Emigrimi në Britani, debati në Repolitix/ Shabani: Po bullizohen fëmijët shqiptarë, u thonë se kanë prindërit kriminelë! Mane: Të tentohet liberalizimi i vizave

A po e pushtojnë shqiptarët Britaninë? Kjo është pyetja që po shkakton debate të shumta ditëve të fundit. Në studion e emisionit ‘Repolitix’ nga Denis Minga, kryetari i ‘Nismës Thurje’ shprehet se pas qëndrimeve të zyrtarëve britanikë, fëmijët shqiptarë po bullizohen se kanë prindërit kriminelë. Për këtë bazohet tek bisedat me miqtë e tij që jetojnë prej vitesh në Britani.

Ndërsa gazetari Bledi Mane, i cili ka jetuar vite më parë në Britani shprehet se kostoja e jetesës atje është shumë e lartë. Ai tregon se emigrantët shqiptarë nuk e kanë aspak të lehtë pasi duhet të jetojnë disa persona në një dhomë për të përballuar çmimet e larta. Po ashtu, përmend fluksin e turistëve britanikë në Shqipërisë si dhe këngëtarët shqiptarë që ikin me vizë pune për të kënduar.

Për këtë, Mane thotë se qeveria nuk ka bërë përpjekje për të liberalizuar vizat me Britaninë. Sipas deputeti të PS, Lavdrim Krashi, Britania nuk po hap rrugë për këtë çështje. Ai thotë se emigrimin e shqiptarëve nuk mund ta ndalojë askush por të gjithë duhet të dinë se sa i rrezikshëm është kalimi i kanalit të La Manshit. Nga ana tjetër, i cilësuan të integruar pjesën më të madhe të shqiptarëve në Britani.

Sa i përket udhëtimit për të shkuar në Britani, atë me gomone, gazetari Poli Hoxha shprehet se reklamat në Tik Tok janë bërë virale që ftojnë shqiptarët për t’u nisur për një jetë më të mirë vetëm për 4 mijë euro. Ashtu sic kanë raportuar edhe mediat britanike, tregoi se misioni i bandave shqiptare është derisa të shkojnë në Francë, ku i presin kurdët që cilëson si mjeshtra të kalimit të Kanalit të La Manshit.

Debati për emigrimin e shqiptarëve në Britani erdhi pasi sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman e cilësoi si ‘pushtim’ nga shqiptarët që përshkrojnë me varka kanalin e La Manshit. Ajo shtoi se për këtë problematikë shumë të madhe duhet të gjendej një zgjidhje. Pikërisht për këto akuza, kryeministri Edi Rama iu përgjigj dje duke dhënë shifra e duke thënë se shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Ai kritikoi qëndrimin e Britanisë, sipas së cilit po përdor një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit. Për këtë ka patur edhe një deklaratë nga Berisha, qëndrimi kritik i së cilit është pasqyruar edhe në median britanike Daily Mail, të cilën Rama e ka cilësuar si turp.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Largimi drejt Britanisë, deputeti Krashi: Anglia s'hap rrugë për viza, pjesa më e madhe e emigrantëve janë integruar e na bëjnë krenar

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi në emisionin ‘Repolitix’ u shpreh se shqiptarët mund të kërkojnë një punë në mënyrë më dinjitoze në Britaninë e Madhe. Megjithatë problem tha Krashi është edhe fakti se Britania nuk hap rrugë për të bërë viza.

‘Ka rreth 2 mln vende pune bosh në Britani e Madhe. Por problemi është se Britania nuk hap rrugë për të bërë për viza. Të kërkojnë një vend pune në mënyrë dinjitoze. Nuk po them se pjesa më e madhe po ikën. Njoh shumë njerëz që janë kthyer në vendin e tyre, ka edhe histori suksesi. Ne s’mund t’i ndalojmë qytetarët të largohen nga Shqipëria, por duhet të themi se sa i rrezikshëm është kalimi i Kanalit të La Manshit. Pjesë më e madhe e shqiptarëve në Britani janë të integruar, taksapagues dhe neve na bëjnë shumë krenar.’- tha Krashi.

Ora 22:16
Debati për emigrantët në Britani/ Hoxha: Kur të tjerët të thonin Bled trafikanti, unë thoja rebeli! Mane: Jam regjur, kam qenë 3 herë në burg

 

Një debat ka pasur mes gazetarëve në studion e ‘Repolitix’ për emigrimin e shqiptarëve në Britani. Poli Hoxha tregoi historinë e kushëririt të tij duke thënë se ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria për një jetë më të mirë duke zgjedhur rrugën me gomone, ndonëse ka përfunduar arsimin e lartë. Ndërsa Bledi Mane i kundërpërgjigjet duke i thënë se atje nuk është jeta aq e lehtë.

Gjatë debatit, Hoxha kujtoi të shkuarën e Manes që merrej me trafikimin e shqiptarëve në Britani duke i thënë se aso kohe e quante rebel, jo trafikant. Edhe për këtë nuk i mungoi përgjigja nga Mane, i cili u shpreh se nuk i bëjnë përshtypje komentet.

Poli Hoxha: Shtëpitë e barit janë tragjedi. Nuk fitojnë. Duan të shkojnë të punojnë. Shumica duan të bëjnë punë të ndershme dhe e dinë se mund të krijojnë të ardhura të kënaqshme. Kjo Shqipëri nuk është e të gjithëve.

Bledi Mane: As Britania nuk është e të gjithëve. Nuk po flas për Korcën, po flas për Përmetin, Tiranën e Londrën ku kam jetuar.

Poli Hoxha: Kur të tjerët të thonin Bled trafikanti, unë thoja Bled rebeli.

Bledi Mane: Nuk e kam problem jam regjur, kam qenë 3 herë në burg. Pyete njëherë atë kushëririn tënd, pas 2 muajsh do tundë 200 paund, pyete cfarë jete bën. Ti nuk e di si është Britania. Unë e shoh gotën gjysmë plot.

Poli Hoxha: E kam thënë është tragjedi.

Bledi Mane: Jo mo jo, nuk është tragjedi.

Poli Hoxha: Ne duhet të analizojmë situatën ën Shqipëri. Është e turpshme që opozita del e flet me atë gjuhë.

Bledi Mane: Meta ka 3 fëmijë në Britani. Kjo tregon mirëqenie thellë thellë.

Poli Hoxha: Në ato shkolla i con korrupsioni.

Bledi Mane: Po ka qenë president ai. Merrte 3-4 milionë lekë në muaj.

Poli Hoxha: Këta janë bashkë, Meta, Rama dhe Berisha janë në lojë politike.

Ora 21:53
Gazetari Mane: Kosto e jetesës në Britani është e frikshme! Qeveria nuk tenton të liberalizojë vizat

 

Gazetari Bledi Mane u shpreh në ‘Repolitix’ se kosto e jetesës në Britani është e frikshme pasi çmimet janë të larta ndërsa emigrantët jetojnë rreth 3-4 persona në një shtëpi. Duke iu referuar rasteve të shumta të këngëtarëve që shkojnë për punë, Mane thotë se qeveria nuk tenton të bëjë liberalizim vizash pasi jo të gjithë shkojnë në Britani për punë ilegale.

“Presidenti Begaj i jep mend Britanisë të hapë konsullatë. Marrëdhëniet janë në pikun e tyre. 87% e aplikantëve shqiptarë në zyra e marrin vizën britanike. Tiranë-Londër, çdo ditë ka 5 fluturime ajrore, kemi fluks vajtje-ardhjesh. Sa para vjen nga Britania në Shqipëri, aq shkon dhe nga Shqipëria në Britani. Këtë vit kishim numrin më të madh të britanikëve në Shqipëri. Mos të shohim vetëm pamjet me gomone, realiteti është tjetër. Nuk ka vetëm gomone, deri dje kishte dhe maune. Shqiptari në vetvete do adrenalinë. Kosto e jetesës në Britani është e frikshme. Ti nëse aplikon për vizë, ke mundësi ta marrësh. Ke qindra këngëtarë tallavaje që marrin vizë pune. Qeveria nuk ka tentuar të bëjë liberalizim vizash. Ministria e Jashtme s’ka tentuar kurrë të bëjë këto bisedime me Britaninë apo SHBA”, tha Mane.

Ora 21:41
Emigrimi në Britani, Shabani: Po bullizohen fëmijët, u thonë se kanë prindërit kriminelë! Do fillojnë të kenë turp se janë shqiptarë

Debati për shqiptarët në Britani mbetet një nga çështjet më të diskutuara të ditëve të fundit. Kryetari i ‘Nismës Thurje’, Endri Shabani shprehet se pas deklaratave të sekretares së brendshme britanike, miqtë e tij në Britani i kanë treguar bullizmin që po përjetojnë fëmijët e tyre.

“Çfarë impakti ka kjo? Në mendjen e njerëzve është afatgjatë. Miqtë e mi në Britani thonë se fëmijët po bullizohen, i thonë që i kanë prindërit kriminelë. Fëmija që bullizohet do fillojë t’i vijë turp se është shqiptar. Mua më shqetëson shumë kjo. Ndërsa ne qajmë hallet këtu, mendoj se ka shumë të bëjë. Klasa politike 32-vjeçare ka më shumë të bëjë ndërsa Edi Rama ka 1/3 e përgjegjësisë se ka 10 vite në pushtet. Në burgjet britanike ka më pak se 1500 shqiptar. Më pak se 1% kryejnë vepra penale. Të tjerët janë njerëz që kontriubojnë në Britani, për fatkeqësinë e Shqipërisë”, tha Shabani në emisionin ‘Repolitix’ nga Denis Minga.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve