Emëruesi i reformave

Emëruesi i reformave
     Në literaturën ndërkombëtare bashkëhore është përmendur shpesh herë fakti që Bashkimi Evropian ofron aktualisht një panoramë tjetër, shumë më joshëse dhe mjaft domethënëse se sa “Ëndra” e viteve ’50 të shekullit të kaluar. Shumë më joshëse, ngaqë tani ai është një Bashkim i gjerë, demokratik dhe i integruar. Domethënëse, sepse tani ai është një nga Klubet më të nderuara të botës, duke u kujtuar fqinjëve që dëshirojnë të hyjnë në ‘të realizimin e mesazhit që dha Robert Shumani më 1949: “Është e domosdoshme që secili të jetë plotësisht i bindur, se ne kemi nevojë për njëri – tjetrin, pavarësisht pozicionit dhe fuqisë që kemi”. Dhe, çfarë përmbledh shkurtimisht realizimi i këtij mesazhi? Paqja e gjatë dhjetravjeçare i drejtoi evropianët në priritete të reja: më shumë vende pune, gjendje më e mirë financiare, cilësi më e lartë jetese, më shumë liri dhe siguri, më tepër solidaritet si vlerë morale, etike dhe politike.

     Të gjitha këto të kujtohen menjëherë pasi je njohur me pritjen zyrtare që i bëri ditën e hënë në Berlin Kancelarja gjermane Kryeministrit shqiptar, gjatë së cilës në konferencën e përbashkët të shtypit, veç të tjerash, Merkel u shpreh: “Duhet të përpiqemi që pikërisht në këtë vit, i cili është vit përkujtimor, në 100 vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore, që 100 vjet më vonë ne kemi mësuar nga historia”. Në këtë kontekst frynë erëra të ngrohta veçanërisht për shqiptarët, kur përpara se Edi Rama të shqiptonte në këtë Konferencë faktin e pamohueshëm që ata e kanë vendin në Evropë, Angela Merkel përgëzonte “për bashkëpunimin e mëtejshëm” dhe i uronte mbarësi qeverisë së tij, një “qeveri e re”. E re jo vetëm për kohën e shkurtër që nga zgjedhja, por edhe për esencën e programit të vet dhe formën e ushtrimit të pushtetit të besuar asaj.

     Me këtë cilësim të fundit të Zonjës së suksesshme të zhvillimeve evropiane, mund të thuhet pa ngurim që rruga e shqiptarëve drejt Brukselit është bërë edhe me e shkurtër. Edhe më e shkurtër, kur një lidere e së djethtës gjermane dhe komunitare pret në selinë e saj me të gjitha nderimet dhe protokollet e nevojshme një lider të së majtës së një vendi ballkanik, duke i shprehur optimizmin për akordimin së shpejti Shqipërisë të statsit të Shtetit kandidat në BE, dhe kur ish homologut të saj shqiptar kurrë nuk iu përgjigj për realizimin e një takimi zyrtar. Edhe më e shkurtër, kur në takimin e mëpasëm të Kryeministrit, Edi Rama, në Bruksel me Komisionerin e Unionit Evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle u vërejtën gjithashtu çaste mjaft të përzërmërta.

Por, ndonëse edhe në Tiranë entusiazmi nuk mund të përmbahet dhe aq më pak të fshihet, realiteti duhet të vështrohet në një perspektivë me përballimin e sfidave në disa drejtime, si: ndërtimin e një shoqërie ku njerëzit të jenë vërtet të lirë dhe cilësia morale, materiale dhe kulturore e jetës së tyre të përmirësohet me ritme të shpejta; ndërtimin e një shoqërie të re ku njerëzit të jenë disponues të qytetërimit evropian dhe ku të gjitha arritjet humane t’u shërbejnë atyre; mënjanimin e nacionalizmit ekskluziv dhe forcimin e komunitetit bashkëpunues për ruajtjen e paqes në vendin tonë dhe më gjerë; zhvillimin e bazuar në principet dhe vlerat universale, posaçërisht ato evropiane, të etikës, solidaritetit, partneritetit, sundimit të ligjit, tolerancës dhe bashkëpunimit.

Në këtë kuadër, brenda të cilit spikatin përpjekjet e “qeverisë së re” për ndryshime thelbësore në menaxhimin e pushtetit dhe në përgjithësi në jetën e popullit, ende zë vend të dukshëm nevoja për të ndërmarrë pa zvarritje 5 reforma të rëndësishme. Reforma, që pa dyshim kërkojnë edhe një marrëveshje të re ndërmjet rradhëve të politikës së brendshme në Shqipëri. Një marrëveshje të re, në themel të së cilës i dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Moore, në një aktivitet të zhvilluar pardje në Tiranë, me rastin e 5 vjetorit të hyrjes së Shqipërisë në NATO, theksoi se duhet të qëndrojë konsensusi midis partive politike. Në përgjigje të kësaj thirrjeje të përfaqësuesit të Shtetit aleat më të fuqishëm të shqiptarëve, Lulzim Basha u ngrit në këtë aktivitet dhe ngriti zërin, se në Bruksel nuk mund të shkohet pa opozitën.

Dakord, por për arritjen e domosdoshme të këtij partneriteti në lëmin e politikës gjatë një rruge të pakthyeshme, kreu i Partisë Demokratike nuk tha ndonjë gjë të re. Nuk tha ndonjë të re, përveç atyre që herë ka ulëritur dhe herë ka pëshpëshpitur intensivisht kundër “qeverisë së re”, që u ngjit në pushtet me votën masive të popullit, i cili mjaft duroi sa t’i jepte ish mazhorancës mbi 1 miljonë shuplaka, për ta spostuar në opozitë, duke u dëshmuar edhe brenda gjashtë muajsh, se në lëmin e politikës koha po tregon që “aftësia e së mundshmes” është e njëjtë me aftësinë për t’u mbrojtur nga “brutaliteti i të pamundshmes”. E pra, përsëri vazhdojnë të na paraqiten nga pozicionet e opozitës ca politikanë të tipit Berisha, që pretendojnë të drejtohet shteti vetëm nga “krijesat” e tyre, që kërkojnë të nxjerrin mllefet dhe të rifitojnë publikun, që i braktisi, vetëm me vulgarizma, intriga, nënçmime dhe primitivizma të shpalosura mu në sallën e Parlamentit, që kërkojnë të krijojnë panik për mosdhënie të statusit, nëpërmjet thirrjeve për protesta dhe deklaratave mbi pjesëmarrje të kushtëzuar në Parlament.

Ndërkohë, emëruesi i përbashkët i të gjitha reformave është gjithëpërfshirja, një fjalë kjo aspak magjike, por mjaft e artikulueshme, e kuptueshme dhe me akses të gjerë publik. Prandaj, politikanëve bashkëkohore në hapësirat euroatlantike u këshillohet vazhdimisht që, për t’u ngritur realisht mbi kundërshtarët e tyre politikë duhet të ballafaqohen përherë me sprova dhe jo të kalojnë kohën me qaravitje; të zhvillojnë debat të hapur politik dhe të jenë këmbëngulës në mendimet e tyre, por edhe t’i prezantojnë qartë bindjet, qëllimet dhe opsionet e veta; të ushtrojnë politika efektive, por edhe të sigurojnë legjitimitetin e veprimeve partiake apo individuale; të bëjnë oponencë të asyeshme dhe të domosdoshme, por edhe të lehtësojnë dialogun politik; të spikatin për qëndrime aktive, por edhe që nëpërmjet këtyre qëndrimeve të shkojnë në nivele të larta të përkrahjes së strategjive politike.

Mirëpo, që t’i arrijnë këto nivele atyre u nevojiten njohuri dhe aftësi të posaçme, sipas stadeve të zhvillimit të një vendi, që krijojnë një bazë të mirë për marrjen e vendimeve progresiste; nëse dëshirojnë të ushtrojnë rol aktiv dhe të rëndësishëm, atyre u duhet që njohuritë dhe aftësitë specifike për thelbin e politikës përparimtare të jenë të ngjizura në përmbajtjen dhe në formën e tyre. Vetëm kështu mund të ngjallin te të tjerët mirëbesim në personalitetin vetjak dhe në qëndrimin partiak. Përndryshe, vetmënjanohen nga debati i domosdoshëm, kur aq më tepër – si në Shqipëri – mazhoranca i ka votat e nevojshme për të legjitimuar reformat që kërkohen.

Sidoqoftë, një interpretim i përgjithshëm mbi rregullat bazë të mirëkuptimit është kushti i domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie që aspiron në integrimin evropian (përkundër asaj çka ndodh deri tani në Shqipëri, kur opozita i vendos mazhorancës disa kushteve të njëpasnjëshme për t’u shtruar, për shembull, në Komisionin parlamentar për reformën administrative – territoriale, apo për t’u ulur seriozisht në platenë e Kuvendit). Megjithatë, edhe kjo nuk është e mjaftueshme. Nuk është e mjaftueshme, sepse në bashkëjetesën politike dhe shoqërore diskursi i vlerave perëndimore s’i shërben vetëm përpjekjeve për të nxjerrë në dritë të vërtetën, por i shërben sidomos rendit të bashkëjetesës, hartimit të rregullave të saj.

Që këtej bëhet dallimi midis vlerave individuale private (që nuk kërkojnë pazare dhe ujdira) dhe vlerave kolektive publike, të cilat mbartin në vetvete dhe mbi vete kërkesën për një ecuri të përgjithshme shoqërore. Sedra apo marrëdhënia e individëve me veten e tyre (keqardhje pa fund për nxjerrjen nga zgjedhjet periodike prej qendrës së pushtetit në periferi të tij)vetëm ndonjërin prek. Ndërsa e drejta për zhvillimin e vendit në rrugën e qytetërimit evropian, e rritjes së cilësisë së jetës së të gjithë popullit kërkon ndërhyrjen e të gjithë politikës, e tërë shoqërisë. Dhe, masa e parë e kësaj ndërhyrjeje fillimisht vlerësohet konsensusi, ky emërues i përbashkët i të gjitha reformave. Prandaj, tentativat për bllokim të tyre nuk kanë asnjë kuptim dhe vlerë, sepse siç shkruante dikur Hygoi “Jeta është e shkurtër, por e bëjmë akoma më të shkurtër kur humbim kohë”.  

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta