Gjuha shqipe është kthyer sërish në ‘mollë sherri’ gjatë seancës së sotme në kuvendin e Maqedonisë së Veriut, mes deputetit të partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
Bexheti e ka akuzuar Mickoskin për standard të dyfishtë dhe se interpreton sipas dëshirës së tij mendimin e Komisionit të Venecias për ligjin e gjuhëve.
“Në këto dy vite qeverisje, njiheni si njeri me dy standarde, madje goxha të dyfishta. Sot, kur i njëjti e bën të qartë se standardet janë minimale dhe se shteti mund të ofrojë më shumë të drejta gjuhësore, a do ta respektoni edhe këtë pjesë apo Komisioni i Venecias vlen vetëm kur ju konvenon politikisht?”, tha Bexheti.
Mickoski akuzoi BDI-në po e keqinterpreton mendimin e Komisionit të Venecias duke thënë se nuk do të tolerojë që të luhet me ndjenjat e qytetarëve nga një parti që, sipas tij, për 20 vite në pushtet nuk bëri asgjë për shqiptarët.
“Njerëzit në shekullin XXI kanë ecur përpara, ndërsa ju tentoni me populizëm të imët të fitoni pikë politike. Ajo kohë ka mbaruar. Kjo është një Maqedoni e re, ku çdo qytetar kontribuon për të ardhmen në mënyrë të barabartë, jo sipas përkatësisë etnike, por mbi bazën e barazisë”, tha Mickoski.
Edhe zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviç e cilësoi si sukses faktin që institucionet po punojnë për të gjitha komunitetet dhe jo vetëm për shqiptarët.
“Është koha për një transformim serioz që do të kujdeset për të gjithë. Në të kaluarën është punuar vetëm për shqiptarët, ndërsa tani punohet për të gjitha komunitetet. Këto janë rezultate që mund të verifikohen nga përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në shtetin tonë”, tha Stoilkoviç.”
Debati për gjuhën shqipe është intensifikuar shumë javët e fundit nxitur nga protesta e 6 prillit e studentëve nga tre universitete shqiptare në Shkup që kërkojnë me ngulm që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ata argumentojnë se ligji nuk e ndalon këtë dhe gjatë protestës kërkuan respektim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të Kushtetutës. Sipas interpretimit të neneve 2 dhe 5 të këtij ligji, institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat shtetërore, çka, sipas ekspertëve, përfshin edhe provimet profesionale.
Pas protestës, ndërsa kryeministri Mickoski akuzonte partitë shqiptare se duan të destabilizojnë vendin, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë Samitit të Diasporës në Tiranë paralajmëroi se gjuha shqipe është në rrezik dhe u bëri thirrje shqiptarëve ta mbrojnë atë.
“Gjuha shqipe në Maqedoni është një rrezik i vërtetë që duhet t’i dalin zot të gjithë. Çdo koment që cenon arritjet është në dëm të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se e ardhmja e vendit lidhet me bashkëjetesën dhe bashkëqeverisjen me shqiptarët.
Çështja e gjuhës shqipe ka qenë historikisht një nga temat më të ndjeshme në vend. Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja e Ohrit solli ndryshime kushtetuese që garantuan përdorimin e gjuhëve të komuniteteve.
Më pas, ligji për gjuhët i miratuar në vitin 2018 dhe i zbatuar nga viti 2019, e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare në institucionet qendrore dhe në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë.
Komente











