Ende asnjë gjurmë nga Ervis Martinaj, Balla: Policia e Shtetit e bën detyrën e saj 24 orë

Vijon të mbetet mister zhdukja e bosit të kazinove Ervis Martinaj. Ministri i Brendshëm deklaroi se po vijon puna për zbardhjen e ngjarjes. Nga qyteti i Korçës ku Balla shkoi për analizën e drejtorisë së policisë së këtij qyteti e quajti një krim të pazbardhur për të cilin ende vijojnë hetimet. 

Pyetje: Deri ku janë hetimet për sa i përket dosjes së Ervis Martinajt? Ju keni vënë, të paktën, disa afate për Policinë e Shtetit për të kthyer një përgjigje, por duket se këto afate ende nuk e kanë nxjerrë fatin e tij.

Ministri Balla: Unë i qëndroj bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, të gjitha angazhimeve publike që kemi marrë. Të jeni të sigurt që Policia e Shtetit e bën detyrën e saj, 24 orë, çdo ditë, edhe ndaj këtij angazhimi, për t’i shkuar deri në fund, jo vetëm kësaj çështjeje, por çdo çështjeje tjetër të pazbardhur. Pjesë e analizës sonë sot, me DVP Korçë, do të jenë edhe ngjarje të vjetra kriminale, në Korçë, të pazbuluara.

Ervis Martinaj vijon të jetë i zhdukur prej gushtit të 2022 dhe policia ende nuk ka dalë me një deklaratë mbi fatin e tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:25
Paketa e sigurisë në shkolla, Balla në Korçë: Çdo shqetësim apo shantazh do të trajtohet me shpejtësi nga policia

1708698717_taulantballa.PNG

Çdo shqetësim apo shantazh do të trajtohet me shpejtësi, falë kontakteve që janë vendosur me kompaninë TikTok, dhe kapaciteteve që Policia ka ngritur për trajtimin e dhunës online.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, bëri prezent këto masa, në vizitën në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” të qytetit të Korçës ku u informua gjithashtu rreth zbatimit të masave për Paketën e Sigurisë në shkolla.

“Duke folur rreth problematikave të ndryshme që hasen në shkolla, ai tha se “jo vetëm lufta kundër përdorimit të lëndëve narkotike, që unë besoj se Korça, për shkak të një traditë të shkëlqyer që ka, sa i përket sporteve, kulturës, artit, këta djem e vajza nuk kanë kohë të merren me këtë fenomen negativ të shoqërisë. Po ashtu, edhe kundër disa fenomeneve të tjera që janë bërë shqetësuese; bullizmi, është po ashtu një fenomen ndaj të cilit duhet të reagojmë të gjithë së bashku në solidaritet. Dhuna me bazë gjinore, ku shpeshherë vajzat ndihen të dhunuara nga moshatarët djem, ose nga ajo që ndodh në rrjetet sociale, që është po ashtu një problematikë, të cilën ne po mundohemi ta kurojmë. Kemi vendosur një kontakt me drejtuesit e kompanisë TikTok për të mundësuar që sa herë të marrim ankesa për shantazhim, për dhunë, nga ana juaj, falë përkujdesjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe të një Departamenti të posaçëm, që ai ka për krimet kibernetike, me disa djem e vajza të talentuar, ne të mund të zgjidhim e adresojmë çdo lloj problematike”- u shpreh ministri.

Balla theksoi se prefekti do të ketë një rol të rëndësishëm në koordinimin e drejtorëve të shkollave me drejtorinë e policisë në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla.

“Kemi miratuar në qeveri gjatë kësaj jave “Këshillin Vendor të Sigurisë Publike” në kuadër të ligjit për prefektin, ku prefekti do të marrë një peshë edhe më të madhe jo vetëm në drejtim ndërinstitucional të gjitha punët që duhen në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, por për të koordinuar edhe me drejtorët e shkollave dhe drejtorin e policisë, të gjitha punët që duhen për të garantuar shkolla të sigurta. Problemi ynë nuk është shkolla në fakt, është përtej oborrit, rruga ku fëmijët vijnë në shkollë, siguria rrugore, por janë edhe lagjet, komunitetet aty ku fëmijët kalojnë një pjesë të madhe të kohës jashtë shkollës, ku na duhet të garantojmë sa më shumë siguri publike dhe luftë kundër fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike,” u shpreh Balla, në takimin ku morën pjesë Prefekti i qarkut, Kryetari i Bashkisë Korçë, drejtues të Policisë dhe shkollës.

Ora 12:25
Dhuna në familje, Balla: Policia protokoll të ri, gratë e vajzat të denoncojnë

 

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ishte në Korçë ku është pyetur për ngjarjen e rëndë ku 19-vjeçarja në Durrës dyshohet se ka vrarë babanë, si edhe për rastet e dhunës në familje.

Balla tha se Policia ka një protokoll tërësisht të ri për dhunën në familje dhe reagimin, ndërsa u bën thirrje grave apo vajzave të dhunuara që të denoncojnë çdo rast dhune.

“Viti 2023 ka qenë një vit me ngjarje të rënda të krimit brenda familjes dhe po ashtu një numër i rritur i dhunës në familje kjo dhe për shkakun se policia është munduar të identifikoj të gjitha rastet që kemi pasur sinjalizime. Dua të komunikoj me ju faktin se tashmë kemi një protokoll tërësisht tjetër nga Policia e Shtetit lidhur me konstatimin më të parë të një shqetësimi apo të një ankese, përsa i përket dhunës në familje, kryesisht bëhet fjalë për dhunë me bazë gjinore, dhunë seksuale. Unë nxis çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë të këtij vendi që të denoncoj rastet e dhunës dhe dua ta garantoj që jo vetëm Policia e Shtetit përsa i përket pjesës që i takon, por edhe institucionet e tjera ju e keni parë dje ne kemi filluar dje një qasje të re sa i përket pronave të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi dhe korrupsioni do mundohemi që një pjesë të këtyre pronave t’i vendosim në shërbim të organizatave jo qeveritare, të cilat të kthehen në strehëza apo në shtëpi për vajzat, gratë e dhunuara.

Kjo betejë nuk është një betejë që mund ta fitoj vetëm Policia e Shtetit. Policia e Shtetit  është aty për të  bërë ndërhyrjen e parë dhe natyrshëm për të vendosur para ligjit dhunuesin, por kjo është diçka që unë mendoj duhet t’i bëjmë një apel gjithë shoqërisë tonë. Lufta kundër dhunës  seksuale, dhunës me bazë gjinore nuk është diçka që zhvillohet dy javë kur mblidhen gjithë shoqatat e këtij vendi për të sensibilizuar. Unë mendoj që kjo duhet bërë çdo ditë dhe ju mediat keni një meritë të veçantë sikurse keni dhe një përgjegjësi të madhe për të sensibilizuar dhe për ta bërë shoqërinë sa më të bashkuar kundër këtij fenomeni të papranueshëm”, tha Balla.

S.G/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu