Lufta në Iran po riformëson ekuilibrat gjeopolitikë, me rezultate ndonjëherë befasuese. Lista e fituesve dhe humbësve nuk është aq e qartë sa duket. Rusia, për shembull, në pamje të parë duket në avantazh falë rritjes së çmimit të naftës.

Megjithatë, ajo pëson dëme në fronte të tjera: Ukraina e Zelenskyt ka shfrytëzuar rastin për të siguruar aleatë shumë të pasur në Gjirin arabo-persik, të cilëve u ka ofruar ekspertizën e saj në mbrojtjen kundër dronëve.

Për më tepër, Rusia, ashtu si Irani, është ndër viktimat e vendimit të bujshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u larguar nga OPEC+, karteli oligopolistik i vendeve prodhuese të naftës i zgjeruar edhe me Moskën. Kjo lëvizje prish në mënyrë thelbësore çdo mbetje kohezioni dhe bashkëpunimi midis prodhuesve të naftës.

Fakti që një “gjigant i vogël” si Abu Dabi rifiton lirinë e plotë të veprimit dhe zgjedhjet e tij për prodhimin, eksportin, si edhe ndërtimin e infrastrukturave të reja tokësore për të anashkaluar Hormuzin, do të ketë pasoja afatgjata në tregjet e energjisë.

Kjo duhet parë së bashku me një zhvillim tjetër të bujshëm: aleanca ushtarake mes Emirateve dhe Izraelit. Pakti i mbrojtjes bashkon “dy Spartat” e Lindjes së Mesme. Referimi ndaj qytetit të famshëm luftarak të Greqisë së lashtë nuk është rastësor. Benjamin Netanyahu e përmendi Spartën në një fjalim të tij në Knesset.

Shpesh, ekspertët e gjeopolitikës së Lindjes së Mesme e kanë përdorur metaforën e Spartës për të përshkruar Emiratet: një mikro-fuqi për nga shtrirja gjeografike dhe popullsia, por një aktor me peshë falë kapaciteteve financiare, që prej vitesh investon në armatime. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme, duke parë dëmet që raketat dhe dronët iranianë u kanë shkaktuar Emirateve.

Prandaj erdhi zgjedhja: Abu Dabi dhe Dubai jo vetëm që konfirmojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara, por tani forcojnë edhe atë (shumë më të guximshme) me Izraelin. Ky është një përmbyllje logjike, por jo krejt e parashikueshme, e Traktatit të Abrahamit, me të cilat Emiratet kishin normalizuar gjashtë vite më parë marrëdhëniet e tyre diplomatike me Tel Avivin.

Në këtë kontekst kuptohet më mirë se vendimi i Emirateve për t’u larguar nga OPEC nuk është një episod teknik i lidhur thjesht me tregun e naftës. Është një akt politik me përmasa historike, që sinjalizon lindjen e një rendi të ri në Lindjen e Mesme nën presionin e luftës me Iranin.

Në dukje bëhet fjalë për një zgjedhje ekonomike, e lidhur me dëshirën për t’u çliruar nga kufizimet e kuotave të prodhimit. Në realitet është shumë më tepër: është një deklaratë autonomie strategjike, një akt shkëputjeje nga e kaluara dhe një ripozicionim gjeopolitik që ripërcakton aleancat në rajon.

Për dekada të tëra, Lindja e Mesme u karakterizua nga një vijë e thjeshtë ndarjeje: në njërën anë bota arabe, në anën tjetër Izraeli. Sot, kjo vijë po shpërbëhet. Lufta me Iranin ka përshpejtuar një proces që kishte nisur prej vitesh, duke nxjerrë në pah një afrim të ri mes Izraelit dhe disa monarkive të Gjirit, në radhë të parë Emirateve.

Ky afrim tashmë është edhe ushtarak. Izraeli ka vendosur sistemin e tij të fuqishëm të mbrojtjes "Iron Dome" në territorin e Emirateve, me trupa në terren për ta menaxhuar: një hap cilësor që deri pak vite më parë do të ishte i paimagjinueshëm.

Emiratet kanë dalë nga kjo fazë e luftës me një përfundim të qartë: nuk mund të mbështeten te solidariteti arab si shtyllë e sigurisë së tyre. Kur Irani lëshoi mijëra dronë dhe raketa kundër territorit të tyre — më shumë se ndaj çdo objektivi tjetër — reagimi i vendeve të tjera të Gjirit ishte hezitues.

Kjo ka krijuar një çarje fillimisht psikologjike, përpara se të bëhej politike. Abu Dabi ka ndjerë një cenueshmëri ekzistenciale, një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj modelit të tij ekonomik të bazuar në stabilitet, hapje dhe globalizim.

Prej këtej vjen zgjedhja për të forcuar pa asnjë mëdyshje boshtin me Uashingtonin dhe me Izraelin. Është një aleancë e bazuar jo mbi afinitete ideologjike, por mbi një llogaritje të ftohtë: kush mund të garantojë mbrojtje reale në rast lufte.

Traktati i Abrahamit, i nënshkruar në vitin 2020 nën administratën e parë të Donald Trump, sot nuk duket më si një gjest i izoluar diplomatik, por si pararendës i një ndryshimi strukturor. Dalja nga OPEC futet pikërisht në këtë kuadër. Organizata e vendeve eksportuese të naftës kishte qenë për dekada një instrument i fuqisë kolektive të botës arabe. Sot, në sytë e Emirateve, ky model duket i vjetëruar. Kuotat e prodhimit kufizojnë aftësinë për të reaguar shpejt ndaj goditjeve si ajo e shkaktuar nga lufta.

Në një moment kur Ngushtica e Hormuzit është praktikisht e paralizuar dhe rrugët energjetike janë bërë të cenueshme, prioriteti është maksimizimi i fleksibilitetit, rritja e prodhimit dhe investimi në infrastrukturë alternative, si tubacionet që anashkalojnë pikat strategjike të bllokimit.

Ekziston edhe një dimension konkurrues. Emiratet prej kohësh e shohin me pak durim lidershipin saudit në Gjirin Persik dhe rolin dominues të Riadit brenda OPEC. Rivaliteti me Arabia Saudite zhvillohet në disa plane: ekonomik, gjeopolitik dhe teknologjik.

Sheiku Mohammed bin Zayed (presidenti i Emirateve) dhe princi saudit Mohammed bin Salman, dikur aleatë të ngushtë, janë shndërruar në konkurrentë në garën për t’i kthyer vendet e tyre në qendra globale për financë, turizëm dhe inovacion. Vendimi për të dalë nga OPEC është gjithashtu një mënyrë për t’iu shmangur disiplinës së imponuar nga Riadi dhe për të afirmuar një linjë të pavarur.

Pas kësaj qëndron një transformim i identitetit emiratas. I lindur si një federatë monarkish të vogla, vendi ka ndërtuar në pak dekada një fuqi ekonomike globale. Në vitet e fundit ka zhvilluar edhe një dimension ushtarak dhe strategjik gjithnjë e më pohues pikërisht si “Sparta”.

Pavarësisht përmasave të vogla, Emiratet projektojnë fuqi përtej kufijve të tyre: ndërhyrje në Jemen, rol në luftën civile në Libi, mbështetje për grushtin e shtetit në Egjipt në vitin 2013. Një politikë e jashtme ndërhyrëse që justifikohet me dëshirën për të kundërshtuar islamizmin politik, por që pasqyron edhe një ambicie më të gjerë për të ndikuar ekuilibrat rajonalë.

Lufta me Iranin e ka forcuar këtë prirje. Përballë një armiku që ka treguar aftësi për të goditur infrastruktura jetike — porte, aeroporte, impiante nafte — Emiratet kanë zgjedhur të reagojnë jo vetëm në mënyrë mbrojtëse, por edhe duke ripërcaktuar pozicionimin e tyre strategjik.

Ata kanë mbyllur institucione iraniane në territorin e tyre, kanë kufizuar lidhjet ekonomike me Teheranin dhe kanë shtyrë për një përgjigje më të ashpër ndërkombëtare, edhe në nivelin e Nazioni Unite. Edhe kjo përbën një kthesë të rëndësishme: Dubai kishte mbetur për një kohë të gjatë një port i lirë për transaksione financiare të ajatollahëve iranianë, shpesh duke shmangur ose anashkaluar sanksionet amerikane.

Ky rol i qendrës financiare emiratiane po mbyllet, dhe Teherani do të humbasë një nga kanalet e tij të fshehta për të anashkaluar embargon e SHBA-ve.

Në planin global, ky zhvillim ka pasoja të rëndësishme. Një rritje e prodhimit nga Emiratet mund të ndihmojë në uljen e çmimeve të naftës, siç është theksuar me miratim nga Uashingtoni. Sistemi energjetik ndërkombëtar po hyn në një fazë më të fragmentuar dhe konkurruese, ku prodhuesit e mëdhenj veprojnë gjithnjë e më shumë si aktorë individualë dhe jo si një kartel i koordinuar./CorrieredellaSera