Elvira Dones: shtëpia, anija
e shenjtë e udhëtimeve të mendjes

Elvira Dones: shtëpia, anija <br />e shenjtë e udhëtimeve të mendjes
Shkrimtarja Elvira Dones jeton në anën tjetër të botës, në San Francisko. Ndërsa ju do të lexoni këtë intervistë të saj, ajo do të jetë duke udhëtuar, nuk dihet për ku, ndoshta në një nga ato udhëtimet që dikton ora e saj e brendshme. Është e njëjta orë që e shtyn më pas të ndryhet në shtëpi, të cilën e quan “më të shenjtën anije të udhëtimeve të mendjes”. Nga kjo fazë lindin romanet e saj. Më i fundit syresh gjendet edhe në libraritë e Tiranës, dhe jua rekomandojmë këtë fundjavë për ta lexuar. Është pikërisht “Lufta e vogël e përkorë” që “e detyroi” shkrimtaren të ndalet për një çast për të shkëmbyer disa pyetje-përgjigje, falë shpejtësisë së teknologjisë. Romani vjen në shqip një vit pas botimi në Itali dhe në kopertinë fjalës “luftë” i kundërvihen gishtat e hollë, delikatë e të bukur të një gruaje. Romani, shoqërohet nga një “shpurë” kritikash mjaft të mira kryesuar nga parathënia e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Italian Roberto Saviano. E teksa konsumojmë me Elvira Dones, disa pyetje për romanin tentojmë të zbulojmë pakëz më shumë nga shkrimtarja. Të qenurit një grua e impenjuar, raporti mes udhëtimeve dhe shtëpisë dhe raporti me teknologjinë, përfshirë këtu edhe ebook.

Sapo ka ardhur në shqip “Lufta” juaj e përkorë. Për një shkrimtare që ka siguruar famën e saj jashtë Shqipërisë dhe për këtë libër që ka korrur sukses në Itali, cfarë do të thotë botimi në shqip? Ka një botim edhe për Kosovën?
“Luftë e vogël e përkorë” rrëfen një copë nga historia shumë e afërt e Kosovës. Ajo që ndodhi në 1999 e preku Shqipërinë konkretisht, “fizikisht”. Lufta bëri që Shqipëria të hapte dyert e të ndante strehë e bukë me sivëllezërit që deri atëherë thuajse nuk i njihte, e ky takim gjithëpërfshirës ...ndodhi në mes të një situate brutale për Kosovën... Ngjarje që dimë - kujtesa është ende prush i gjallë në trevat shqiptare... Në këtë sens, e kisha për zemër që “Luftë e vogël e përkorë” t’i vinte në dorë lexuesit shqipfolës. Libri u botua në Itali në maj të 2011. Botuesja Dudaj me këmbëngulje çoi përpara punën e botimit në shqip. Unë revizionova e u kujdesa për shqipërimin e përkthimit fillestar, e ja ku u mundësua dalja e romanit. “Luftë e vogël e përkorë” i është përcjellë ndërkohë lexuesit në libraritë e Prishtinës e Tiranës, në një version të vetëm, siç është e llogjikshme të ishte, në gjuhën shqipe letrare e me disa “meillëzime” të lehta në gegnisht.

Ky botim vjen ndërsa situata në Kosovë nuk është aspak e qetë. E keni ndjekur këtë situatë dhe çfarë mendoni?
Lindjet apo rilindjet e kombeve janë procese të vështira, të gjata e komplekse. Mbas fitores së një lufte çdo shtet-foshnjë ka një “problem” me paqen, sepse kjo e fundit si kusht vë punën kolosale për ndërtimin e vendit; krijimin e shtetit e të istitucioneve të tij të pastra, funksionale, demokratike... Ishte ky, është ky qëllimi i një lufte për pavarësi, ndryshe bie arsyeja madhore në emër të së cilës u derdh gjak e iu dha popullit shpresë. Kosovën e ndjek me aq vëmendje sa më lejon koha që kam në dispozicion e angazhimet e shumta. Është e pamundur të jesh në dijeni të përditshme në çdo fushë interesi e me të njëjtën cilësi.

Ju rrëfeni se keni njohur luftën në Kosovë nëpërmjet rrëfimeve të mikeve tuaja kosovare. Tregimi i një ngjarje të afërt në kohë krijon vështirësi për procesin krijues?
Në procesin e dokumentimit e të organizimit të materialit, çdo autor ka mjetet, metodat e burimet tij të punës me të cilat kryqëzon, krahason, plotëson atë që i nevojitet. Kjo vlen edhe më shumë kur është fjala për një libër të gjinisë non-fictional novel. Në Kosovë u ftova nga një grup grash kosovare në dhjetor të 1999-ës lidhur me romanin tim “Yjet nuk vishen kështu”. Nuk njiheshim më parë, e mikesha u bëmë që nga ai çast e tutje. Më “mbajti peng” bukuria e tyre e rrallë njerëzore, kuraja, dinjiteti me të cilin më rrëfyen për atë që kishin kaluar. Më pas u ktheva përsëri disa herë në Kosovë, e udhëtova vendin me pëllëmbë, mblodha dëshmi nga njerëz të çdo moshe e prejardhjeje. Në këtë kuptim, nuk e kam njohur luftën vetëm nëpërmjet rrëfimeve të shoqeve, kjo do të ishte reduktuese e jo fort pranë së vërtetës. Gjëja më e vyer që më dhanë mikeshat e mia të Kosovës, ishte bujaria e intimitetit, hollësitë krejt të veçanta që vetëm kush kish qëndruar i ndryrë për 78 ditë nën atë lëngatë të psiqikës e trupit mund t’i përcillte me autenticitet. Shpesh profesionet që lëvroj më kanë imponuar trajtimin e një subjekti të fortë e të një ngjarjeje të afërt, aktuale, pa më lënë mundësinë konkrete, të krijoj distancë kohore, apo gjeografike me to. E kam fjalën për procesin e gjatë investigativ para se të shkruaja romanin”Yjet nuk vishen kështu”, për shembull, apo për punën me disa dokumentarë televizivë. Për të shkruar “Luftë e vogël e përkorë” mora kohë, “vura kohë” në mes, disiplinova brenda vetes atmosferën e ritmin e ngjarjeve, filtrova dhembjen, e më pas shkrova...

Shpesh kritika ben vleresime qe e cojne ne meditim shkrimtarin. Cili prej vleresimeve ju ka lene me shume mbresa?
Do të veçoja vlerësimet e mjaft lexuesve kosovarë me banim në Itali. Në takimet me publikun gjatë vitit të shkuar e në mjaft letërkëmbime me ta, vlerësimet e ngrohta e përgëzimet rreth vërtetësisë e autencitetit të ngjarjeve më kanë gëzuar veçanërisht. Dhe suksesi me të cilin e priti librin kritika e lexuesi italian, më jep kënaqësi, s’do mendje. Por që ta vras mbi domethënien e këtij apo atij vlerësimi apo analize, kjo është puna e kritikës. Ndoshta do e bëj ndonjë ditë, kur të kem mes duarsh ca kohë të ngeshme.

Sot gratë mëtojnë të gjejnë një të mesme mes familjes dhe profesionit. Duket si një luftë sfilitëse për shumë prej tyre…. Si ka qenë përvoja juaj në këtë pikëvështrim?
Nuk ka një të mesme të artë për gjithë kungujt që një grua, nënë, profesioniste duhet të mbajë nën sqetull. Thjesht nuk ka. Është vetëm një lojë e hollë e shpesh sfilitëse mes përparësive, peshave, domosdoshmërive e gjërave më pak jetësore. Në mënyrë praktike e pragmatike, si nënë e profesioniste me kohë e përvojë organizohesh e fiton një efikasitet e disiplinë të madhe. Kjo i shpëton gratë, të cilat termin modern të “multitasking” kanë shekuj që e aplikojnë.

Udhëtimet janë për ju po aq të rëndësishme sa edhe të shkruarit. Por nga ana tjetër është shtëpia, e cila simbolizon në njëfarë mënyre qëndrimin dhe jo lëvizjen.
Pjesa më e bukur e një udhëtimi është pa dyshim udhëtimi. Një klishé kjo, një nga të shumtat syresh, të vërteta. Por procesi i të shkruarit kërkon rrënjë, sepse është një zanat prej murgjish, e si i tillë ka nevojë për çatinë, uljen, ndryrjen, tërheqjen nga bota. Unë kam një orë të brendshme që dikton çastin e udhëtimit: hedhjen e rrobave kuturu në valixhe, urgjencën e nisjes nuk ka rëndësi për ku, rrëmbimin e kamerave, regjistratorëve, makinave fotografike, dhe jashtë derës, drejt vendeve më absurde nganjëherë. Pastaj troket ora e brendshme e të shkruarit, dhe shtëpia bëhet më e shenjta anije për udhëtimet e mendjes.

E book sa vjen edhe po bëhet me i pranishëm mes lexuesve. Si e shikoni ju këtë proces të ri leximi? Leximi nga fleta apo nga ekrani do të mbijetojë?
Kjo do të na hapte një temë të gjerë të cilën e kam shumë për zemër, pasi me tranzicionin teknologjik personalisht më është dashur të përballem, dy herë, pra jo vetëm në fushën letrare. Gjithë bota e mediave është përfshirë në një tërmet të gjatë, ende të papërfunduar, ende në fazën e zhvendosjes së rërave lëvizëse. Kur fillova punë në televizionin zviceran vite më parë, montohej akoma në sistemin analog, që i parë me sytë e sotëm duket si parahistori. Sot si dokumentariste kaloj nga njëri sistem montazhi digital në tjetrin; nga një videokamerë në tjetrën, nga një format xhirimesh në tjetrin, me një fleksibilitet stresues që kërkon një punë kostante axhornimi. Nuk mund të mbetesh pas në asnjë hap teknologjik, ndryshe ti bëhesh obsolet për tregun e për ekzigjencat e reja mediatike. Por televizioni nuk e zhduku radion; informacioni online nuk do t’i zhdukë as gazetarët si kategori, përkundrazi, e as gazetat “fizike” tërësisht. Unë pastaj jetoj në zemrën e botës teknologjike, dy hapa nga Google, Apple e Facebook e nuk më “lejohet” të jem skeptike. San Francisco vlon marramendje krijuese sinergjish, idesh nga më vizionaret. Duke u kthyer tek letërsia, si autore e nëntë librave dhe e mbrujtur me fetishin e librit si objekt dashurie, si tërësi aromash mes kartës e duarve, mes syve e mendjes, në krye të këtij rrëmeti u rreka të kuptoja, se ku qëndroja me mendje e ndjenja në këtë proces. Sot lexoj shpesh librat në ebook. Herën e parë e bëra me një psherëtimë të thellë, librin e parë që bleva online direkt në Kindle e kam vështruar atë darkë sikur të më kishte faj. Por nuk arrij dot ende, në mendësinë time gjithsesi prej shkrimtari, që ta blej një libër të një autori të vyer vetëm në ebook. Kështu që po blej dyfish, versionin e hollë e komod të ndryrë në palët e Kindle, dhe versionin e bukur në “mish e kocka” në librari. Gjë aspak e shëndetshme për xhepin kjo, duke parë sasinë e llahtarshme të librave që blihen në këtë shtëpi.

(rrr/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?