Një aksident i rëndë rrugor në Siçili të Italisë i ka marrë jetën një të riu shqiptar dhe ka lënë të plagosur gjashtë të tjerë. Përplasja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 1 marsit në autostradën Naro–Camastra, mes një automjeti dhe një kamioni që transportonte fruta-perime.
Viktimë mbeti 24-vjeçari shqiptar Flori Topalli, emigrant në Itali. Pas ngjarjes tragjike, familjarët e tij kanë bërë apel për ndihmë financiare për të mundësuar transportimin e trupit drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohet ceremonia mortore.
Të plagosurit janë gjithashtu shtetas shqiptarë. Në gjendje më të rëndë ndodhet shoferi 39-vjeçar i makinës ku udhëtonte viktima. Ai fillimisht u dërgua në spitalin “Barone Lombardo” në Canicattì, por më pas u transferua në spitalin Villa Sofia në Palermo për trajtim më të specializuar. Sipas mediave italiane, mjekët mbeten të rezervuar për gjendjen e tij shëndetësore.
Të plagosurit e tjerë po marrin trajtim në spitalet e Canicattì dhe Agrigento dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas raportimeve, pesë nga punëtorët shqiptarë të përfshirë në aksident jetonin në zonat e Canicattì dhe Naro. Ata ishin nga 24 deri në 39 vjeç dhe kishin mbërritur së fundmi në Itali, ku punonin në sektorin e bujqësisë sezonale.
Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e aksidentit fatal.
Komente










