Nisma e re ligjore e qeverisë për energjinë, parashikon sekuestro të tapisë së banesës ose truallit, për abonentët që kanë mbi 1 milion e 500 mijë letë të vjetra debi. Gjatë paraqitjes së projektligjit zëvendës ministri i energjitikës Ilir Bejtja tha se do sekuestrohet tapia por jo objekti. Deputetët e Pd e konsideruan ligjin antikushtetues. 

Komisioni i ligjeve ka diskutuar projektligjin e ri për Energjinë, që parashikon masa të reja për debitorët. Zv/ministri i energjetikës Ilir Bejtja duke paraqitur ligjin në komision, tha se ndër masat e reja që parashikon ligji është sekuestrimi I tapisë të shtëpive ose pronave, deri në shlyerjen e detyrimit. Kjo masë do të aplikohet për individë që kanë një debi mbi 1 milion e 500 mijë lekë të vjetra. Por kjo nuk do të thotë sekuestrim të banesës, por vetëm bllokim të tapive, duke mos lejuar shitjen e pronës .

“Do bllokohet hipoteka e banesës, në rast se nuk shlyhen detyrimet e borxheve. Por edhe ne momentin e kalimit të pronës, nuk do të lejohet pa shlyer debinë ndaj kompanisë.”- tha Ilir Bejtja.
 
Për deputetin e opozitës Eduard Halimi ky ligj është absurd dhe nuk bazohet në kushtetutë. 

“Ky ligj nuk ka asnjë të mirë për qytetaret. Pasi vendosët t’i fusni në burg qytetarët që s’kanë paguar. Tani do i merrni pronën, shtëpinë, tokën qytetarëve që kanë mbi 150 mijë lekë. Ku e gjeni të drejtën ligjore. Si mund t’i sekuestroni pronën. Ku e gjen të drejtën, është absurde." - tha Halimi.

Por pretendimin e Halimit janë hedhur poshtë nga zv/ministri i Energjisë, pasi sipas tij ligji parashikon që hipoteka vendoset në bazë të ligjit të procedurës penale dhe kontratës. Më tej ai shton se kjo formulë është aplikuar edhe në vitin 2008 për tatimet.

“Sipas ligjit hipoteka vendoset në bazë të ligjit të procedurës penale dhe kontratës. Kompania nuk bën ekzekutimin. Është aplikuar në vitin 2008 edhe për tatimet.”- tha zv/ministri i Energjisë, Ilir Betja.

Redaksia Online
(f.m/shqiptarja.com)