Emigrimi i të rinjve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe, Bushati intervistë për BBC: Fenomeni lidhet me modelin ekonomik, të rritet standarti i jetesës

Emigrimi i të rinjve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe, Bushati intervistë për BBC: Fenomeni lidhet me modelin ekonomik, të rritet standarti i jetesës

Ditmir Bushati

Ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka dhënë një intervistë për median britanike ‘BBC’ sa i përket emigrimit masiv të të rinjve drejt Britanisë së Madhe.

Teksa tha se trendi i përgjithshëm ishte që njerëzit të lëviznin nga vendet më pak të zhvilluara drejt atyre më të zhvilluara ish ministri e konsideroi një humbje të madhe për vendin largimin e të rinjve.

“Ekziston gjithmonë një trend i përgjithshëm ku njerëzit lëvizin nga vendet më pak të zhvilluara drejt atyre më të zhvilluara. Pavarësisht nëse emigrimi është në rrugë të ligjshme ose jo, e vërteta është se vendi i origjinës humbet shumë. Pasi humbet fuqinë njerëzore. Nuk ka kthim të investimit mbrapsht. Dhe gjithashtu ka një dozë faji që shkon tek qytetarët e zakonshëm, të cilët ndonjëherë penalizohen nga lëvizja e lirë nga një vend në tjetrin, siç ndodh në këtë rast nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar”-tha Bushati.

Lidhur me çëshjten shumë të debatuar së fundmi, Bushati tha se fenomeni i largimit masiv të të rinjve lidhet me modelin ekonomike të vendit, duke theksuar se në Shqipëri duhej të rritej standarti i jetesës.

“Unë pajtohem tërësisht me konkluzionin e dokumentarit tuaj, se situata aktuale nuk ndihmon Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar që të adresojnë rrënjet e vërteta të këtij fenomeni. “Fituesit e vërtetë” në këtë rast janë trafikantët e qenieve njerëzore. Ndaj, unë mendoj se kemi nevojë të adresojmë problemin me themel dhe jo pasojat e tij. Rrënjet e këtij fenomeni kanë të bëjnë padiskutim edhe me modelin ekonomik, të cilin ne këtu në Shqipëri, duhet ta përmirësojmë. Ne duhet të rrisim standartin e jetesës. Ne si politikanë kemi përgjegjësi për të dhënë më shumë shpresë për shqiptarët që të besojnë në të ardhmen e vendit. Por nga ana tjetër, është e nevojshme të lehtësohet regjimi i vizave nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Kam pasur rastin të punoj me katër Sekretarë të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, me Ëilliam Hague, Jeremy Hunt, Boris Johnson dhe me Philip”-u shpreh ish ministri i Jashtëm.

I pyetur për ndikimin që korrupsioni sjell në dëshirën e të rinjve për t’u larguar nga vendit, Ditmir Bushati tha se në këtë fushë kishte gjithmonë vend për përmirësim, ndërsa theksoi se duhej të forcohej bashkëpunimi mes vendeve të prekura nga ky fenomen.

“Ka gjithmonë vend për të bërë më shumë kur vjen fjala te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka gjithmonë vend për përmirësim kur vjen fjala te mënyra sesi krijohet dhe shpërndahet pasuria. Por nga ana tjetër, shqiptarët ndjehen kulturalisht dhe psikologjikisht shumë të lidhur me Perëndimin. Gjithashtu, ata ndjehen të lodhur nga mospërmbushja e ëndrrës së tyre për t’u bërë pjesë e BE-së. E ndërsa po jetojmë në kohën e teknologjisë, njerëzit shohin bashkëmoshatarët e tyre, kushërinjtë e tyre dhe ndonjëherë zgjedhin këto rrugë të jashtëligjshme për t’u larguar. Siç dhe ju e përshkruani, ne po përballemi me këtë fenomen ku njerëzit nga Franca po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë raste rezultojnë të jenë shqiptarë. Ndaj, kemi nevojë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona dhe vendeve të tjera që gjithashtu janë të prekura nga ky fenomen”-shtoi Bushati.

Debati për emigrantët e paligjshëm shqiptarë është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatuara në Britaninë e Madhe, pas deklaratës së bërë nga Ministrja e Brendshme, Suella Braverman e cila teksa foli për shifrat e emigrantëve, e konsideroi situatën si një “pushtim” nga shqiptarët. Ajo shkoi më tej teksa shtoi se një pjesë e madhe e shqiptarëve që shkonin në Britaninë e Madhe punonin në ilegalitet dhe përfshiheshin çështje kriminale duke u rekrutuar nga bandat.

Kjo deklaratë e saj solli reagimin e kryeministrit Edi Rama i cili i konsideroi debatet për shqiptarët në Britani si “një britmë në çmendinë”. Nga ana tjetër në 12 nëntor qindra shqiptarë u organizuan në një protestë në Londër, duke kërkuar që Ministrja e Brendshme e Britanisë të kërkojë falje për deklaratën e saj.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja