Përpos shërbimit spitalor dhe urgjencës kombëtare, nga ky moment, ka nisur funksionimi I qendrave shendetesore me shërbim 24 orësh në qarkun e Fierit, konkretisht qendrat shëndetësore Frakull, Mbrostar, Topojë, Levan, Derven si dhe qendra shëndetësore në Bashkinë Roskovec dhe Strumë, ku po shërbejnë 32 mjekë, 113 infermierë dhe 7 ndihmës epidemiologë.
Po ngrihet shërbim 24 orësh gjithashtu edhe në qendrat shëndetësore të qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës. Ndërkohë, Njësia e helikopterëve vijon të jetë në gatishmëri të plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme.
Më herët, të gjitha strukturat shëndetësore kanë aktivizuar planet e emergjencës, duke siguruar shtim të kapaciteteve në rast nevojë për të përballuar një rritje të ngjarjeve të tjera që kanë lidhje me situatën e krijuar; sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore për çdo fluks potencial emergjence; sigurimin e energjisë, ujit dhe ngrohjes së spitaleve. Nga ana tjetër, drejtoritë e shëndetit publik po monitorojnë situatën në kuadër të garantimit të masave për shëndetin publik.












