Takimi i Ramës në Londër/ Parashikimi i Spahiut për diasporën në Report TV: Maksimumi 6-7% e emigrantëve do votojnë në zgjedhjet e 2025!

Juristi Kreshnik Spahiu ishte sot në Studio Live të Report TV me gazetarin Nertil Agalliu, ku foli në lidhje me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Londër sot (24 Nëntor) me Diasporën shqiptare, mesazhet e dhëna prej tij, fjalimin dhe tematika të tjera.

Spahiu foli në lidhje me deklaratën e kreut të qeverisë për një ligj të posaçëm për shtetasit shqiptarë të regjistruar në Britaninë e Madhe si kosovarë, për t’i regjistruar si shqiptarë të Shqipërisë.

Spahiu shprehu mendimin dhe parashikimin se për shkak të infrastrukturës, mungesës së logjistikës dhe vështirësive të tjera, nuk do merrnin pjesë më shumë se 6-7% e emigrantëve në votime nga jashtë vendit, ose e thënë në numra, 50-70 mijë persona, pavarësisht se për cilën parti do votonin.

Kurse në lidhje me ligjin e ri që Rama deklaroi se do bënte për emigrantët shqiptarë të regjistruar si kosovarë në Angli, Spahiu e quajti të vështirë, për shkak të legjislacionit britanik dhe rregullave, pasi Britania nuk mund të bënte ndryshime ligjore vetëm për një shtet të caktuar. Por ai theksoi “nëse kjo realizohet, do të ishte gjë shumë e mirë dhe e bukur”.

Ai e cilësoi “fushatë të parakohshme” turin e Ramës në lidhje me mesazhin e dhënë, e që kishte qëllim sigurimin e sa më shumë votave për PS-në.

“Rama ditën e sotme dukej që i kishte kushtuar shumë rëndësi dhe dukej që ishte i fokusuar në marrjen e votës së Diasporës. Nuk jam i sigurtë se sa do të jetë përqindja e atyre që do të votojnë, por duket që Rama po bën një fushatë të drejtpërdrejtë politike dhe një fushatë elektorale të parakohshme. Duke pasur parasysh që zgjedhjet elektorale do të jenë pas 7 muajsh, duket pak e çuditshme që kaq herët t’i kushtohet rëndësi, por mesa duket se pretendojnë sipas llogarive të tyre të rrisin ndjeshëm përqindjen kombëtare, duke marrë nga diaspora, duke qenë se ka edhe më shumë. Gjithsesi për shkak të vështirësive që ka infrastruktura dhe llogjistika për votën e emigrantëve, unë parashikoj që emigrantët shqiptarë kudo në botë do të marrin pjesë në përqindje shumë të ulët në votimet parlamentare”, tha Spahiu. 

Kurse në lidhje me shifrat e mundshme në votimet e ardhshme, të vitit 2025 ai u shpreh:

“Unë parashikoj se nuk do të kalojë shifra 6 apo 7 për qind. Unë mendoj se nuk do të ketë më shumë se 50 mijë deri në 70 mijë votues shqiptarë nga e gjithë bota. Dhe këtu nuk flas për PS-në, por për votues që do të marrin pjesë në votime, pavarësisht se për cilën parti do të votojnë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:07
Spahiu: Protesta e PD me autobusë nga fshatrat dhe sufllaqe me vete nuk mirëpritet në Tiranë nga qytetarët! Berisha i refuzuar nga militantët

 

Opozita dhe kreu i PD, Sali Berisha, që ndodhet nën arrest shtëpiak prej një viti për aferën në dosjen “Partizani”, ka thirrur protestë kombëtare në Tiranë më 26 Nëntor (të martën).

Kreshnik Spahiu tha ndër të tjera në Report TV, në Studio Live, se tashmë militantët e refuzojnë Berishën dhe kjo duket nga pjesëmarrja e ulët në mitingje, si ai i Londrës sot, me 100 vetë në antimiting.

Por ai dënoi sjelljen e PD me idenë e vjetëruar të bllokimit të rrugëve dhe aktivitetit të jetës në kryeqytet, duke marrë njerëz me “autobusë apo me sufllaqe me vete”, siç e quajti.

“Protesta e PD me autobusë nga fshatrat nuk mirëpritet në Tiranë, Berisha është i refuzuar nga militantët. U pa edhe në Londër, antimiting me 100 vetë. Unë prisja më shumë. Nuk rrëzohet qeveria duke bllokuar dyqanet e bukës, kopshtet, shkollat, çerdhet, parukeritë, apo rrugicat apo dyert e ambulancave. Një qeveri rrëzohet me lëvizje dhe revoltë popullore, e cila fillon nëpërmjet grevave masive të studentëve, ose në administratë, ku të gjithë dorëzojnë çelësat. Pra nuk je ti që i mbyll brenda, por janë vetë ata që braktisin punën, vendin dhe dorëzojnë çelësat, nuk je ti. Kjo është greva dhe protesta popullore. Protesta partiake janë shumë komike dhe nuk ndodhin në asnjë vend të Europës. Që do të thotë, bllokohen rrugët e Berlinit, por bllokohen nga traktoristë, që bllokojnë rrugët me traktor. Bllokohen rrugët e Parisit, por nga lëvizje radikaliste. Nuk dalin deputetë me Range Rover, me makinat e tyre dhe të bllokojnë autostradën”, u shpreh ai. 

Më tej theksoi se këto nuk ndodhin në asnjë vend të Evropës dhe janë ide të vjetëruara dhe se partitë e mëdha duan të faktorizohen, apo të mos lejojnë të dalin lëvizje të reja.

“Kjo nuk ndodh as në Londër, as në Athinë, ku ka lëvizje radikale. Kjo nuk është lëvizje popullore, kjo është një lëvizje partiake, e cila ku këta kërkojnë të faktorizohen, e në një farë mënyrë këta faktorizojnë njëri-tjetrin. Pra Berisha godet Ramën, Rama godet Berishën dhe duke na thënë ne se vetëm ne dy jemi, këto janë dy alternativat. Imagjinoni sa e rëndë është kur thërret nga një rreth, për të bllokuar rrethin tjetër. Pra çfarë kuptimi ka tani që t’i marrësh nga Tropoja, nga Kukësi, nga Puka, nga Lezha, Kurbini, t’i sjellësh që të bllokojnë Laprakën, Tiranën e Re, Kombinatin, çfarë llogjike ka? Nëse të mbështet populli, thërrit qytetarët e Tiranës dhe blloko Tiranën. Thërrit të Shkodrës të bllokojnë Shkodrën, të Tropojës që të bllokojnë Tropojën, çfarë kuptimi ka që merr tani importon nga një qytet në tjetrin me autobusë, me sufllaqe me vete, që të bllokojnë kryeqytetin”, u shpreh Spahiu. 

Më tej theksoi se “kjo krijon alergji në Tiranë” dhe e vetmja që përfitojnë është hapësira mediatike dhe goditja brenda llojit, duke mos lejuar lëvizje të reja.

“Kjo krijon një alergji në kryeqytet, kryeqyteti është krejt tjetër. mendoj se këta kanë mbetur shumë mediokër në lëvizjet e tyre politike. Këta mendojnë se është ende viti 94, 98, 99, janë aq të vjetër në kostumin e tyre politik dhe idetë e vjetra, sa është e vështirë që të kenë sukses. I vetmi sukses është se ata pushtojnë hapësirën mediatike, të gjitha lajmet merren me ta, si dhe eklipsojnë lëvizjet brenda llojit. Pra ata duan që të mos ketë një lëvizje apo parti tjetër që t’i rivalizojë si opozitë. Ata thonë opozita jemi ne, ky tjetri thotë qeveria jam unë. Pra të njëjtën gjë bëjnë”, përfundoi Spahiu. 

Ora 17:37
Spahiu: Altin Dumani me daljen në media sfidoi hapur presionet politike dhe mediatike! Ka fituar besimin e publikut dhe kanë qenë të suksesshëm

 

Juristi Kreshnik Spahiu foli në Studio Live në Report TV edhe për intervistën e kreut të SPAK, Altin Dumani dhe përshtypjeve që ajo i la.

Ai e vlerësoi si pozitive dhe punën e institucionit si të suksesshëm, madje si një moment kulminant pjesën kur Dumani u shpreh se “hetojnë me prova dhe jo me grafikë”, pavarësisht vjetërsisë së dosjeve apo krahut nga ku goditet.

