Koronavirusi/Itali, 148 viktima! Masat radikale, Italia ndryshon stilin e jetesës. Qeveria Conte: Mësim në distancë dhe ndihma për familjet

Koronavirusi/Itali, 148 viktima! Masat radikale, Italia ndryshon stilin e jetesës. Qeveria Conte: Mësim në distancë dhe ndihma për familjet

Për të ndaluar koronavirusin dhe për të kufizuar infeksionin, Kryeministri italian, Giuseppe Conte nënshkroi një dekret të ri që e vendos Italinë nën masa radikale: shkollat ​​dhe universitetet mbyllen deri më 15 mars, kampionati i futbollit do zhvillohet me dyer të mbyllura, pezullohen konferencat, tubimet dhe eventet shoqërore, përfshirë kinematë dhe aktivitetet teatrore, lejohen aktivitetet në palestra apo pishina vetëm nëse respektojnë rregullat e higjienës dhe distancën e sigurisë së paku një metër.

Ndërsa nga sot shkollat dhe universitetet në të gjithë Italianë do të qëndrojnë të mbyllura, një vendim jo i lehtë për qeverinë, Ministrja e arsimit tha se ekzekutivi është i përkushtuar të sigurojë mësimdhënien në distancë dhe përmes kurseve në internet.

Vëmendje maksimale për të moshuarit dhe pacientët në rrezik.

Në rekomandimin e shprehur u bëhet thirrje të gjithë personave të moshuar ose personave që vuajnë nga sëmundje kronike për të shmangur largimin nga shtëpia ose në çdo rast tjetër të shmangin vendet e populluara ku nuk është e mundur të ruhet distanca e sigurisë ndërpersonale prej të paktën një metër.

Bashkitë, veprimtari rekreative

Kryetarët e bashkive, autoritetet lokale dhe shoqatat tregtare duhet të shpërndajnë  informacione mbi higjenën personale dhe të ofrojnë veprimtari individuale rekreative si alternativa për të zëvendësuar ato kolektive.
Në administratat publike dhe veçanërisht të ofrohet akses për higjenën e duarve

Smart working

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, punëdhënësit mund të zbatojnë smart working
për secilin punëtor, edhe pse në mungesë të marrëveshjeve individuale.

Rritja e shtretërve në spital

Kryeministri Conte tha se të gjithë autoritetet janë të përqendruar në miratimin e të gjitha masave të jashtëzakonshme për të përmirësuar situatën e krijuar dhe ndaluar perhapjen e epidemisë, pasi sado efikas dhe i shkëlqyer të jetë sistemi shëndetësorë, rrezikon të mbingarkohet. Plani i qeverisë Conte parashikon gjithashtu rritje me pesëdhjetë përqind të shtretërve në repartet spitalore të kujdesit intensiv te tilla si ato të pneumologjisë dhe reparteve të sëmundjeve infektive.

Ndihma për punëtorët dhe bizneset

Qeveria Conte ofron ndihmë për punëtorët dhe bizneset përmes injektimit në ekonomi të rreth 4 miliardë eurove. Të vetëdijshëm se masa për mbylljen e shkollave do shoqërohet me probleme sociale, Ministria e Ekonomisë ka garantuar mbështetje për punëtorët publik dhe individët privatë dhe është duke percaktuar një rregullore e cila parashikon mundësinë që njëri prej prindërve të mungojë nga puna për t'u kujdesur për fëmijët e mitur kurse Ministria e Familjes ka propozuar mbështetje financiare për kostot e babysitter dhe zgjatjen e lejes prindërore për punëtoret femra. Ministrja e Familjes, Elena Bonetti tha se i janë kërkuar BE fonde financiare për të mbështetur familjet në situatën e krijuar pas dekretimit të masave qeveritare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 06:50
“Koronavirusi është i kontrollueshëm”, ekspertja e sëmundjeve infektive të OBSH tregon se çfarë kufizoi virusin në Kinë

1583474401_25a8a14257ed48cbb86b3901c2e01dc9.jpg

“Koronavirusi është një virus i kontrollueshëm”, kështu e ka cilësuar , një epidemiologe e sëmundjeve infective të OBSH-së virusin vdekjeprurës.

Dr Maria Van Kerkhove, në një intervistë për CNN, theksoi se gjatë një experience dy javore në Kinë për të kuptuar se çfarë funksionoi në kufizimin e përhapjes së koronavirusit, përgjigja ishte se: "Veprimet themelore të shëndetit publik funksionuan".

Larja e duarve, distanca sociale, njerëzit që qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë, kërkimi i trajtimit kur është e nevojshme dhe gjurmimi i kontakteve të personave që janë testuar pozitivisht për virusin, janë të gjitha mënyrat për të kufizuar përhapjen e sëmundjes, tha Van Kerkhove.

"Këto mësime mund të zbatohen për të gjitha vendet. Ne po shohim që vendet të demonstrojnë se ata mund ta ngadalësojnë këtë virus", vijoi më tej Van Kerkhove.

Ora 06:46
Maska nuk duhet të mbajnë personat e shëndetshëm, por të infektuarit/ Ja arsyeja

1583473754_3764766e6f8a4c66bf12b03388619915.jpg

Këshillat nëse njerëzit duhet të mbajnë maska apo jo ​​ndryshojnë nga një vend në tjetrin në varësi të ashpërsisë së situatës dhe atë çfarë këshillojnë autoritetet lokale të shëndetit.

Për shembull, në Hong Kong, autoritetet e qytetit këshillojnë njerëzit të veshin maska ​​në vende të mbushura me njerëz, si p.sh: transporti publik. Por në SH.B.A., zyrtarët këshillojnë të kundërtën.

"Për dikë që është i shëndetshëm, nuk do t'ju mbrojë nga virusi," tha neokirurgu dhe shefi i korrespondentëve të CNN, Sanjay Gupta.

"Në të vërtetë mund të bëhet një rezervuar kur po merrni atë që po tentoni të hiqni. Në këtë mënyrë ju në fakt mund të ndotni veten. Ai bllokon grimcat virale dhe në fakt nuk bën atë që njerëzit mendojnë se do të bënte."

Sipas Guptas, maskat duhet të vendosen nga njerëzit që janë të sëmurë në të vërtetë. Neokirurgu dhe njëkohësisht korrespondenti i CNN shprehet se: “Kjo mund të ulë sasinë e pikave të frymëmarrjes që dalin nga goja ose hunda e tyre".

Punëtorët e kujdesit shëndetësor që janë duke u kujdesur për pacientë shumë të sëmurë, gjithashtu kanë nevojë për maska- një arsye tjetër kjo pse njerëzit nuk duhet të frikësohen dhe të blejnë maska, theksoi ai. Blerja e maskave pa arsye mund të ulë furnizimin për infermierët dhe mjekët në vijën e parë kundër virusit.

Ora 18:10
Koronavirusi/Itali, 148 viktima dhe 3,296 të infektuar! Kryeministri Giuseppe Conte: 7,5 miliardë euro për t'u përballur me emergjencën e epidemisë

Për t'u përballur me emergjencën e koronavirusit në frontin ekonomik, qeverisë italiane do ti duhet të injektojë 7.5 miliardë euro, njoftoi kryeministri Giuseppe Conte në një konferencë shtypi në 'Palazzo Chigi'. 7,5 miliardë - të cilat për arsye teknike-kontabël do të 'peshojnë' vetëm 6.35 miliardë në deficitin publik dhe përfaqësojnë një pjesë midis 0.2 dhe 0.3% të PBB-së italiane, sqaroi Ministri i Ekonomisë Roberto Gualtieri të cilat do të shpenzohen për të zbatuar "masat e jashtëzakonshme dhe urgjente" të përfshira në dekretin qeveritar.

Kryeministri Conte tha se "7,5 miliardë do të shpenzohen për forcimin e strukturave të kujdesit shëndetësor, mbështetjen e Mbrojtjes Civile dhe agjencive të zbatimit të ligjit, sigurimet shoqërore dhe në ndihmë për bizneset, "masa që do të na lejojnë të mbështesim të ardhurat dhe të ruajmë punësimin dhe të përmirësojmë sigurimet shoqërore, sepse askush nuk duhet të humbasë punën".

Dritë jeshile nga Brukseli

Nuk pritet vështirësi nga ana e Bashkimit Europian për këtë rritje të deficiteve dhe shpenzimeve.

"Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Brukselin dhe deri tani nuk kemi patur probleme në bisedime. Tani për tani është e pamundur të vlerësohet ndikimi negativ në ekonominë italiane të përhapjes së virusit", - sqaroi Ministri i Ekonomisë Roberto Gualtieri

Kryeministri Conte tha se "qeveria ka vendosur të marrë këtë iniciativë, në përgjigje të emergjencës pavarësisht se është një devijim nga objektivat programatikë të financave publike, sepse besojmë se duhet të ndërmarrim masa të jashtëzakonshme, urgjente në një kontekst të tillë urgjent. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë".

Mbyllja e shkollave

"Mbyllja e shkollave nuk ishte një zgjedhje e thjeshtë - sqaroi Kryeministri - u mor me përgjegjësi dhe vetëdije për vështirësitë që u shkakton familjeve dhe bizneseve dhe gjithashtu të sinjalit jo të mirë që mund të jepet jashtë vendit. Nuk ishte absolutisht një masë e lehtë".

Sipas raportimit të Mbrojtjes civile italiane dhe Komisionerit Angelo Borrelli, numri i të infektuarve nga koronavirusi është 3,296 , 414 janë të shëruar, kurse numri i viktimave ka shkuar në 148.

Ora 16:11
Koronavirusi, në muajin janar i infektuari i parë në Europë ishte 'i fshehur' në Gjermani, prej tij u përhap virusi në Itali 

 

Një letër e shkruar nga mjekët gjermanë dhe e botuar në 'New England Journal of Medicine' thotë se një burrë 33-vjeçar nga Mynihu, në Gjermani, mund të jetë europiani i parë që ka kontaktuar dhe transmetuar infeksionin e koronavirusit.

Sipas një harte gjenetike të publikuar në faqen e internetit 'Netxstrain', e cila rindërton një lloj peme gjenealogjike të virusit, i infektuari gjerman mund të ketë 'ushqyer' në heshtje zinxhirin e infeksioneve që u përhapën në Itali dhe në Europë.

'Pacienti 1' nga Monaco shfaqi simptomat e para në 24 janar, pasi takoi një koleg nga Shanghai, i cili më pas u testua pozitiv. Në katër ditët në vijim, shumë punonjës të kompanisë gjermane ku ai punonte gjithashtu u testuan pozitivë. 

Megjithëse selia e kompanisë paskësaj ishte mbyllur pasi u shfaqën rastet e para, studiuesit besojnë se shpërthimi i Mynihut mund të ketë qenë i lidhur me një pjesë të mirë të epidemisë në Europë, përfshirë Italinë.

"Është për tu theksuar - shkruajnë autorët e studimit- që infeksioni duket se është transmetuar gjatë periudhës së inkubacionit, kur simptomat ishin të buta dhe jo specifike".

Ora 15:28
CNN: Pse Kapiteni italian, njeriu i fundit që zbriti nga trageti ‘Diamond Princess’ nuk hoqi dorë kurrë?

 

Anija e tij mund të thuhet se ishte në ferr dhe u kthye teksa u bë një ‘burg lundrues’ i infektuar nga koronavirusi, me pasagjerë të karantinuar në portin e Yokohama, në Japoni.

Pas shumë ditësh, teksa pasagjerët lanë tragetin ‘Diamond Princess’, i fundit që zbriti shkallët dhe preku tokën ishte kapiteni italian i anijes, Gennaro Arma.

Ai mund t’i kishte zbritur pasagjerët gjatë gjithë udhëtimit në porte të ndryshëm dhe të vazhdonte i qetë rrugën për në shtëpi, por nuk e bëri.

Por ata që e njohin mirë kapitenin thonë se qetësia që ai tregoi gjatë emergjencës, kur  pas testeve të kryera më shumë se 700 njerëz në bordin e anijes dolën pozitiv, ishte tipike. Kjo është arsyeja pse, thonë ata, marinari ekspert italian tani është duke u përshëndetur si një hero brenda dhe jashtë vendit.

Karantina e zbatuar në bordin e ‘Diamond Princess’ është kritikuar gjerësisht nga ata që ishin në tokë.

Sidoqoftë, Gennaro Arma me sa duket vërtetoi se ishte një shkëmb i palodhshëm për pasagjerët dhe ekuipazhin e saj gjatë sprovës së tyre dhe u vlerësua gjerësisht për ndihmën e ngritjes së moralit të rreth 3700 pasagjerëve dhe për dhënien e një shembulli fisnik se si një kapiten duhet të përballet me fatkeqësi

"Gladiatorët e mi"

Mbështetja e Gennaro Arma për ekuipazhin e tij u tregua deri në fund, kur ai zbarkoi në 2 Mars, pasi mbikëqyri transferimin përfundimtar të të gjithë pasagjerëve në spitale apo në karantinë.

Ai i quajti ata "gladiatorët e mi"..

Gjatë karantinës, ai gjithashtu falënderoi të gjithë pasagjerët në bord për durimin dhe këmbënguljen e tyre.

Kapiteni u testua negativ për koronavirusin dhe aktualisht është në karantinë në Japoni.

Për kthimin e tij në Sant'Agnello, ku do të bashkohet me miqtë dhe familjen, qytetarët dhe autoritetet lokale ekanë organizuar festime.

Gruaja e tij thotë se qetësia dhe kontrolli prej kapiteni të përgatitur, e bëri më të lehtë kapërcimin e situatës për pasagjerët por edhe gjithashtu i dha familjes së tij një ndjenjë paqeje dhe sigurie.

"Ne bisedonim çdo ditë, si me telefon, ashtu edhe me video chat", thotë ajo. "Ai gjatë gjithë kohës ishte i qetë. Ai kurrë nuk e kishte probleme. Unë mund ta shihja atë në anije teksa punonte. Ne patëm mundësinë të flasim për gjithçka, madje edhe për familjen tonë, dhe jo vetëm për situatën në bord."

Punëdhënësi i Gennaro Arma tashmë ka shprehur mirënjohjen e tij për përpjekjet e kapitenit të saj.

"Gjatë përpjekjeve për t'iu përgjigjur emergjencës, Kapiteni Arma ishte një udhëheqës jashtëzakonisht i qetë, i aftë dhe frymëzues për të gjithë në bord," tha Jan Swartz, presidenti i ‘Diamond Princess’ në një deklaratë për CNN.

CNN shkruan që, “nëse Gennaro Arma e quan ekuipazhin e ti Gladiatorë, të gjithë besojnë se Kapiteni Arma është një diamant i vërtetë".

Ora 15:01
Mjekët, heronjtë e heshtur në Itali dhe koronavirusi si armë e të djathtës ekstreme në Europë

Shumica prej nesh nuk janë prekur kurrë nga një sëmundje e shpejtë dhe e pashërueshme. Ne nuk jemi aq të moshuar sa ta mbajmë mend Gripin Spanjoll. Jemi mësuar me idenë që gjithmonë ka vaksina ose ilaçe, që janë duke u testuar. Tani këshillohemi në tabela në vendet publike, në postën tonë elektronike që të lajmë duart, një masë paraprake që nuk është as e mjaftueshme, dhe as shumë siguruese.

”Murtaja nuk ka dimensione njerëzore, kështu që njerëzit i thonë vetes se ajo është joreale si sëmundje, se është një ëndërr e keqe, e cila herët a vonë do të përfundojë”- shkruan shkrimtari francez Albert Kamy në romanin e tij “Murtaja”.

Natyrisht ky pasazh, e përshkruan shumë situatën aktuale: Shumë njerëz, nuk mund ta përtypin dot idenë se diçka e padukshme, mund të ndryshojë planet e tyre. I botuar në vitin 1947, “Murtaja” shpesh interpretohet si një alegori, një libër që ka të bëjë realisht me pushtimin e Francës.

Por ai është gjithashtu një libër shumë i mirë mbi epidemitë, dhe mbi mënyrën sesi njerëzit reagojnë ndaj tyre. Një kategori e tërë e sjelljes njerëzore, të cilën ne e kemi harruar. Në roman, një pjesë e qytetit të futur në karantinë “vazhdoi normalisht aktivitetin, duke bërë plane për udhëtime, dhe duke dhënë mendime”.

Një nga personazhet e Kamysë është një prift, që e shfrytëzon Murtajën për të shtuar grigjën e tij të besimtarëve. Ai u thotë atyre, se epidemia është mënyra sesi Zoti ka zgjedhur të ndëshkojë ateistët.

Në Italinë e sotme, personi i parë që tentoi të manipulonte ankthin e krijuar nga koronavirusi ishte Mateo Salvini, lideri i ekstremit të djathtë në Itali. Ai bëri menjëherë thirrje që qeveria të mbyllte kufijtë e vendit, të ndalonte të gjitha veprimtaritë publike, dhe t’i mbante njerëzit mbyllur në shtëpi.

Pa dyshim që ai do të kishte vazhduar këtë linjë, po të mos kishin ndodhur disa ngjarje të tjera në terren.

Virusi u shfaq për herë të parë në Lombardi dhe Veneto, dy provinca italiane ku partia e tij, Lega e Veriut, është e fortë. Ai e kuptoi se një mbyllje e kufirit, do të shkaktonte një dëm të madh ekonomik atje. Ndaj kaloi në një argument tjetër, i bëri thirrje qeverisë të “mbrojë Italinë dhe italianët” nga refugjatët afrikanë. Por nuk ka asnjë provë që refugjatët afrikanë e bartin koronavirusin.

Marin Lë Pen, drejtuese e ekstremit të djathtë në Francë, i ka bërë gjithashtu thirrje qeverisë franceze të mbyllë kufirin me Italinë, edhe pse kjo masë është po aq e pakuptimtë, pasi rastet e para në Francë, duket se kanë ardhur kryesisht nga diku tjetër.

Në Londër niveli i histerisë ka qenë relativisht i ulët. Mediat janë marrë kryesisht me kryeministrin Boris Xhonson dhe të dashurën e tij shtatzënë, dhe kjo do të thotë se avionët do të vazhdojnë të fluturojnë. Ndoshta pasi të përqendrohen tek korovirusi, do ketë thirrje për të bllokuar të gjitha kontaktet me Italinë, dhe ndoshta qeveria britanike e varur nga tabloidet, do të dëgjojë apelin e tyre.

Por jo të gjithë do të sillen keq.

Historia e Kamysë ka edhe heronj, edhe pse ata nuk janë lloji i heronjve që gjenden në shumicën e romaneve të tjerë. Heronjtë në Itali janë mjekët, infermierët dhe vullnetarët që i ndihmojnë ata, pa iu dorëzuar histerisë apo dëshpërimit. ”Mund të tingëllojë një ide qesharake, por mënyra e vetme për ta luftuar Murtajën, është vendosmëria kundër saj”. Këta janë lloji i njerëzve, që janë heronjtë në epokën tonë. Shkencëtarët dhe studiuesit e shëndetit publik, që përpiluan menjëherë informacione për numrat dhe rastet; ekipet që nisën menjëherë punën për krijimin e vaksinës; infermierët dhe mjekët të cilët qëndrojnë brenda rajoneve të karantinës, siç kanë bërë shumë prej tyre në Itali, apo në Wuhan të Kinës.

Jo të gjitha gjykimet e tyre do të jenë të sakta, dhe jo gjithmonë ata do të bien dakord me njëri-tjetrin. Në Itali, ka pasur tashmë disa debate publike midis virologëve, që kanë vlerësime të ndryshme se sa serioze do të jetë situata e shkaktuar nga kjo sëmundje.

Por të paktën, ata kanë për zemër interesin e publikut. Ja kush është rregulli i duhur, që duhet zbatuar javët e ardhshme: Gjykojini politikanët nga ajo sesa dallojnë nga njerëzit që na thonë se dy plus dy bëjnë katër. Pra ajo që duhet tani është informacioni i saktë, dhe jo i politizuar. Dhe sa më shumë informacion, aq më mirë.

Faktet kanë shumë rëndësi.

Epidemitë, ashtu si katastrofat natyrore, kanë mënyrën e duhur të zbulimit të të vërtetave bazike të shoqërive që godasin.

Kinezët, e kanë paguar tashmë një çmim të lartë për fshehtësinë që e karakterizon sistemin e tyre, si dhe për kulturën burokratike nga lart-poshtë, që nxiti fshehjen fillestare të sëmundjes. Nga ana tjetër, një nga arsyet pse italianët nuk po janë aq shumë në panik, është se ata kanë besim në sistemin e shëndetit publik, dhe në fakt tek sistemi në kuptimin më të gjerë të fjalës, megjithë Salvinin dhe fushatat e tij të dezinformimit. Italia ka testuar tashmë mijëra njerëz për virusin, dhe kjo është një nga arsyet, pse shifra e të prekurve është më e lartë atje se diku tjetër.

Ndërkohë SHBA-ja nuk po bën asgjë të tillë dhe mesa duket sistemi shëndetësor atje nuk e ka kuptuar se si të ndërtojë ndjenjën e besimit tek qytetarët.

Edhe pse SHBA ka sistemin e kujdesit shëndetësor të teknologjisë më të lartë në botë, ndonëse ka kirurgët më të mirë dhe pajisjet më të mira, nuk ka krijuar ende një kulturë të shëndetit publik, që të krijojë besim.

Presidenti Trump, e ka quajtur tashmë koronavirusin një “mashtrim”. Në një fjalim të vetëm mbi koronavirusin, Trump deklaroi se ai “do të zhduket një ditë si me magji”. Megjithëse ky nuk është lloji më i keq i epidemisë së imagjinueshme, është mirë që po i mësojmë këto gjëra tani, pasi koronavirusi i ri mund të jetë vërdallë për një kohë të gjatë.

Pasi edhe kur këto lloje virusesh zhduken, ato jo domosdoshmërisht largohen përgjithmonë. Përkundrazi, mund të pësojnë mutacione, ata mund të strehohen në kafshë të tjera, dhe mund të rishfaqen. Kjo gjë ishte parashikuar edhe nga Kamyja.

Ai e dinte që “bacili i Murtajës nuk vdes kurrë, ose nuk zhduket për fare, se ai mund të qëndrojë i fjetur për vite e vite në mobilje, dhomat e gjumit, bodrume, rrobat tona dhe raftet e librave; dhe se ndoshta do të vinte dita kur do të rishfaqej sërish tek minjtë”.

Ne mund të jemi me fat këtë herë. Por duhet ta shfrytëzojmë rastin për t’u përgatitur, mendërisht, por edhe aspektin mjekësor, për epideminë që vjen më pas, dhe për atë tjetrën pas saj.

Ora 14:58
Koronavirusi/Nga romanet në ekranin e madh: Ky është ai që e kishte 'profetizuar' atë

Dikush e kishte parashikuar epideminë e koronavirusit. Jo një shkencëtar. Një shkrimtar: Amerikani Koontz, me një roman të botuar në vitin 1981.

Sigurisht, shumë studiues kanë paralajmëruar gjithmonë se herët a vonë një virus do vinte dhe do frikësonte botën.

Ka gjithashtu shumë filma që tregojë pëe viruse vrastarë si filmat "Virus vdekjeprurëse" i Wolfgang Peteren (1995), me Dustin Hoffman në rolin kryesor, apo dhe filmi "Infektimi" (2011), me regji të Steven Soderbergh, me Marion Cotillard dhe Matt Damon.

Por profecia e librit të Koontz është mbresëlënës sepse "Sytë e errësirës" së tij na çojnë drejtpërdrejt në Wuhan, në zemër të frikës tonë.

Në roman ai e quan virusin "Wuhan-400", ashtu si epiqendra e qytetit kinez të Covid-19, emri shkencor i koronavirusit.

Për këtë arsye, romani përmendet tani nga teoricienë të ndryshëm të konspiracionit si provë se koronavirusi është rezultat i një komploti, të orkestruar nga kush kundër kujt, varet nga teoricieni dhe teoria.

Ora 14:56
Koronavirusi/Iran, mjekët dhe infermieret kërcejnë për të mbajtur lart moralin kundër epidemisë (VIDEO)

Në mes të epidemisë nga koronavirusi, punonjësit e shëndetit në Iran po përpiqen ta mbajnë lart moralin e tyre (të tyren dhe atë të pacientëve) duke vallëzuar. Edhe infermieret po provojnë ‘talentin’ e tyre në sfidë, megjithëse është tabu për gratë që të kërcejnë në publik.

Sidoqoftë, falë uniformave mbrojtëse dhe maskave të fytyrës, në këto ditë të vështira ëndrra e tyre ka arritur të shndërrohet në realitet.

Deri tani Irani ka konfirmuar pothuajse 3 mijë raste të infektuar (vendi i katërt në botë pas Kinës, Koresë së Jugut dhe Italisë) dhe 92 vdekje nga COVID-19. Lideri Suprem, Ali Khamenei urdhëroi të martën ushtrinë të ndihmonte punonjësit e shëndetit duke bërë dezinfektime derë më derë.

Videoja e mjekëve që lëshojnë tension e punës duke kërcyer nuk është e para e këtij lloji. Javën e kaluar, studentë nga Universiteti i Teheranit u dërguan një mesazh autoriteteve iraniane në lidhje me nevojën për të marrë masa më efektive kundër përhapjes së epidemisë, si psh shpërndarjen për 50 cent të disqeve me këngë.

Epidemia po prek edhe ‘shkallët’ e sipërme të politikës iraniane dhe madje një këshilltar i liderit suprem ka humbur jetën.

Ora 12:44
Koronavirusi/Jo vetëm Italia. Të infektuar në Spanjë, Francë, Portugali, Greqi, Slloveni dhe Bosnje-Hercegovina

Nuk është vetëm Italia që po vuan nga emergjenca prej epidemisë nga koronavirusi. Shumë shtete të tjera europiane po numërojnë të infektuarit e parë kurse në vende të tjera numri i të prekurve nga infeksioni po rritet me ritme të shpejta.

Rastet me koronavirus në Gjermani kanë shkuar në 349. Kjo është ajo që Ministria e Shëndetësisë raporton në faqen e saj të internetit.

Të dhënat e azhurnuara këtë mëngjes tregojnë një rritje të dukshme në krahasim me dje, kur 262 pacientë iu nënshtruan testeve ishin pozitive: në pak orë u regjistruan 87 infeksione të reja.

North Rhine-Ëestphalia mbetet më e prekura, me 175 raste. Baden-Wuerttemberg vijon me 65 dhe Bavaria me 52, kurse në Berlin ka 9.

Mediat raportojnë se në Greqi numri i të infektuarve ka shkuar në 10. Kjo ka alarmuar vendin fqinj, i cili ka mbyllur shkollat, universitetet, teatrot, ambientet publike argëtuese në Patra dhe zonën e Achia, Ilia, si dhe ishullin Zakynthos, deri më 6 mars.

Bosnje dhe Hercegovina ka konfirmuar dy rastet e para me koronavirusin e ri kinez kurse Sllovenia ka regjistruar të infektuarin e parë.

Ora 11:05
Epidemia e koronavirusit, gjunjëzohet turizmi dhe linjat ajrore

Transferta dhe udhëtime pune të stopuara. Kështu, ndërmarrje të mëdha, institucione dhe shumëkombëshe po përpiqen t'i mbajnë punonjësit e tyre të shëndetshëm.

Edhe Banka Qendrore Europiane ka vendosur kufizime në udhëtimet e biznesit deri në 20 Prill, duke iu bashkuar  Goldman Sachs, Unicredit, Nestle, L'Oreal, Unilever dhe Google'e Europë, për një total prej mbi njëqind mijë të punësuar.

Ndërsa shumica e kompanive të fluturimit po raportojnë një rënie të prenotimeve deri 25%, kufizimet po kthehen në goditje vdekjeprurëse për kompanitë e udhëtimeve të gjunjëzuara tashmë nga epidemia.

Si përgjigje, linjat ajrore po kthejnë paratë e fluturimeve të anuluara teksa efekti zinxhir ka pështjelluar situatën në rrjetin e hoteleve.

Me 90% të fluturimeve të anuluara, në Itali nuk hyjnë në punë as muzeumet që me sforco po mbahen të hapura.

Nuk është rastësi që dekreti i qeverisë Conte në mbështetje të ekonomisë, parasheh masa në lidhje me turizmin në të gjithë Italinë si pezullimin e pagesave të taksave të mbajtura në burim për të lejuar agjencitë turistike të rimbursojnë anulimet e hoteleve dhe fluturimeve.

Ora 09:29
Koronavirusi, 11 viktima në SHBA, Kalifornia shpall gjendjen e jashtëzakonshme, mbi tre mijë të vdekur në Kinë

Aktualisht ka mbi 93,000 të infektuar në rang global kurse numri i të shëruarve është mbi 50 000. Zonat "e kuqe" vazhdojnë të jenë Irani, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina

Në Shtetet e Bashkuara, është rritur niveli i alarmit pas dy viktimave të fundit që ngritën numrin e vdekjeve nga koronaviruset në 11 kurse Shteti i Kalifornisë, Florida dhe Uashingtoni kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme si reagim ndaj epidemisë.

Ndërkohë, Shtëpia e SHBA ka miratuar një shumë prej 8 miliardë dollarësh për të përballuar avancimin e virusit, një masë që do t'i kalojë pëe aprovim Senatit javën e ardhshme.

Kina më shumë se 3,000 të vdekur

31 vdekjet e tjera nga koronavirus dje në Kinë e kanë rritur totalin në mbi 3,000 ndërsa numri total i të infektuarve është 80.409.

Koreja e Jugut regjistroi 438 raste të reja të koronavirusit, duke e rritur numrin në 5.766 kurse numri i viktimave ka shkuar ne 35.

Ora 09:04
Emergjenca e koronavirusit, Videomesazhi i Kryeministrit italian Giuseppe Conte drejtuar popullit (VIDEO)

Pas nënshkrimit të dekretit qeveritar i cili parashikon masa të tjera shtesë në përgjigje të emergjencës nga koronavirusi, Kryeministri italian Giuseppe Conte dje në mbrëmje, përmes një videomesazhi iu drejtua popullit italian.

Videomesazhi i Kryeministrit italian Giuseppe Conte

"Nuk është hera e parë që vendi ynë është përballur me emergjencë kombëtare. Por ne jemi një vend i fortë që nuk heq dorë dhe kjo është në ADN-në tonë.

Ne po përballemi me sfidën e koronavirusit, një sfidë që nuk ka ngjyrë politike dhe e cila duhet të bashkojë të gjithë kombin. Kjo është një sfidë që duhet të tejkalohet me angazhimin e të gjithëve: qytetarëve dhe institucioneve, shkencëtarëve, mjekëve, punonjësve shëndetësorë, mbrojtjes civile, zbatimit të ligjit. Italia  është thirrur të bëjë pjesën e saj në këtë situatë të rëndë globale. Ne jemi në të njëjtën varkë, kushdo që ka timonin ka edhe detyrën të tregojë rrugën, duhet të bëjmë një përpjekje shtesë, duhet ta bëjmë atë së bashku".

Këto fjali lexohen mes rreshtave të videomesazhit të Kryeministrit italian Giuseppe Conte drejtuar gjithë popullit për emeegjencën e koronavirusit, i cili çoi në vendimin për mbylljen e shkollav deri në 15 mars.

Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e BE, Conte tha se Europa duhet të mbështesë përpjekjet titanike të Italisë dhe kërkoi të aprovojë fleksibilitin buxhetor që do të nevojitet për të mbështetur familjet dhe bizneset.

Ai shpalli gjithashtu një plan të jashtëzakonshëm të punëve publike dhe nevojën e inejktimit në ekonomi të shumave të reja fimanciare.

" Ne- tha kryeministri italian do të dalim nga kjo emergjencë së bashku dhe do riafirmojmë plotësisht vlerat tona, duke shtuar se kur gjithçka të mbarojë italianët do jenë krenar për mënyrën sesi të gjithë u perballen me guxim dhe vendosmëri dhe e mbajtën kokën lartë."

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen