Elon Musk do të organizojë një debat të drejtpërdrejtë me kandidaten e kancelares së Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, Alice Weidel, përpara zgjedhjeve të parakohshme të vendit më 23 shkurt.
Debati, i cili do të zhvillohet drejtpërdrejt në platformën X të Musk, vjen pasi miliarderi mbështeti AfD-në, fillimisht në një postim në rrjete dhe më vonë në një opinion në gazetën Ëelt am Sonntag, në të cilën ai e quajti partinë "shpresa e fundit për Gjermaninë”, duke shkaktuar reagime të zemëruara në skenën politike.
Debati në X do të zhvillohet "shumë shpejt", tha Daniel Tapp, një zëdhënës i kreut të AfD. Edhe pse nuk është caktuar një datë, diskutimi do të bëhet patjetër para zgjedhjeve, shtoi ai.
Liderët politikë në Gjermani e akuzojnë Musk-un për “ ndërhyrje në zgjedhje”, ndërsa për shkak të lidhjeve të tij me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, besohet se ndërhyrja e tij udhëhiqet nga administrata e ardhshme amerikane.
Qeveria gjermane po pyet nëse mosrespektimi i përsëritur, shpifja dhe ndërhyrja në fushatën zgjedhore u shprehën në emër të qeverisë së re amerikane, tha Rolf Mützenich, një politikan nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë, për agjencinë gjermane të lajmeve Spiegel.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane akuzoi gjithashtu Musk për "përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet federale", duke shtuar: Liria e mendimit mbulon edhe marrëzitë më të mëdha.
Ndërsa Musk ka shprehur mbështetjen e tij për AfD-në, i dyti në komandë pas Trump, zëvendëspresidenti i sapozgjedhur Jay de Vance , tha të enjten se ai nuk do të mbështesë një parti në zgjedhjet e ardhshme gjermane.
“Unë nuk po mbështes asnjë parti në zgjedhjet gjermane pasi nuk është vendi im dhe shpresojmë të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë gjermanët”, ka shkruar Vance në një postim në X.
Megjithatë, pavarësisht këmbënguljes për neutralitetin e tij, nënpresidenti i zgjedhur shtoi se artikulli i Musk ishte " interesant " dhe mbrojti AfD kundër asaj që ai e përshkroi si "shpifje" nga mediat amerikane, të cilat e quajtën partinë "naziste".
Megjithatë, edhe me mbështetjen e Elon Musk për AfD-në, nuk është e sigurt se sa do ta ndihmojë kjo partinë në zgjedhje.
AfD është aktualisht e dyta në sondazhe me 19%. Aleanca konservatore e Gjermanisë është në vendin e parë me 30%, duke e vendosur Friedrich Merz, kreun e Unionit Kristian Demokrat në pozitën e kancelarit të ardhshëm.
Siç raporton Politico, mbështetja e Musk për AfD- në ngre pyetje se si Trump do të punojë me qeverinë e ardhshme, ndoshta konservatore, të Gjermanisë, duke pasur parasysh mospëlqimin e tij të njohur për ish-kancelaren Angela Merkel.