Situata financiare e kompanive shtetërore elektroenergjetike ka patur vazhdimisht probleme pas vitit 1990, duke filluar nga një mospagim masiv faturash të konsumit nga një pjesë e madhe e konsumatorëve, tek burimet e kufizuara hidrike gjatë një periudhe mjaft të gjatë thatësire e deri tek investimet e detyruara për mirëmbajtje të dogave dhe rrjetit, ndërkohë që burimet financiare ishin gjithnjë të pamjaftueshme.

Fajtorë për këtë kanë qenë qeveritë e njëpasnjëshme, të cilat kanë toleruar qasjen antiligjore të qytetarëve dhe bizneseve, korrupsionin e zyrtarëve të subjekteve në fjalë. Ndërkohë që qeveria Berisha mendoi se, me kalimin e pronësisë në duar të huaja situata do të merrte për mirë, vetë ajo pengoi marrjen e detyrimeve me forcë nga qytetarët në zona, ku tradicionalisht nuk ishin paguar faturat e konsumit. Jo vetëm kjo që nuk rezultoi me sukses, por me kalimin e viteve kompanitë u lejuan që të mos paguanin edhe detyrimet ndaj njera-tjetrës, por edhe ato ndaj HEC-eve dhe subjekteve të reja që u lejuan të hyjnë në treg.

Qeveria Rama erdhi në pushtet me premtimin se do të rregullonte një herë e mirë difektet e paraardhëses, duke nisur nga borxhet e prapambetura. Për këtë qëllim, shpejt u mor një masë nënligjore, me anë të së cilës pronari-shtet zeronte një pjesë të detyrimeve të ndërsjellta.

Por pas kësaj mbeti problem i detyrimeve ndaj privatëve, si dhe vazhdimi i marrëdhënieve mes vetë kompanive shtetërore. Borxhet nuk u zeruan kurrë, por nuk u zbatuan mirë as masat e marra nga qeveria për të shëndoshur situatën. Vendimet e marra deri tani i kanë shërbyer tejkalimit të situatës emergjente të vështirësive financiare të sektorit energjetik, por nga ana tjetër, ato janë të pamjaftueshme për të konsoliduar qëndrueshmërinë financiare të shoqërive publike të sektorit energjetik, për një periudhë afat-gjatë.

Mosrespektimi i marrëveshjeve dhe procedurave ligjore, mungesa e investimeve nga ana e kompanive, solli rritjen e nivelit të humbjeve në rrjet, rritjen e kostove të shërbimeve, të cilat së bashku me problemet e mëparshme qe shoqëritë kishin, rezultuan në uljen drastike të arkëtimeve duke i bërë joefektive ato.
Jo vetëm kaq. Miratimi i një ligji – 48/2014 – ndërkohë që vendos një rregull të rreptë për ekzekutimin e faturave të debitorëve, përjashton shprehimisht nga ky detyrim kompanitë shtetërore energjetike. Citojmë:
“Neni 17
Nuk mund të kërkohet zbatimi i parashikimeve të këtij ligji në rastet e ekzekutimit të detyrimeve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nga ana e autoriteteve publike dhe të lindura para hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Ky nen e bën të pamundur që përmbaruesit të zbatojnë vendimet e gjykatave për një mori shumë të madhe detyrimesh ndaj njeri-tjetrit dhe ndaj të tretëve për subjektet KESH, OST dhe OSHEE. Logjika ishte se përmbaruesit bllokojnë llogaritë e kompanive, duke bllokuar punën e tyre, që zhvillohet në një sektor strategjik. Por kështu borxhet shtohen, siç janë shtuar. Të paktën deri në fund të këtij viti situata do të vijojë të mbetet siç është, e ndoshta më keq.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com