“Momenti kulminant i intervistës së Altin Dumanit ishte ai kur foli për pasuritë që sekuestrohen brenda dhe jashtë vendit, kur shprehu faktin se në SPAK ka zyrë të FBI, të Interpolit, të organizatave partnere dhe ka hetime të përbashkëta, në të cilat hetojnë vepra penale në të cilat dëmtohen të dyja shtetet. Në këtë rast Shqipëria dhe shteti përkatës, në këtë rast psh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe sigurisht kjo është një risi. Është risi edhe intervista e Altin Dumanit, i cili si drejtues i Prokurorisë Speciale, po ta vëmë re, në këtë intervistë nuk ka pasur shmangie gjatë gjithë kohës të komunikimit me publikun. Ndryshe nga prokurorë të tjerë, Dumani ka krijuar një lloj tradite, ka krijuar një lloj kontakti në komunikimin me publikun nëpërmjet rrugës dhe mjetit të komunikimit mediatik. Ka pranuar të flasë për veten, të shkuarën e tij, ka pranuar të marrë përgjegjësi, ka pranuar të flasë për ata që e godasin politikisht, të flasë edhe në emër të kolegëve të tij, që në fund të fundit edhe mund të mos e bënte”, tha Spahiu. 

Juristi e cilësoi të arritur intervistën dhe punën e SPAK, si dhe fitimin e besimit te publiku.

“Në vetëvete intervista e Dumanit ka qenë shumë interesante. Ka shumë njerëz që e paragjykojnë për këndvështrimin, dialektin, aksentin, artikulimin, personalisht mua kjo nuk më intereson. Thelbi i deklaratave të Dumanit dhe çështjet për të cilat ata po hetojnë ishte shumë korrekt dhe në fund të fundit deri më sot, Altin Dumani dhe Prokuroria Speciale deri tani kanë qenë të suksesshme. Ata kanë arritur që në kohë rekord t’i fitojnë besimin publikut. Dhe është një fakt që në të gjitha sondazhet, Prokuroria Speciale, pra SPAK-u është organi me besueshmërinë më të lartë te publiku”, u shpreh Spahiu për Report TV

Në lidhje me deklaratën se “nuk veprojmë me grafik, por hetojmë me prova”, Spahiu e cilësoi të rëndësishme dhe jo të rastësishme deklaratën.

“Të gjithë e kanë kritikuar dhe kanë pasur pretendime nga më të ndryshmet ndaj prokurorisë Speciale nga faktori politik apo mediatik qoftë, nga të gjitha krahët. Dhe një nga pretendimet ka qenë se pse nuk hetohet kryeministri dhe hetohet kryetari jonë (Berisha). Pse arrestohen më shumë socialistë dhe nuk ka në burg asnjë demokrat. Pse çështje të vjetra janë vonuar kaq shumë dhe të rejat ia kanë kaluar të vjetrave. Në një farë mënyrë ai u tregua preciz dhe të japi në mënyrë të përmbledhur se kush është rregullator. Ai tha se rregullatori janë provat dhe faktet që ne dispojojmë. Pra çështjet që kanë prova, pavarësisht se janë të reja apo të vjetra, se kanë 1 apo 10 vite, se janë të majta apo të djathta, ne u japim më shumë prioritet se çështjeve të tjera që nuk kanë prova dhe fakte. Pra ky ishte thelbi i asaj që ai tha dhe u dha përgjigje të gjitha pretendimeve që ne kemi pasur apo interpretimeve politike që janë bërë, për afate, procedura etj”.   

Ora 17:06
Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve

 

Edi Rama premtoi “Paketën e maleve” për emigrantët e Britanisë që kthehen për të investuar në Shqipëri, duke u hequr taksat për 10 vite. 

Juristi Kreshnik Spahiu e sheh pak me skepticizëm për shkak se mungon oferta konkrete për zgjidhjen e problemit më madhor, ikjen e ‘trurit’ nga vendi, apo profesionistëve. 

Ai tha në Report TV se kryeministri duhet të ketë projekte dhe oferta edhe për kthimin e profesionistëve, sepse jo të gjithë shqiptarët kanë para për të investuar në vendin tonë. Por ai e cilësoi një ofertë shumë të mirë dhe që duhet vlerësuar “Paketën e maleve”. Gjithsesi kujtoi se ose duhet ta shpallim Shqipërinë vend turistik dhe në “dimër t’i vëmë çelësat”, ose të ketë oferta konkrete. 

“Kjo është një ofertë që duhet vlerësuar. Sepse t’i krijosh hapësira dikujt për të krijuar një sipërmarrje apo biznes dhe pa taksa, nuk ndodh në asnjë vend të botës dhe ky është një lloj prioriteti që duhet vlerësuar. Nga ana tjetër ashtu siç kryeministri Edi Rama shprehet për të krijuar një platformë për emigrantët që duan të kthehen dhe krijojnë një sipërmarrje, duhet të ketë parasysh se në Diasporë nuk ka vetëm biznesmenë që kanë kursyer para dhe duan t’i investojnë. Ne kemi një numër të madh shqiptarësh, me qindra e mijëra që kanë ikur në emigracion dhe punojnë për bukën e gojës atje, sepse kursejnë 100 euro në muaj, pasi paguajnë 1500 euro qira shtëpie dhe ashtu siç tha ai detyrohen të punojnë dy punë dhe s’kanë ku t’i gjejnë paratë për të investuar në Shqipëri, me taksa apo pa taksa, sepse për të investuar duhen dhjetëra mijëra euro. E dyta, Edi Rama duhet të kuptojë se përveç të papunëve janë larguar profesionistë. Që do të thotë se janë larguar mjekë, infermierë, juristë, ekonomistë, gazetarë, arkitektë, njerëz që punojnë në profesionin e tyre me një rrogë”, u shpreh Spahiu. 

Dhe më tej kërkoi zgjidhje konkrete me projekte për të “shëruar” këtë fenomen.

“Çfarë garanton Edi Rama për largimin e trurit nga Shqipëria? Sepse fenomen dhe problem nuk është largimi i të papunëve nga Shqipëria, sepse largimi i tyre është oportunitet, nuk gjejnë punë aty dhe ikin jashtë me një rrogë më të mirë. Problem është largimi i profesionistëve të të gjitha fushave dhe që krijojnë një lloj vakumi në shtetin shqiptar. Kush është oferta e Edi Ramës që të mos vazhdojnë të largohen dhe e dyta kush është oferta e qeverisë socialiste që këta profesionistë, ai juristi, mjeku, farmacisti që punojnë në Londër, të kthehen dhe të punojnë në Shqipëri. A ka ofertë më të mirë qeveria? Këtyre u është fiksuar se të kthehesh është të punosh bahçen dhe të bësh bujtinë. Prit, se të gjithë shqiptarët nuk do bëjnë hotele dhe bujtina, se bëhet qesharake. Ose të shpallemi shtet turistik se s’kemi të merremi me asgjë tjetër. në dimër t’i vëmë çelësin Shqipërisë. Por oferta është shumë e mirë.
Shqiptarët nuk kanë ikur për shkak të klimës në Angli. Ata kanë ikur se nuk ndiheshin mirë, nuk hapnin dot biznes në tregun e monopoleve. Të jemi të sinqertë në këtë pikë. Është më e lehtë të hapësh biznes në Angli sesa në Shqipëri, pavarësisht taksave që paguan. Patjetër që është joshëse për ata që bëhet për të mos paguar taksa. Në Londër nuk kemi emigracion të vjetër, ka edhe shqiptarë që kanë ikur së fundmi, para 15 vitesh, 2-3 vitesh, brenda mandatit të socialistëve”, tha juristi për Studio Live

Ora 16:42
Spahiu: Antimitingu me 100 veta shumë i vogël, prisja më shumë emigrantë kundër...

 

Kreshnik Spahiu kritikoi një pjesë të fjalimit të kryeministrit Edi Rama për faktin se foli për kundërshtarët e tij politikë, kur kishte shkuar atje për Diasporën që është e të gjithë Shqipërisë dhe jo vetëm e një krahu të caktuar.

Ai tha se kreu i qeverisë nuk mund t’i trajtojë “ca të nënës dhe ca të njerkës”, teksa kritikoi gjithashtu edhe sjelljen e opozitës me antimitingje që i quajti modele të vjetra provincialiste të pas viteve 90-të, kur komunistët bënin antimitingje për ata që donin të rrëzonin bustin e Enver Hoxhës.

