Enver Petrovcki: Kemi teatër
kombëtar, s’kemi tema kombëtare

Enver Petrovcki: Kemi teatër<br />kombëtar, s’kemi tema kombëtare
TIRANE - Regjisori Enver Petrovci shpreson se “Hajdutja e bukur” që do të ngjitet më 22 mars në Teatrin e Metropolit do të jetë “një shfaqje e shkëlqyeshme”. Kështu është shprehur dje në një konferencë për shtyp për premierën, e cila do të ngjitet në orën 19.00 të mbrëmjes në skenë.

Gjatë konferencës që u mbajt në ambientet e sallës "Çehov" në Teatrin e Metropolit ishte i pranishëm edhe autori i veprës Ruzhdi Pulaha. Enver Petrovci ka gjetur rastin të falënderojë dramaturgun e njohur, duke e lëvduar për faktin që si autor i dramës ka trajtuar tema shqiptare. “Na jep një temë shqiptare që provokon”, tha dje Petrovci.

Dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha po rikthehet tashmë me vepra të reja me temë aktuale, ndërsa veprën “Hajdutja e bukur” ia ka besuar regjisorit kosovar. Dje regjisori Petrovci është shprehur se e ka vlerësuar shumë përmbajtjen e veprës së dramaturgut Pulaha, gjë që sipas tij e ka inspiruar për ngjitjen e premierës në skenë.

“Ne kemi të tilla probleme në të gjithë shqiptarinë, dhe mendoj që qëllimi im ka qenë që të lexoj mirë tekstin. Çfarë lexova unë do t’ua komunikoj edhe aktorëve, që të mos luajnë disa zhanre, por vetëm një. Mendoj se me këtë kemi arritur suksesin e parë”, tha Petrovci. Përqendrimin në një zhanër siç është komedia, Petrovci e quan arritje.

“Aktorët luajnë jetën dhe nuk luajnë në mënyra të ndryshme ashtu siç po ndodh tek ne në mungesën e regjisorëve, të cilët i lejojnë aktorët të punojnë në zhanre të ndryshme në të njëjtën shfaqje”, tha Petrovcki duke u shprehur se ka gjetur një mënyrë të re të konceptimit regjisorial. “Të gjithë luajnë një zhanër, pra natyrshmërinë, jetën dhe realitetin tonë”, tha ai. Por si vjen kjo shfaqje në Teatrin e Metropolit nga regjisori Enver Petrovci?!

Petrovcki: U bëra regjisor se nuk ka. Regji do të thotë të punosh me aktorët

Duke iu referuar dramës “Hajdutja e bukur”, Petrovci tha se “Vepra vjen natyrshëm, si një përrallë. Personazhet janë karaktere të thjeshta, përgjithësisht njerëz të mirë. Nuk ka karaktere negative ose pozitive, siç jemi mësuar të shohim dramat por të gjithë personazhet kanë hallet e tyre, nga të cilat lind edhe konflikti”.

Komedia “Hajdutja e bukur” është një vepër e vështirë regjisoriale, ku shpërfaqet një sekuencë jete reale, e tashmja, e kaluara dhe e nesërmja. “Regjia për mua është puna me aktorët, një lexim i mirë i tekstit, një lexim i saktë dhe atë lexim duhet t’ua komunikosh sa më mirë aktorëve, që edhe ata të luajnë mirë.

Meqë teksti është komedi, unë si regjisor, nuk kam afeksion ndaj zhanreve të pastra sikurse janë komeditë, tragjeditë e dramat, për mua ekziston vetëm një zhanër, i cili është tragjikomedia, një zhanër që i përngjan jetës. Kjo ka qenë tendenca ime dhe shpresoj t’ia kem arritur qëllimit”, shprehet regjisori Petrovci, i cili rrëfen se kishte ndër mend të vinte në skenë një vepër tjetër, por drejtoresha e Teatrit të Metropolit Suela Konjari i ka propozuar tekstin e Ruzhdi Pulahës.

“Ndërsa nisa të lexoja këtë tekst më pëlqeu, jo thjesht si tekst, por edhe sepse është autor shqiptar. Ndonjëherë harrojmë se pse ekzistojnë teatrot. Kemi teatro kombëtare në gjithë shqiptarinë, jo vetëm sepse flasin shqip, por duhet të jenë edhe për shkak të temave kombëtare. Ndërsa rrëfen se e pranoi pa mëdyshje pjesën, Petrovci shprehet me simpati për aktorët e Teatrit të Metropolit: “Kam punuar shumë mirë me aktorët dhe kam gjetur një atmosferë shumë të mirë, që tek porta kur të thonë mirëmëngjesi, deri sa largohem në mbrëmje e roja më thotë natën e mirë.”

Ndërkohë Petrovci nuk ka kursyer as kritikat për regjisorët. “Regjisorët sot merren me gjithçka përveçse me aktorin, detyra e një regjisori është të lexojë mirë tekstin dhe të punojë me aktorët”, thotë duke denoncuar edhe probleme të tjera të teatrove kombëtare që “në mbarë shqiptarinë ngjisin pjesë të huaja në skenë”. “Teatri Kombëtar ekziston për shkak të autorëve shqiptarë dhe jo atyre të huaj”, tha dje Petrovci.

Ruzhdi Pulaha: Kam shkruar komedi dramatike

“Hajdutja e bukur”, vepra e autorit Ruzhdi Pulaha, është një tragjikomedi karakteresh. Në një situatë të pazakontë ndodhin një sërë intrigash ku shpërfaqen qëllimet e botës së brendshme të secilit personazh. Dashuri, pasion, intriga, xhelozi dhe një gjyshe e dëshiruar dëshpërimisht për një trashëgimtar.

Ngjarjet zhvillohen në kohët e sotme ku hallet që personazhet mbartin janë mjaft koherente. Vetë dramaturgu Pulaha ka pohuar se nuk ka shkruar një komedi të mirëfilltë, humoristike, por një komedi dramatike. “Çdo personazh ka dramat e veta si çdo shqiptar.

Është një dramë shumë njerëzore, ku trajtohen probleme që ndeshen në çdo familje shqiptare. Kemi raportin nuse-vjehërr, pozicionin e vështirë të burrit mes nënës dhe nuses, marrëdhënien prindër-fëmijë, etj. humori nuk qëndron tek halli i gjithsecilit, por mënyra se si personazhet e konceptojnë hallin e tyre.”, tha dramaturgu Pulaha.

Shkrimi u buotua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës