TIRANE- Që nga vitet 90’ kur shqiptarët emigruan për në vendet e perëndimit u detyruan që për çështje dokumentacioni të ndryshonin identitetin e tyre. Numrin më të madh të shqiptarëve që kanë ndërruar  identitetin  e përbëjnë emigrantët që jetojnë në shtetin grek. Në vendin fqinj shqiptarët, përbëjnë 67.2% të numrit të përgjitshëm të emigrantëve që jetojnë atje, ose rreth 600 mijë në total. Diskriminimi dhe problemi me çështjen e dokumentave ka sjellë që rreth 32 % e shqiptarëve të braktisin identitetin e tyre të lindjes për të marrë emër, madje edhe mbiemër tjetër, në jo pak raste.

Por referuar të dhënave të marra nga zyrat e gjendjes civile, ndërrimi i identiteteve nuk është një fenomen i ndërprerë. “ Duke qënë se prej vitesh prindërit kanë braktisur emrat që kanë pasur në vendin tonë, edhe për fëmijët e tyre vendosin emra të huazuar dhe që përshtaten në vendet në të cilët ata jëtojnë”, shprehet për Shqiptarja.com një prej punonjëseve të gjendjes civile nr.2 në kryeqytet. Sipas saj, problematika më e madhe nga ky fenomen paraqitet në rastet e ndarjeve të pasurisë apo çështjeve të tjera të pronësisë, ku mbiemrat e familjarëve nuk korespondojnë duke i përjashtuar kategorikisht nga çdo e drejtë pronësie këta shtetas.

“Edhe pse ne shpesh kërkojmë që me anë të hapësirave që ekzistojnë në ligj, ku me anë të një vendimi gjyqësor këta shtetas mund të rifitojnë identitetin e tyre të mëparshëm për shkak të jetës dhe dokumentacioneve që emigrantët kanë krijuar në vendet që jetojnë refuzojnë të ndërmarrin këtë hap”, pohon zyrtarja e gjendjes civile.

Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)