/ATSH/- Reformat e thella strukturore që përfshijnë ligjin e ri për energjinë, që pritet të shkojë së shpejti në Kuvend përfshijnë dhe forcimin e kulturës në zbatimin e ligjit ndaj mospagesave dhe vjedhjes së energjisë elektrike.
Reforma përfshin rishikimin e modelit të tregut të energjisë elektrike, që u jep zgjidhje problemeve të investitorëve privatë të energjisë, zgjidh cështjen e akumuluar të mospagesave të energjisë së blerë, duke gjetur një skemë të qëndrueshme, afatgjatë, për të gjithë kontratat.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë me financimin e 150 milionë usd të Bankës Botërore, me një program të ri donatorësh dhe institucione të tjera ndërkombëtare, synon që deri në vitin 2020, të investohet në sektorin energjetik mbi 420 milion usd.
Mosplanifikimi dhe mosreflektimi në tarifa ka krijuar hendek financiar me dëme të mëdha ekonomike në gjithë sektorin energjetik.
MEI në buxhetin 2015 parashikon ulje të shpenzimeve operative pas mbylljes së konfliktit me kompaninë CEZ, ndryshe nga më pare, kur cdo vit në Buxhet parashikoheshin mbi 12 milionë euro për zgjidhjen e konfliktit në arbitrazh, pa përfshirë ekspertizat e tjera për vlerësimet.
Sektori elektroenergjetik me akumulimin më të madh të borxheve mbi 1.1 miliard euro ka filluar kthesën dhe në vitin 2015 pritet të ulet ndjeshëm hendeku financiar nisur nga rezultatet që po jep rritja e pagesave për energjinë e konsumuar, proces që do vijojë pa ndërprerje