbuluara me barishte, kopshtet e lulëzuara dhe shtëpitë e lyera me bojë të bardhë, qyteti joshes i Butrintit, i cili dukej si pjellë e përzier e Angkorit dhe Delfit.

Më vonë, kur fillova të shkruaja vjershën time për Shqipërinë, isha e mbushur me një  ndjenjë të humbjes dhe me trishtim të pamasë. Duke e pasë gjetur dhe prekur tokën ekzistuese të Shqipërisë disi kisha humbur një pjesë të rëndësishme të gjeografisë psikike, Veriun Magnetik. E kisha humbur idenë e Shqipërisë, asaj Shqipërie, e cila kishte qenë një hutim i çmueshëm, një pamundësi e rëndësishme. E kreva poemën dhe kujtova se e kisha kryer me Shqipërinë.

Kur u botua vjersha me 2011, fillimisht në The Beloit Poetry Journal dhe pastaj në antologjinë Best New Poets 2012, papandehur zbulova që Nju Jorku dhe Facebooku ishin dëng me shqiptarë. Tanimë kam shumë miq nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova.

Ata më kanë treguar për historinë e vjetër dhe të re të shqiptarëve si dhe letërsinë dhe kulturën e tyre. Shumë nga ta më kanë dhuruar novela dhe libra me poezi shqiptare të përkthyera në anglisht, dhe njëri prej tyre— Uk Lushi— sot po u prezenton vjershën time “Shqipëria” të gjithë atyre që lexojnë shqip.

[teksti hyrës i Uk Lushit, ai i zonjës Grey Jr. dhe vjersha janë botuar sëpari anglisht në gazetën Illyria të Nju Jorkut- përkthimi i tyre në shqip është bërë nga Uk Lushi]

Shkrimi u botua sot në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print) 03.02.2013


Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit