/ATSH/- Ansambleja e Përgjithshme e Federatës "Housing Europe" miratoi anëtarësimin e Entit Kombëtar të Banesave, në të. Tashmë çdo vendimmarrje e Federatës, do të kërkojë edhe miratimin me votë të përfaqësuesit të Entit.
Housing Europe është Federata Evropiane e Agjencive të Strehimit, Publike, Kooperative dhe Sociale (HU), e krijuar para 27 vitesh. Vizioni i Federatës është: "Akses në strehim të denjë dhe të përballueshëm për të gjithë, në komunitete të qëndrueshme nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe mjedisore." Kjo organizatë ndërkombëtare përcjell shqetësimet e vendeve anëtare në instancat më të larta të Bashkimit Evropian. Ajo gjithashtu, lobon për të mbrojtur të drejtat e anëtarëve të saj, i bën oponencë ligjeve që kalojnë në Parlamentin Evropian, të cilat prekin strehimin.

Anëtarësimi i Entit Kombëtar të Banesave në këtë organizatë evropiane strehimi, konsiderohet me avantazhe në disa drejtime:
Së pari, është një hap drejt institucioneve evropiane.
Së dyti, shërben si platformë për adresimin e problemeve në nivel politikëbërjeje.
Së treti, Federata lobon për interesat e anëtarëve dhe ndihmon për të aksesuar fondet në Bashkimin Evropian duke i dhënë kështu Shqipërisë më shumë shanse për të gjetur rrugën e drejtë për aplikime për fonde, në mbështetje të politikave të strehimit.
Së katërti, është një avantazh më shumë për të marrë eksperiencat më të mira, mbi organizimin dhe funksionimin eficient të organizatave simotra, të vendeve anëtare të BE.
Së fundmi, do të mund të bëhemi pjesë e kërkimit shkencor në fushën e strehimit, duke u përfshirë në botimin Pan-Evropian "Gjendja e Strehimit në Evropë", si edhe do të kemi më shumë mundësi për të organizuar trajnime, seminare e workshope, për çështjet prioritare në fushën e strehimit dhe planifikimit urban (që lidhen me strehimin).
Anëtarësimi në Federatën Housing Europe, nuk sjell automatikisht më shumë banesa apo familje të strehuara, por pa dyshim, i jep Entit Kombëtar të Banesave, autoritetin e një institucioni serioz, dinjitoz e të besueshëm për të aplikuar për fonde duke forcuar bashkëpunimin me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në fushën e strehimit.