TIRANË,17 Dhjetor / ATSH / - Drejtues të Entit Kombëtar të Banesave zhvilluan sot në Bashkinë e Fierit disa aktivitete në lidhje me politikat e strehimit social në këtë qytet.
Fillimisht nga drejtuesit e Entit Kombëtar të Banesave dhe përfaqësues të pushtetit vendor, u bë inaugurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e godinës së re me 35 apartamente banimi në lagjen "16 Prilli" ku do të strehohen 40 familje në nevojë.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave, Doris Andoni, falënderoi bashkinë e qytetit dhe theksoi se bashkëpunime në projekte të tilla japin një mesazh shprese dhe optimizmi.
"Enti Kombëtar i Banesave do të realizojë një sërë projektesh për strehimin social", nënvizoi ajo.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, tha se "shumë shpejtë do të nisë shitja e apartamenteve në godinën e përfunduar".
Të pranishëm ishin edhe familjet që kanë aplikuar për përfitimin nga programet sociale të strehimit. Në këtë takim u prezantua edhe marrëveshja e bashkëpunimit, e nënshkruar mes Entit Kombëtar të Banesave dhe bankave, të cilat ofrojnë kushte më të favorshme dhe lehtësuese kreditimi nga qytetarët në nevojë strehimi. /a.ke/