Do të vijojë edhe me intervistat në studio me personazhet, artistët e specialistët nga fusha të ndryshme të jetës. Dhe, siç ka bërë përherë, pas gjithë këtyre dialogëve me lidhje të drejtpërdrejtë në studio, Eneida Xhelili do të gjendet “kokë më kokë” me personazhin e famshëm të kuzhinës, zonja Teftën, për të gatuar së bashku. Së bashku: jo vetëm ajo, por edhe amvisat që e ndjekin në dritaren e emisionit “Rreze dielli”.
Duke depërtuar diçka edhe nga veshja e saj e hijshme për syrin, drejtuesja e emisionit duket se ka një synim që gjithçka që shfaqet në ekranin e A1 Report të ndikojë në kulturën e përditshme të çdo shqiptari e ngrohtë dhe ledhatuese, vërtetë si rreze dielli.
Këtë sezon emisioni “Rreze dielli” do të nis me një përgjegjësi më tepër. Audienca e tij është zgjeruar tashmë. Dialogu i përhershëm me shikuesit dhe sidomos amvisat nëpër shtëpitë e tyre nga veriu në jug të vendit e ka rritur shkallën e përgjegjësisë së drejtuesve dhe redaktorëve të këtij emisioni. Përsëritjet sjellin mërzi. Sezoni i ri i emisionit “Rreze dielli” do të ketë plot risi e surpriza, për të cilat Eneida na shton kërshërinë duke na zbuluar vetëm një pjesë të tyre. Çfarë fshihet pas këtyre risive, cili është qëllimi dhe dobia që i sjell audiencës tashmë të zgjeruar. Ja çfarë rrëfen për gazetën “Shqiptarja.com” drejtuesja e njohur e emisionit “Rreze dielli” Eneida Xhelili.
Eneida, tashmë që është provuar dhe shtrirja e kufijve të audiencës nga jugu në veri të Shqipërisë, sipas asaj që kanë dëshmuar vetë shikuesit, çfarë risish do të ofroni me nisjen e sezonit të ri të emisionit “Rreze Dielli” në A1 Report?
Këtë vit emisioni “Rreze Dielli” vjen tërësisht ndryshe, që nga struktura, nga orari dhe dinamika dhe sigurisht dhe nga trajtimi i hapësirave në lidhje me çështje më të rëndësishme. Do të fillojmë nga ora 7.30 dhe do të jemi deri në orën 11.00 në transmetim të drejtpërdrejtë. Sigurisht njëorëshi i parë në 7.30-8.30 do të ketë një karakter më informativ, do të sjellim jehonën e lajmit të ditës dhe çështje më të rëndësishme dhe çfarë pritshmërie kanë. Do ketë edhe agjendë për ngjarje të ditës dhe ngjarje politike të institucioneve më të rëndësishme dhe sigurisht ajo që është më pikante do të trajtohet në studio dhe do të jepet në një emision më të veçantë. Nuk do të mungojnë edhe informacionet e shkurtra dhe fillesat mëngjesore për të nisur ditën duke pirë një kafe çlirët me një parashikim moti e një ngjarje kulturore apo spektakolare të secilës datë, sepse njerëzit këto i duan dhe vetë.
Mendoj se jo vetëm unë, por edhe koleget e mia do t’ju pyesnin a do të lexohet sërish faqja e fundit e kulturës?
Sigurisht kjo ka qenë një nga gjerat më të veçanta dhe të pëlqyera nga shikuesit. Do të vazhdojmë ta hapim gazetën nga faqja e fundit e kulturës, pasi nga fillimi e hap kolegu ynë Artur Nura në orën 6.30 dhe na kalon ne linjën në orën 7.30. Tani jemi në të njëjtën studio, në një shtëpi me strukturën që ka ndryshuar. Kjo do ta bëjë emisionin më dinamik dhe më gjithëpërfshirës për sa i përket kërkesës së audiencës.
Si do të vijojë linja e kuzhinës “Të gatuajmë së bashku me zonjën Tefta?
Për sa i përket recetave do të ketë më shumë, por edhe më shumë personazhe që do të jenë prezentë duke filluar që nga amvisat e thjeshta deri tek super-shakatë e kuzhinës që nuk kanë munguar në televizionin tonë. Nuk do të zbulojmë me tepër, sepse në kuzhinë ne kemi menduar të bëjmë surpriza dhe do të ketë të papritura që duam t’i bëjmë me dije në momentin e duhur.
Si e keni ndjerë veten gjatë sezonit që kaloi, çfarë kënaqësish keni marrë nga puna juaj?
Vetë rrezja e diellit është e pakundërshtueshme. Dita nis me të dhe kjo duhet të ndodh edhe me emisionin që të shpërndajë kudo një rreze ngrohtësie, të bashkohet me ritmin e të gjithëve dhe të depërtojë ashtu si rrezja e diellit kudo. Tashmë në këtë edicion edhe vrapi i mëngjesit për stafin do të nis shumë më herët se vitet e kaluara. Të kesh një profesion dhe ta ushqesh atë e zvogëlon shqetësimin e të shkuarit kaq herët në punë. Kjo është një punë e përditshme. Bashkë me stafin kafen e mëngjesit e përgatisim aty duke e pirë bashkë, e me të në dorë dikush fokuson kamerat, dikush rregullon elementët e tjera ku ndërthuren të gjitha në një ritëm shumë të shpejtuar, me letrat, gazetat skaletat, pyetjet dhe së bashku ne ndihmojnë njëri-tjetrin derisa emisioni merr rrugën e vet.
Nëse do ta merrnin në përgjithësi të gjithë emisionin ku ka lajme, spektakël, intervista, gatime në kuzhinë, ku ka edhe këshilla për një jetë të shëndetshme nga specialistët për kulturën e ushqimit, çfarë mendon se sjell kjo në ambientin shqiptar?
Në radhë të parë kjo ndikon në ndryshimin këndvështrimit të çdo qytetari shqiptar për veten e tij dhe të jesh një qytetar nuk është lehtë. Qytetaria nis që me kujdesin me veten tënde, nëse ne pretendojmë të bëjmë qytetarin në çështje të mëdha që na shqetësojnë të gjithëve si shqiptarë, kjo nuk mund të ndodh pa e filluar nga gjërat e vogla dhe tek vetja jonë. Gjithçka që nis dhe ka lidhje me veten tënde ka lidhje me rritjen e nivelit të qytetarisë që të jemi më paqësor me njëri-tjetrin që të mos kemi aq shumë divergjenca sa ç’kemi ne shqiptarët në çështje që botës mund ti duken shumë ordinere të zakonshme, por që ne i kthejmë në përmasa të tjera. Dhe më pas le të fillojmë me gjërat e mëdha.
Si gazetare dhe si drejtuese e emisionit si e vlerëson ti ftesën e gazetarit me lajmin ditës në studio. Çfarë pret prej tij?
Një shkëmbim mendimesh mes kolegësh. Mendoj se kjo është një vlerë plus për ata që na dëgjojnë. Do të jetë edhe rasti që shikuesit të njihen më gazetarin që i informon përditë me lajmet në “Shqiptarja.com”.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com",versioni print
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)