Pas vizitës në Kosovë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani dhe Naim Qelaj, zhvilluan një takim zyrtar në Shkup me Avokatin e Popullit të Maqedonisë së Veriut, Faton Selami.
Në takim u diskutua për protestat e fundit të studentëve shqiptarë dhe për garantimin e përdorimit të gjuhës shqipe në arsimin e lartë.
Në cilësinë e Avokatit të Popullit dhe Presidentit të Organizatës së Avokatëve të Mesdheut, Shabani apeloi që kërkesat e studentëve të mos trajtohen si një problematikë rutinë administrative. Ai e vendosi çështjen në kontekstin e saj historik dhe ligjor, si një shtyllë thelbësore të shtetit të së drejtës.
“Marrëveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një instrument për të ndalur një konflikt, por një kontratë e re sociale për të ndërtuar një shtet të përbashkët e pluralist. Njohja e gjuhës është respektim i ekzistencës dhe i së drejtës për t’u përfaqësuar në hapësirën publike. Procedurat administrative dhe vullnetet politike të momentit nuk mund të mbivendosen mbi të drejtat e fituara dhe të ushtruara prej vitesh. Garantimi i kësaj të drejte është test për stabilitetin rajonal dhe kusht themelor për integrimin europian të shoqërive tona”, tha Shabani.
Selami informoi se institucioni që ai drejton ka nisur një hetim me iniciativën e tij dhe e ka ngritur problemin e ligjit të gjuhëve pranë instancave më të larta shtetërore. Ai u shpreh optimist për një zgjidhje të shpejtë e pozitive, e cila do t'u mundësojë studentëve shqiptarë dhënien e provimeve të profesionit në gjuhën amtare.
Gjithashtu, Selami informoi se po përgatitet një raport i veçantë mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike.
Në përfundim të takimit, të tre krerët e institucioneve u angazhuan për një koordinim të ngushtë në monitorimin dhe mbrojtjen e lirive të njeriut në rajon, si pjesë e pandashme e vlerave europiane.
Komente










