Enver Hoxha: S’ka marrëveshje me
Serbinë, pa liruar kosovarët nga burgjet

Enver Hoxha: S’ka marrëveshje me<br />Serbinë, pa liruar kosovarët nga burgjet
TIRANE- Një predhë mortaje jugosllave e hedhur në territorin shqiptar është marrë si provokim nga udhëheqja komuniste në Tiranë. Në mbledhjen e 2 korrit 1983 sekretarët e Komitetit qëndror ndërsa diskutojnë  mes tyre marrëdhëniet me Serbinë, thonë se tonet janë ngritur sërish në vendin fqinj dhe se po fajësohet Shqipëria që nuk po vendos marrëdhënie korrekte fqinjësie. Reagimet në Serbi duket se janë nxitur pas disa fjalimeve të Ramiz Alisë në veri të Shqipërisë. Hoxha shfaqet patriot me ndërhyrjet e tij në këtë çështje që diskutohet në mbledhje, ndërsa deklaron se marrëveshje me Serbinë do të ketë vetëm kur ata të zgjidhin “çështjen e vëllezërve tanë kosovarë me të cilët, ti, serb, i ke mbushur burgjet”.

Pasi deklaron këtë Hoxha e përforcon kushtin e tij... “Doni të vendosni marrëdhënie kulturore? Liroji ata nga burgjet tuaja mizore. Po nuk e bëtë këtë, s’ka marrëveshje...”.
Më tej Ramiz Alia përmend edhe çështjen e katër kosovarëve që kishin ikur nga Shqipëria dhe kishin dalë në media duke folur kundër shtetit shqiptar. Duke i cilësuar provokatorë, Hoxha thotë se Shqipërisë nuk i prishin asnjë punë. Më tej diskutojnë për predhën jugosllave, për të cilën Hoxha thotë se jugosllavëve u duhet kërkuar llogari. “Jugosllavët, duke bërë manovra ushtarake në zonën e Ohrit, gati në kufijtë tanë, kanë qëlluar me predha të vërteta dhe njëra prej tyre, një predhë mortaje, ka rënë në territorin tonë, por nuk ka plasur. I thashë Reizit të thërrisnin ambasadorin jugosllav”, raporton Ramiz Alia, ndërsa Hoxha aprovon e thotë se ata për një tullumbace bën zhurmë të madhe.

Duke e konsideruar këtë si një provokim, ata kujtojnë edhe një përplasje tjetër, këtë herë me fqinjin tjetër Greqinë. Një ngjarje e provokuar nga grekët, (e cila nga dokumenti nuk zbulohet plotësisht), ka ngjallur shqetësim tek pala shqiptare. Nga diskutimet e “udhëheqjes” kuptohet se pala greke ka paguar dëmet, por s’ka marrë ndonjë faj përsipër. Hoxha thotë se kështu ndodh gjithnjë sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare me vendet borgjeze. Sipas tij e rëndësishme është që Shqipëria të shkojë përpara me ekonominë. Nga ky moment diskutimet për çështje ndërkombëtare ndërpriten dhe biseda mes tyre kanalizohet në një tjetër drejtim, tek ekonomia e vendit. Edhe pse shumëkush sot i kujton dyqanet bosh te viteve ’80, dhe gjendjen reale të ekonomisë së vendit atëkohe, Hoxha dhe Alia, diskutopjnë në mbledhjen e Komitetit Qëndror, për vitin e mbarë të ekonomisë shqiptare ndërsa theksojnë sigurimin e drithrave, të vezëve e të mishit... Gazeta sjell të plotë diskutimin e tyre mbi këto çështje së bashku me faksimilet e procesverbalit të mbajtur gjatë mbledhjes së 2 korrikut 1983.

Dokumenti

Shoku Enver Hoxha:...marrëdhënie me Jugosllavinë ne kemi. Atëherë cilat janë marrëdhëniet e tjera që do të shpien në përmirësimin e situatës? Është çështja e Kosovës.
Shoku Ramiz Alia: Po, mbetet çështja e Kosovës.
Shoku Enver Hoxha: Çështja e vëllezërve tanë kosovarë me të cilët, ti, serb, i ke mbushur burgjet.
Shoku Ramiz Alia: Ne ua kemi vënë kusht këtë gjë jugosllavëve.

Shoku Enver Hoxha: Po ua kemi vënë kusht. Doni të vendosni marrëdhënie kulturore? Liroji ata nga burgjet tuaja mizore. Po nuk e bëtë këtë, s’ka marrëveshje.
Shoku Ramiz Alia: Po, s’bëhet marrëveshja kulturore për të cilën bëni zhurmë.
Shoku Enver Hoxha: Atëherë mbeten vetëm marrëdhëniet tregtare. Po fjalimit tënd, Ramiz, zyrtarisht iu përgjigj Vidiçi1.
Shoku Ramiz Alia: Po, shoku Enver, ai iu përgjigj.

Shoku Enver Hoxha: Më duket se tani kjo çështje do të mbetet me kaq.
Shoku Ramiz Alia: Kështu mendoj edhe unë. Ai tha që Shqipëria vazhdon të mos tregojë gatishmëri për vendosjen e fqinjësisë normale.
Shoku Enver Hoxha: Po, Shqipëria nuk do fqinjësi, - tha ai.
Shoku Ramiz Alia: Ky ishte thelbi i përgjigjes së Vidiçit.

Shoku Enver Hoxha: Po, po, ashtu dilte, pavarësisht se ATSH-ja lajmin e kishte marrë me humbje, po në fakt ajo ishte përgjigjja e tyre. Është autoritet ai, Vidiçi.
Shoku Ramiz Alia: Ashtu është, shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Komenti i Radio Prishtinës s’ishte gjë fare.
Shoku Ramiz Alia: Ai që jepte TANJUG-u nga Prishtina s’kishte ndonjë problem.
Shoku Enver Hoxha: Po, po, s’kishte gjë, ndërsa fjala e Vidiçit ishte qëndrim zyrtar.

Shoku Ramiz Alia: Edhe deklarata që ka bërë zëvendësministri i jashtëm s’kishte gjë.
Shoku Enver Hoxha: Jo, s’kishte gjë hiç dhe ai.
Shoku Ramiz Alia: Ne s’duhet t’i lëmë pa iu përgjigjur, - tha ai.
Shoku Enver Hoxha: Po, po (qeshin).

Shoku Ramiz Alia: Mbrëmë pashë në televizor që kishin nxjerrë prapë ca nga këta kosovarët që kanë qenë këtej nga ne dhe që ne ca i kemi lënë të ikin, ca i kemi kthyer.
Shoku Enver Hoxha: A, dolën prapë ata?
Shoku Ramiz Alia: Po, po, dolën.

Shoku Enver Hoxha: Çfarë provokatorësh që janë.
Shoku Ramiz Alia: Ishin nja katër a pesë prej tyre. Unë nuk i kam parë ata të parët, se mbase janë po ata. Dukej që ishin provokatorë e që ishin të dërguar nga ata.
Shoku Enver Hoxha: Të dërguar nga jugosllavët qëkurse dalin në radio e flasin kundër nesh. Po nejse, le t’i bëjnë këto gjëra, se nuk prishin punë.
Shoku Ramiz Alia: Do të bëjnë gjëra të këtilla ata. Por në popullin tonë gjëra të tilla nuk zënë vend.

Nja tri ditë përpara, shoku Enver, po mua më njoftuan vetëm dje dhe për këtë u fola një çikë edhe shokëve të Ministrisë së Brendshme, jugosllavët, duke bërë manovra ushtarake në zonën e Ohrit, gati në kufijtë tanë, kanë qëlluar me predha të vërteta dhe njëra prej tyre, një predhë mortaje, ka rënë në territorin tonë, por nuk ka plasur. I thashë Reizit të thërrisnin ambasadorin jugosllav.
Shoku Enver Hoxha: Ata për një tullumbace bënë aq zhurmë. (qeshin).

Shoku Ramiz Alia: Në një mendje paskemi qenë, pikërisht këtë i thashë Reizit: ai për një tullumbace na bëri protestë, prandaj thirreni dhe bëjini një protestë shumë të rreptë se predha, pavarësisht ku ka rënë, po të kishte plasur, do të kishte shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme materiale. Njëkohësisht edhe komisioni kufitar do të vejë ta shikojë predhën në vend.
Shoku Enver Hoxha: Është predha akoma atje?
Shoku Ramiz Alia: Po, shoku Enver. U thashë të mos e hiqnin, ta filmonin, ta fotografonin, që ta kemi dokument. Të vijnë edhe ata, jugosllavët dhe ta shohin atje në vend, ku është.
Shoku Enver Hoxha: Posi, mirë keni bërë.

Shoku Ramiz Alia: Kështu puna me jugosllavët. Po atë notën e grekëve a e patë?
Shoku Enver Hoxha: E pashë, e pashë. Presim më shumë se kaq prej tyre?
Shoku Ramiz Alia: Hiç gjë nuk presim më shumë. I thashë
Reizit që s’presim ndonjë gjë tjetër prej tyre, prandaj mbylle tani këtë mesele.

Shoku Enver Hoxha: S’kemi ç’të presim më, kështu mendoj edhe unë. Të mbyllet kjo mesele. Paratë i paguan. Thuaj mirë që s’u vra njeri.
Shoku Ramiz Alia: Reizi, shoku Enver, ngandonjëherë është një çikë i ngurtë. Kur i thashë ta mbyllë këtë punë, më tha po nuk ka folur asnjeri zyrtarisht e që ta marrë përsipër këtë gjë.
Shoku Enver Hoxha: E ku merren përsipër këto gjëra!
Shoku Ramiz Alia: Ashtu është. Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës në përgjithësi të botës borgjeze më thuaj një shembull, - i thashë, - që një shtet ka pranuar diçka për të cilën është akuzuar nga një shtet tjetër.

Shoku Enver Hoxha: Asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë, asnjeri s’e ka bërë atë.
Shoku Ramiz Alia: E zë me presh në dorë tjetrin dhe të thotë që s’është e vërtetë. Prandaj boll që greku pranon kaq dhe që thotë se do t’i marrë përsipër dëmet.
Shoku Enver Hoxha: U bënë disa kontrolle, u morën disa veta në pyetje, u shkrua në gazetë, një protestë bënë vorio-epirotët që ç’është kjo e ç’është ajo dhe iku kjo punë. Kaq mund të prisnim ne prej tyre.
Shoku Ramiz Alia: Kështu është.

Shoku Enver Hoxha: Kryesorja është që ne të ecim mirë me ekonominë tonë.
Shoku Ramiz Alia: Kjo ka rëndësi vendimtare. S’ka asgjë tjetër përpara mbarëvajtjes së ekonomisë. Kjo rregullon edhe politikën e të gjitha.
Shoku Enver Hoxha: Mbarëvajtja e ekonomisë i rregullon të gjitha. Kënaq popullin, e bind atë për drejtësinë e vijës së Partisë, bën çdo gjë.
Shoku Ramiz Alia: Siç duket bujqësinë sivjet do ta kemi mirë. Përveç grurit që është e qartë se në të tëra rrethet kryesore plani realizohet dhe tejkalohet, edhe misri na thonë që është shumë i mirë.
Shoku Enver Hoxha: I mirë duket.

Shoku Ramiz Alia: Sot në mëngjes bisedova në telefon me shokët e Shkodrës dhe ata më thanë se kishin bërë një kontroll në të tërë sipërfaqen e mbjellë me misër. Kishte shkuar vetë Hysen Laçi dhe kishte thënë që nuk diskutohet problemi i misrit.
Shoku Enver Hoxha: Le që ka rënë shi, po për misrin ne kemi ujë.
Shoku Ramiz Alia: Misrin e kemi të sigurt. Pra, në drithërat e bukës sivjet do të kemi tejkalim të planit me siguri.
Shoku Vangjel Çërrava: Edhe lulja e diellit si asnjëherë tjetër është shumë mirë. Fasulja po ashtu është shumë mirë. Po kështu edhe patatja.
Shoku Ramiz Alia: Me një fjalë, siç duken bathët, bujqësia sivjet do të jetë mirë.

Shoku Enver Hoxha: Bujqësia është mirë fare.
Shoku Vangjel Çërrava: Edhe blegtorinë do ta kemi mirë.
Shoku Ramiz Alia: Për sa i përket blegtorisë kam një shqetësim që ia thashë një çikë edhe Adilit. Kam përshtypjen se Ministria e bujqësisë duhet të interesohet një çikë më tepër për bagëtitë e kooperativave, se kam frikë që po kufizohet vetëm te komplekset blegtorale.

Shoku Enver Hoxha: A, po, komplekset nuk janë gjë përpara gjithë blegtorisë tjetër, sidomos asaj të kooperativave.
Shoku Ramiz Alia: Ashtu është, se komplekset nuk plotësojnë veçse 20 deri në 25 për qind të tërë mishit që harxhojmë ne.
Shoku Vangjel Çërrava: 26 për qind e mishit vjen nga komplekset ndërsa për sa u përket vezëve 80 për qind e tyre sigurohen nga pularitë, konvejerët.
Shoku Enver Hoxha: Vezët po, është tjetër gjë.

Shoku Ramiz Alia: Vezët po, se atje kemi shumicën e pulave, por për sa i përket mishit duhet treguar një çikë më shumë vëmendje ndaj bagëtisë së kooperativave. Atje duhet të ngacmojmë më shumë edhe ne si Parti.
Shoku Enver Hoxha: Kjo është njëlloj me raportin që kishim më përpara ndërmarrje bujqësore-kooperativa. Ndërmarrjet zinin 18-20 për qind të bujqësisë, kurse kooperativat gjithë pjesën tjetër.
Shoku Ramiz Alia: Kështu që më duket se me bujqësinë sivjet do të dalim mirë. Ajo që na mbetet me deficite është nafta.
Shoku Enver Hoxha: Nafta, ajo na krijon shqetësime.

Shoku Ramiz Alia: Me një fjalë naftës duhet t’i vihemi tani më me forcë e më seriozisht. Biseduam edhe me shokun Vangjel, ne këtej, nga Partia, shokët e tjerë nga ana e qeverisë duhet medoemos të bëjmë që të arrihet një kthesë në naftë.
Shoku Vangjel Çërrava: Dhe në naftë ka shumë mundësi për të bërë kthesë.
Shoku Ramiz Alia: Posi jo, ka mundësi të mëdha.

________________
1 Dobrivoje Vidiç, anëtar i Kryesisë së LKJ, fjala e hapjes së plenumit të KQ të LKJ kushtuar marrëdhënieve ndërkombëtare, Tanjug, 1 korrik 1983.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit