Një burrë egjiptian, që pritej të deportohej nga Britania e Madhe drejt Egjiptit me fluturim tranzit në Tiranë, bëri një veprim ekstrem për t’i shpëtuar largimit: gëlltiti baterinë prej litiumi të një cigareje elektronike, para se të dërgohej në avionin charter.
Fillimisht, ai do të udhëtonte të enjten 12 shkurtit drejt Shqipërisë bashkë me persona të tjerë që po deportoheshin, e më pas do të vazhdonte drejt Egjiptit me një fluturim privat. Ai ishte mbajtur për disa ditë në izolim para fluturimit të planifikuar, por gjatë asaj kohe i ishte dhënë një vape. Ai gëlltiti baterinë me litium dhe u dërgua në spital, ku mori trajtim dhe më pas u rikthye në qendrën e ndalimit.
Një zëdhënës i Mitie, kompania kontraktore e Home Office që menaxhon deportimet jashtë vendit, deklaroi: “Ky incident është aktualisht nën hetim. Në këtë fazë nuk ka asnjë provë që sugjeron ndonjë shkelje apo keqbërje nga kolegët tanë. Prioriteti ynë mbetet siguria dhe mirëqenia e personave që janë në kujdesin tonë.”
Home Office merr me qira avionë privatë për të deportuar persona nga Mbretëria e Bashkuar, më së shpeshti drejt Shqipërisë, por edhe drejt destinacioneve të tjera europiane dhe më të largëta si Nigeria dhe Gana. Një avion privat ishte marrë me qira edhe për të dërguar grupin e parë të personave drejt Ruandës në qershor 2022, por ai nuk u ngrit kurrë nga pista për shkak të sfidave ligjore.
Në rastin e së enjtes, Home Office kishte marrë me qira një avion privat për një fluturim të rregullt deportimi drejt Shqipërisë. Në mënyrë të pazakontë, në rezervim ishte shtuar edhe një fluturim shtesë drejt Egjiptit për këtë person, i cili do të kishte avionin vetëm për vete nga Shqipëria në Egjipt, i shoqëruar nga roje dhe ekuipazhi i fluturimit.
Fluturimi nga Tirana drejt Egjiptit që operohet nga autoritetet britanike u anulua, ndërsa operacioni i deportimit drejt Shqipërisë u realizua sipas planit.
Mediat britanike thonë se teksa kostot e fluturimit të anulluar nga Tirana drejt Egjiptiti nuk dihen, përdorimi i avionëve charter për deportim nga Anglia u kushton taksapaguesve britanikë qindra mijëra paundë.
Përdorimi i fluturimeve private nga Home Office, ku një avion merret me qira për vetëm një person, është jashtëzakonisht i rrallë dhe zakonisht përdoret për individë problematikë, për të cilët autoritetet janë veçanërisht të vendosura për t’i larguar nga Mbretëria e Bashkuar.
Ngjarja vjen në një kohë kur autoritetet britanike raportojnë rritje me 32% të deportimeve të shtetasve të huaj të dënuar, me mbi 8.700 persona të larguar që nga ardhja në pushtet e qeverisë aktuale. Në të njëjtën kohë, mijëra emigrantë kanë përfituar nga skema e kthimit vullnetar, që ofron deri në 3 mijë paund për t’u rikthyer në vendin e origjinës.
Komente