Spahiu e cilësoi antimitingun me 100 vetë, me flamuj partiakë dhe shumë të vogël, teksa priste më shumë njerëz në shesh në Londër.

“Kjo fushatë elektorale po tregon se lidershipet politikë të partive të mëdha nuk janë në vitin 2024, por janë ende në vitin 1994. Pse e them këtë? Nuk e quaj të drejtë që kryeministri i Shqipërisë t’i trajtojë disa të nënës dhe disa të njerkës. Që do të thotë se Edi Rama atje nuk është si kryetari i PS, por si kryeministri i Shqipërisë. Dhe duhet t’i konsiderojë të barabartë ata, pavarësisht bindjeve politike. Që do të thotë se ne mund të jemi qytetarë që nuk e duam PS dhe Edi Ramën, por jemi të dobishëm për kombin tonë, jemi të barabartë me ata që janë në sallë dhe që mbështesin Edi Ramën. Më duket e papranueshme që kryeministri i Shqipërisë të marri rolin e liderit rajonal apo global, të minimizohet në artikulimin e vetë dhe disa herë të merret me goditjet e partive qoftë të vjuetra, por edhe partive të reja. Ashtu si dhe nga ana tjetër, ne tregojmë të njëjtën gjë edhe me antimitingjet që organizohen”, tha ai. 

Teksa kritikoi ashpër edhe antimitingun, duke kujtuar se në shesh ishin vetëm 100 vetë.

“Antimitingjet janë fenomene që kanë lindur në vitin 1990, 1991, apo 1992, kur ne donim të rrëzonim bustin e Enver Hoxhës. Çoheshin komunistët që ishin në pushtet dhe bënin antimitingje kundër nesh. Tani ka filluar kjo historia që del opozita me 100 persona me flamur, e aq më tepër që dalin me flamur të Partisë Demokratike. Nuk dalin me flamur të Shqipërisë, kundër një mitingu që bën qoftë kryeministri i Shqipërisë, qoftë kryetari i Partisë Socialiste. Unë jam edhe kundër Edi Ramës që godet partitë politike, ashtu siç jam kundër anës tjetër, se pse duhet t’i prishës takimin një partie, qoftë edhe ajo në pushtet. Kjo tregon se sa provincialë dhe të prapambetur jemi në vizionin tonë politik, ku edhe në mes të Londrës do tregojmë atë mangësinë apo deficencën e qytetarisë apo civilizimit që kemi në formimin tonë politik".

Dhe më tej vijoi:

"...Protesta ishte zhgënjim, vetëm 100 veta. Sepse nga vendi janë larguar mijëra dhe mijëra shqiptarë. Ndaj prisja më shumë në atë protestë apo antimiting. Por jam i sigurtë se nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë dashur të atashohen si degë e Partisë Demokratike në Londër. Nuk kanë dashur të shkojnë atje me flamurin e PD, por me të Shqipërisë. Jam i bindur se populli opozitar dhe antiqeveritar është më i madh se dega e PD...”.

Spahiu pati rezerva edhe ndaj fjalimit të Ramës, duke u shprehur se ai përfaqëson të gjithë shqiptarët dhe shkon atje me mision për ta dhe jo për të marrë rolet e kryeprokurorit, kryepolicit apo ministrit të Brendshëm.

“Rama duhet të shkojë me kontratë qoftë në SHBA, Gjermani, Angli, Itali dhe s’ka pse mban fjalim 30 minuta pse u vra 14-vjeçari. Shkon atje me një kontratë. Pse e them këtë, ska pse merr atje misionin e Prokurorit të Përgjithshëm, as ministrit të Brendshëm, as drejtorit të Policisë. Ai ka shkuar atje për një mision tjetër. Dhe misioni kryesor i Ramës është të japi një kontratë për shqiptarët jashtë kufijve, ndryshe nga ata që jetojnë në Shqipëri”. 

Ora 16:19
Spahiu: Ja 3 shkaqet pse pjesëmarrja e emigrantëve do jetë deri në 70 mijë votues! Nuk janë pak, përkthehen në 7 mandate deputeti

 

Kreshnik Spahiu deklaroi se vetëm 6-7% e emigrantëve shqiptarë mendonte se do merrnin pjesë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. E përkthyer në numra ishte 50-70 mijë persona votues, që gjithsesi ai nuk e quajti numër të vogël, por të konsiderueshëm.

Sepse sipas Spahiut këto kthehen në të paktën 7 mandate deputetësh.

“Nëse do të shkonte 10% do ishte një sukses i jashtëzakonshëm, por unë nuk mendoj se do i kalojë shifrat 6 apo 7%”, tha ai.

Ai dha edhe 3 shkaqet pse do jetë kjo përqindjeje pjesëmarrjeje në votime nga diaspora, pas studimit të rrethanave.

“Për çfarë arsyesh? Unë mendoj se përqindja më e madhe, 20 apo 30% janë emigrantë ilegalë, në Europë dhe Britaninë e Madhe. Dhe sigurisht që ata që janë emigrantë ilegalë, nuk do të marrin pjesë në votime. E dyta, janë një përqindje e madhe që janë legalë, 20%, që nuk duan të deklarojnë adresën e tyre. Për shkak të dëmtimit të të dhënave, databazave në Shqipëri, hakërrimeve dhe shumë të dhënave personale, e shumë emigrantë nuk kanë besim që të dhënat e tyre personale t’ia deklarojnë shtetit shqiptar. E treta, për shkak se logjistika dhe infrastruktura është disi e vonuar. Do jetë e vështirë edhe për KQZ që ta realizojë, teksa koha e mbetur është disi në 4 muaj për këtë proces. Por edhe ata emigrantë që do kenë dëshirë, për çështje rrethanash, kostosh, shpenzimesh etj., nuk do të votojnë. Duke bërë këtë lloj përllogaritje, unë bëj një lloj parashikimi që do doja ta ruaja dhe një ditë pas zgjedhjeve ta diskutojmë së bashku”, u shpreh Spahiu. 

Por ai nuk e cilëson një numër të vogël këtë shifër.

“Është një studim që e kam bërë me të gjitha rrethanat dhe mendoj se nuk do të kalojë 6-7%. Por mos harroni se 6-7% nuk janë pak. Sepse le të themi 70 mijë vota nuk janë pak, janë shumë dhe përkthehen në 7 deputetë”, tha juristi.

Ora 15:57
Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje

 

Juristi Kreshnik Spahiu foli në Studio Live të Report TV edhe në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për ligjin e regjistrimit të shqiptarëve.

Pra për të gjithë ata emigrantë që kur kanë shkuar në ishullin britanik janë regjistruar si kosovarë dhe kanë vështirësi dokumentacionesh apo bashkimi familjar në Shqipëri dhe më tej.

Spahiu e cilëson të vështirë që Anglia të pranojë ndryshime vetëm për një shtet, por thekson se nëse realizohet, “do të ishte një gjë shumë e bukur dhe pozitive”.

“Është një hap konkret, por nuk jam i sigurt nëse do jetë i mundur. Referuar legjislacionit britanik dhe dispozitave për marrjen e shtetësive, gjykoj se do jetë shumë e vështirë që të ketë një trajtim të veçantë, vetëm për një nacionalitet. Që do të thotë se ligji për shtetësinë bëhet për çdokënd që aplikon për marrjen e pasaportës së atij vendi dhe nuk bëhen përjashtime për një shtet të caktuar. Dhe aq më tepër për ndryshim identiteti. Nuk dua të jap mesazh negativ për këtë gjë, por më duket e vështirë”, u shpreh ai.

Gjithsesi ai e mbështet nismën e kryeministrit, duke thënë se nëse realizohet do ishte mbështetje e madhe për shqiptarët emigrantë. 

“Nëse do të realizohet do ishte diçka shumë e bukur për të qenë e vërtetë, për faktin se për afro një dekadë, në mos më shumë, shqiptarët e Shqipërisë, të cilët kanë marrë azilin politik, lejen e qëndrimit dhe më pas të drejtën e shtëpisë në Britaninë e Madhe, e kanë marrë për efekt si të strehuar nga lufta në Kosovë. Pra për shkak të ndjekjes dhe konseguencave që kishin kaluar këta në Kosovë dhe kanë pasur shumë probleme me të drejtat e njohjes së tyre në Shqipëri, shumë probleme me bashkimet familjarë dhe do të ishte një mbështetje e madhe nëse do realizohet”, tha Spahiu.

A.Q/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet