Eno Peçi dhe “buqeta” e bukur
koncertore që dhuroi në Tiranë 

Eno Peçi dhe “buqeta” e bukur<br />koncertore që dhuroi në Tiranë 
TIRANE- Në Tiranë rikthehet për koncertin “Viena Night” një tjetër artist shqiptar i kalibrit evropian: balerini Eno Peçi. Ashtu siç ndodhi me koncertin e violinistit Tedi Pavarami dhe me premierën “Maddam Butterfly” të sopranos Ermonela Jaho, që u dhanë para pak kohe në Tiranë, edhe biletat e shfaqjes koncertore “Viena Night” patën një shitje absolute. Ditën e premierës ndokush që mund gjente vend në galeri, e quante veten me fat.
Biletat e shitura në rastin e këtij balerini të famshëm që debuton në Operën Shtetërore të Vjenës, tashmë janë konvertuar në një buxhet maksimal për fëmijët e fshatit SOS.

Eno Peçi ua dhuroi shfaqjen e tij plot bujari e fisnikëri këtyre fëmijëve, disa pa prindër e disa me prindër që nuk kanë mundësi kujdesi për ta. Ky ishte qëllimi parësor i një balerini të talentuar evropian si Eno Peçi, t’u dhuronte më shumë lumturi e buzëqeshje këtyre fëmijëve. Por të shtunën në mbrëmje vlera e asaj buqete të bukur koncertore e tejkaloi pritshmërinë. Dhurata e Eno Peçit nis të shumëfishohej, së pari me kënaqësinë maksimale që mori publiku.

Së dyti, me shembullin që iu dha studentëve të baletit dhe balerinëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë me performancat e shkëlqyera, me atë portretin e bukur prej valltari dhe me përulësinë e jashtëzakonshme ndaj rolit, sekreti me të cilën ai sjell në zemrën e publikut çdo drithërimë të vallëzimit në skenë, çdo emocion. Të shtunën, në përfundim të shfaqjes, kryeministri Rama e ka komentuar në rrjetin social “Tëitter”, duke e vlerësuar si një “shfaqje plot vibracione të yllit të baletit europian”. Vibracionet eleganca, muzika, koreografia nuk i bënë përshtypje vetëm kryeministrit të vendit, por shumë prej atyre që e ndoqën.

Ndërsa Eno Peçi kërcente së bashku me dy koleget e tij Dagmar Kronberger-in dhe Ketevan Papava-n të Operës Shtetërore të Vjenës, një spektatore tha: “ato janë kaq ndryshe, kaq delikate, si prej qelqi, sikur do të thyhen në dorë!”. Eleganca e balerinave të Vjenës, “udhëtimet” vallëzuese e koreografike të Eno Peçit na dhuruan një buqete koncertore surprizuese, ku nuk pushuan duartrokitjet, gjatë gjithë shfaqjes. Duartrokitjet shoqëruan ndërkohë edhe lojën e orkestrës së TKOB. Eno Peçi, balerini dhe koreografi shqiptar, është bërë tashmë një sensacion, jo vetëm në qarqet artistike të Vjenës, por edhe në ato ndërkombëtare.

Ai ka mbi 15 vjet që punon në Operën e Vjenës dhe është zgjedhur të interpretojë edhe në koncertin e mirënjohur në gjithë botën, atë të Vitit të Ri. Por të gjitha këto arritje nuk kanë qenë të lehta për balerinin Eno Peçi. Mjaftonte ta shihje këto ditë në Tiranë sesi punonte gjatë provave. “Sigurisht që duhet  shumë mund  dhe shumë punë e durim që të arrihet niveli i duhur dhe pastaj çdo gjë është e mundur”, thotë Eno Peçi kur e pyesin për sfidat e tij në skenat europiane.

Eno Peçi solli për të kërcyer në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë pjesë të ndryshme të disa yjeve të koreografisë botërore si Renato Zanella, Hans Van Manen, Roland Petit, Maurice Bejart, Ashley Page, dhe ndërmjet këtyre pjesëve valsin “Zërat Pranverorë” të koreografuar nga ai vetë. Kjo do të thotë se Eno Peçi di të luajë çfarëdo roli. Falë talentit që zotëron, gjatë katër viteve të fundit ai është marrë me koreografi moderne, dhe është pritur shumë mirë nga kritika dhe publiku.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje