Partia Socialiste ka reflektuar me vonesë për protestat dhe mund ta kishte menaxhuar më mirë situatën gjatë katër muajve të fundit. Kështu mendon analisti Alban Daci, i cili gjatë një interviste në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, jo vetëm që kritikoi mënyrën si mazhoranca është përballur me protestuesit, por njëkohësisht e cilësoi dialogun si të vetmen rrugëzgjidhje
“PS nuk duhej të kishte pritur që të vinte ky moment. Reflektimi i PS është shumë i vonuar. PS duhej të kishte vendosur përfaqësues që të artikulonin mirë linjën e PS. Në katër muajt e protestës kemi parë persona që, në optikën e servilizmit, denigronin protestuesit duke i quajtur sorra. Pra, PS nuk ka ditur ta menaxhojë”, tha Daci.
Sipas tij, edhe mënyra si Partia Socialiste ka zgjedhur të komunikojë politikisht nuk ka ndihmuar në krijimin e një ure me protestuesit, madje sipas tij platformat 'Pasqyra”, “Prania Besnike” dhe “Besëlidhja”, "janë zbatuar brenda anëtarësisë dhe militantëve socialistë, por nuk janë negociuar me protestuesit"
Daci e sheh ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog si një mundësi që protestuesit të fitojnë peshë në diskutimin politik.
“Nuk shoh asnjë zgjidhje tjetër përveç dialogut. Ai faktorizon palën në konflikt, studentët apo protestuesit. Protestuesit, nëse duan të faktorizohen apo që kërkesat e tyre të kthehen në një forcë politike, duhet t’i japin formë organizimit të tyre, të mos kenë fobi e ta quajnë parti politike. Fakti që ne kemi pasur parti politike që ndoshta s’kanë pasur demokraci të brendshme, s’do të thotë që një parti e re do të jetë njëlloj me të tjerat”, u shpreh ai.
Lajmi kryesor:
'Personat e dhunshëm janë paguar' Evis Kushi për protestat: Ka financim nga krimi i organizuar dhe ndërhyrje të huaja! Dialogu është rruga drejt zgjidhjes






