Ecuria e ekonomisë së vendit, vijon tendencën rënëse edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Instituti i Statistikave raporton se në tremujorin e dytë, rritja ekonomike ishte 2.31%, nga 2.21% që ishte në tremujorin e parë. Krahasuar me vitin e kaluar ka përgjysmim të rritjes ekonomike, pasi në tremujorin e dytë të vitit të kaluar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte në nivelin e 4,32 %. Ashtu si edhe në tremujorin e parë të këtij vitit, edhe në të dytin ndikim negativ në ngadalësimin ekonomik ka dhënë mungesa e energjisë elektrike si dhe sektori i ndërtimeve.
“Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Uji, pati një rënie prej 1.89%. ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë energjia prej 27.54%, dhe industria e prodhimit të produkteve metalike me 4.79%. Aktiviteti i ndërtimit pati një rënie prej 1.79% , i ndikuar kryesisht nga kompanitë e lidhura me sektorin TAP”, u shpreh drejtoresha e komanduar e INSTAT.
Drejtoresha e komanduar e INSTAT Elsa Dhuli, ka prezantuar për mediat edhe disa nga sektorët që kanë ndikuar pozitivisht në gjendjen ekonomike.

“Degët kryesore të ekonomisë për tremujorin e dytë të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shfaqen kështu:
Aktiviteti i bujqësisë i pyjeve dhe peshkimit pati një rritje prej 1.78%, aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.35%, aktiviteti financiar dhe i sigurimit 0.30%” sqaroi Dhuli.
Në vitin e kaluar ekonomia e vendit arriti nivelin më të lartë të rritjes ekonomike, e ndihmuar më së shumti nga prodhimi në masë i energjisë elektrike, që këtë vit ka munguar. Po ashtu ndikim negativ në të ardhurat e këtij viti ka edhe mbyllja e lojërave të fatit, ndikim që pritet të vazhdojë deri në fund të këtij viti.
/r.k./Shqiptarja.comKomente

