Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka publikuar treguesit ekonomiko-financiarë dhe operacional të 6-mujorit të parë të vitit 2018. Prodhimi i kaskadës së Drinit ishte rreth 53% më shumë se mesatarja e 15 viteve të fundit. Gjatë kësaj periudhe u regjistruan vlerat më të larta historike të prodhimit ditor 29.1 milionë kilovatorë.
Fitimi neto operacional për periudhën janar-qershor 2018 rezulton të jetë 6.199.243.000 lekë. Përmirësimi i situatës ekonomike të KESH sh.a gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 ka sjellë uljen e detyrimeve ndaj të tretëve. Janë shlyer 100% detyrimet prej 700 milionë lekësh ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për tarifën koncesionare për energjinë e prodhuar në vitet 2012-2016. Është shlyer edhe detyrimi ndaj PPE&PVE me vlerë rreth 500 milionë lekë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë Nr.239, për shfuqizimin e Vendimeve të ERE nr.143/144, datë 26.12.2014.
Gjithashtu është likuiduar dëmshpërblimi i mbetur ndaj banorëve të Qarkut të Shkodrës të prekur nga përmbytjet e vitit 2010, në zbatim të VKM nr.295, datë 05.04.2017 në vlerën rreth 40 milionë lekë për 6-mujorin e parë 2018 duke shlyer në total 290 nga rreth 330 milionë lekë që ishte vlera e mbetur e detyrimit.