5 emigrantë shqiptarë janë dëbuar nga Italia për shkak të precedentëve penalë dhe mungesës së kushteve ligjore për qëndrim të rregullt. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane.
Një emigrant shqiptar 55-vjeçar, me precedentë të shumtë penalë, u ndalua gjatë një kontrolli në Brescia dhe iu komunikua refuzimi i lejes së qëndrimit, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore. Autoritetet italiane kanë urdhëruar dëbimin dhe riatdhesimin e tij.
Një tjetër shqiptar 26 vjeç, me precedentë penalë, u ndalua në qendër të qytetit duke mos pasur leje qëndrimi, duke u përfshirë gjithashtu në procedurat e dëbimit.
Një emigrant shqiptar 32-vjeçar u ndalua nga Policia Hekurudhore pasi tentoi të vidhte bagazhin e një udhëtari tjetër dhe u dëbua nga territori italian.
Mes rasteve të tjera përfshihet edhe një shqiptar 28-vjeçar i arrestuar në zonën e Lenos për trafik droge, si dhe një shqiptar 39-vjeçar që kishte përfunduar dënimin me burg dhe u dëbua menjëherë pas lirimit.
Autoritetet raportojnë edhe për një shqiptar 22-vjeçar me precedentë për vjedhje banesash, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe plagosje, i cili u deportua nga territori italian.
Autoritetet kanë hequr gjithsej 355 leje qëndrimi për emigrantë të shpallur non-grata në këtë zonë të Italisë. Të gjitha masat janë marrë me vendim të Shefit të Policisë së Brescias, Paolo Sartori, në kuadër të operacioneve të sigurisë dhe verifikimeve të statusit të qëndrimit, ndërsa për rastet në fjalë është zbatuar procedura e dëbimit dhe riatdhesimit drejt Shqipërisë.
Komente










