Ishte shndërruar në makthin e automjeteve nga të cilat grabiste pasqyrat, bateritë dhe navigatorët, një ditë më parë u arrestua një 37-vjeçar. Në prangat e policisë së kryeqytetit ka rënë Ervin Tavanxhi, 37-vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe vjedhje. 

Një ditë pas arrestimit, zbardhen detaje të reja për 37-vjeçarin me origjinë nga Elbasani. Tavanxhi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai është djali i ish-deputetit Vangjel Tavanxhi. 37-vjeçari ishte pjesë e një grupi të rrezikshëm të trafikut të drogës të arrestuar në vitin 2006 gjatë operacionit “Poter-Al”.

Në fakt Tavanxhi do të arrestohej në Spanjë dhe në vitin 2014 do të ekstradohej për në Shqipëri, ku do të vuante dënimin. Tavanxhi u dënua asokohe me 10 vite burg, por pasi ka fituar lirinë, ai raportohet të ketë kryer disa vjedhje, madje është cilësuar edhe si ekspert në çmontimin e navigatorëve dhe pasqyrave. Ai akuzohet të jetë autori i vjedhjes së disa makinave në kryeqytet. I arrestuar dje në kryeqytet, i arrestuari ka grabitur në të paktën pesë raste pasqyrat e automjeteve, navigatorë, bateri e deri te aksesorët. Në momentin e arrestimit atij iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet si një kaçavidë, 1 grup me 7 çelsa, e sende të tjera, me të cilat arrinte të hapte dyert e automjeteve për të kryer grabitjen. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com