Qeveria e Hungarisë ka bërë të ditur sot një plan për ndërtimin e një muri katër metra të lartë në kufi me Serbinë për të ndalur fluksin e emigrantëve. Plani pritet të sjellë zemërimin e grupeve të të drejtat e njeriut dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Vendi i Evropës Qendrore me një popullsi 10 milionë është pjesë e zonës Shengen dhe është një destinacion tërheqës për dhjetëra e mijëra emigrantë të Lindjes së Mesme që hyjnë në Evropë nëpërmjet Ballkanit.

“Emigracioni është një nga problemet më serioze me të cilën po përballet Bashkimi Evropian sot”, tha ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto në një konferecë për shtyp në Budapest. “Vendet e BE-së po kërkojnë zgjidhje... por Hungaria nuk ka kohë për të humbur.”

Ministri tha se bëhet fjalë për nderimin e një muri 175 kilometra të gjatë dhe me një lartësi prej katër metrash. Szijjarto tha se ky plan nuk shkel asnjë marrëveshje ndërkombëtare.