Mes mbi tre milionë faqe të dosjes së Jeffrey Epstein, emri i Vladimir Putin përmendet 1.056 herë. Moska 9.629 herë. Lidhja e supozuar mes financierit pedofil, i cili vdiq në burg në vitin 2019, dhe presidentit rus mbetet për t’u provuar, por hetuesit amerikanë pranojnë se një numër kaq i pazakontë përmendjesh, në një histori që në dukje nuk ka lidhje me Kremlini, duket i çuditshëm. Sipas shërbimeve sekrete, Epstein mund të ketë rënë në rrjetën e spiunazhit për shkak të lidhjeve të tij të biznesit me Robert Maxwell, ish-aset i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së Epstein, e dënuar me njëzet vjet burg.

Sipas Daily Mail, Epstein do të kishte menaxhuar “operacionin më të madh në botë të bazuar në kompromat seksual” për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të figurave me ndikim. Në një letër të datës 11 shtator 2011, një person i paidentifikuar diskuton për një takim me Putinin gjatë një udhëtimi të afërt në Moskë. Në një email të vitit 2014, sipërmarrësi japonez Joey Ito i zbulon Epstein se një miliarder amerikan, Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn, mund t’u bashkohej për të takuar kreun e Kremlinit. Por në një email tjetër, më 17 korrik 2014, kur forcat ruse kishin rrëzuar fluturimin MH17 të Malaysia Airlines mbi Ukrainë, duke shkaktuar vdekjen e 298 personave, Ito kishte shkruar: “Tani, pas katastrofës ajrore, është një ide e keqe”. Tre ditë më pas, japonezi e kishte paralajmëruar financierin: “Nuk arrita ta bind Reid-in të ndryshojë programin e tij për të takuar Putinin me ty”. Më 15 maj 2013, Epstein i kishte dërguar vetes një email me titullin “Përgatit letrat Putin”. Të nesërmen kishte bërë të njëjtën gjë. Për çfarë letrash bëhej fjalë, nuk është e qartë.

Megjithatë, Epstein luante në disa fronte dhe synonte të zgjeronte rrjetin e tij ndërkombëtar të njohjeve: mes viteve 2003 dhe 2004 ai dërgoi 75 mijë dollarë në llogari të lidhura me Lord Peter Mandelson, ish-ambasador britanik në Uashington, dhe në vitin 2016 i kishte kërkuar ish-kryeministrit laburist norvegjez Thorbjorn Jagland nëse e kishte parë Putinin: “Kam qenë i zënë gjithë ditën, i ishte përgjigjur ai, sapo përfundova takimin me presidentin Mahmoud Abbas. Putini në dhjetor. Detaje të mëtejshme me Sergei Lavrov (ministri i Jashtëm) nesër. Fatkeqësisht sonte jam i zënë”.

Epstein kishte pretenduar se mund t’i siguronte Kremlinit informacione komprometuese për Donald Trump, në prag të samitit të Helsinkit mes dy liderëve në vitin 2018. Përzierja me inteligjenca të huaja dhe mundësia e shantazhit nuk ishin situata të panjohura për Epstein. Për babanë e bashkëpunëtores së tij, Robert Maxëell, në një email të 15 marsit 2018, destinacioni i të cilit është fshirë, ai kishte zbuluar kërcënimet ndaj shërbimit sekret izraelit Mossad: “I tha Mossad-it se, nëse nuk do t’i jepnin 400 milionë paund për të shpëtuar perandorinë e tij, do të zbulonte atë që kishin bërë”.

“Në atë kohë, shkruante Epstein, ai kishte akses në Downing Street të Margaret Thatcher, në Shtëpinë e Bardhë me Ronald Reagan dhe në Kremlin. Maxwell ua kaloi të gjitha sekretet Mossad-it në Tel Aviv. Në këmbim, ata toleruan oreksin e tij të pangopur për një stil jete luksoz dhe për gratë”. Përshkrim që përputhet edhe me atë të vetë Epstein-it. Seks, spiunazh dhe shantazh. Një vit pas atij emaili, në korrik 2019, pasi ishte arrestuar dhe mbyllur në burgun e Nju Jorkut, avokatët e tij i thanë FBI-së se Epstein ishte i gatshëm të bashkëpunonte. Tre javë më vonë, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Zyrtarisht, vetëvrasje./La Repubblica