Figura e diktatorit Enver Hoxha, i cili dominoi për afro gjysëm shekulli Shqipërinë, vjen përmes një tjetër këndëvështrimi në librin e studiuesit shqiptar Artan Hoxha dhe atij kanadez, Robert Austin.

“Kemi vite punë në arkiva. Nuk bëhet fjalë vetëm për fakte të reja, por për mënyrën se si lexohen dhe interpretohen ato.”, thotë historiani Artan Hoxha për “Report TV”.

Një nga qëllimet kryesore të librit është të kapërcejë qasjen e deri tanishme në historiografinë shqiptare dhe të hapë një debat më të gjerë.

Libri synon të vendosë figurën e Enver Hoxhës në komunikim me kohën, jo vetëm me Shqipërinë. Ne nuk jemi jashtë botës, jemi pjesë e saj.”

Figura e Hoxhës mbetet një nga më të debatueshmet në shoqërinë shqiptare, shpesh e trajtuar në mënyrë të skajshme.

“Ka një polarizim të thellë: nga glorifikimi para ’91-it në demonizim pas tij. Problemi fillon kur e shohim vetëm bardh e zi, pa nuanca.”

Titulli fillestar ishte ‘Enver Hoxha, një tiran ballkanas’, por studiuesi thotë se e kishte kundërshtuar këtë ide.

“..sepse bie në klishetë e ballkanizimit. Propozova që të vendosnim dimensionin kohor: ‘Enver Hoxha, një tiran i shekullit XX’. Sepse ai është produkt i këtij shekulli, njësoj si shumë figura të tjera në botë.”

Libri po përkthehet në serbisht dhe rumanisht, duke synuar të nxisë një debat më të thellë mbi të shkuarën dhe mënyrën si e kuptojmë atë sot.

“Edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë shfaqur interes për ta përkthyer sepse dhe atje shtrohet e njëjta nevojë për të patur një dialog më të gjerë, i cili kapërcen ngushtësinë etnocentrike ku kalohet ose nga njëri krah: në lavdërimin e historisë, ku çdo gjë ka të bëjë me heronjtë dhe pastaj kjo shoqërohet nga krahu tjetër me antiheronjtë, të cilët hidhen e flakën e ferrit dhe aty pastaj le të digjen nga zjarri i historisë.”

Libri është botuar nga shtëpia prestigjioze britanike ‘Reaktion Books’, me autorë Robert Austin dhe Artan Hoxhën, ndërsa në shqip do të vijë nga shtëpia botuese “Papirus” dhe pritet të jetë në duart e lexuesve gjatë muajit qershor.