Në Konferencën e Sigurisë në München presidenti i Malit të Zi i bëri një pyetje të thjeshtë kancelarit gjerman Friedrich Merz: Jemi 10 shtete që duam të hyjmë në BE. A jeni të interesuar të na pranoni?

Përgjigjja e kancelarit Merz: Padyshim, përgjigja është po. Dhe Ursula von der Leyen dhe unë jemi plotësisht dakord për këtë. Ne i kemi premtuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian shumë vendeve, veçanërisht në rajonin tuaj. Ne patëm takimin tonë në dhjetor me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Këshillin Evropian në Bruksel. Dhe sinqerisht, po ndihem gjithnjë e më i shqetësuar me qasjen tonë ndaj vendeve tuaja.

Ne duhet të nisim një strategji të re se si t’i afrojmë këto vende me Bashkimin Evropian. Unë nuk dua t’ju humbas. Ju jeni pjesë e kontinentit evropian dhe prandaj jeni potencialisht pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe e di që ky kërkohet konsensus. Ekziston një ‘elefant në dhomë’. Të gjithë këtu në këtë dhomë e dinë se kush është kundër. Por ne duhet ta tejkalojmë këtë.

Deri më tani, kërkohet votim unanim në Këshillin Evropian për të hapur kapitullin tjetër. Por ne duhet ta kalojmë këtë sfidë. Së voni pas zgjedhjeve që do të mbahen në prill, shpresojmë se do të jemi në gjendje të hapim kapitullin e radhës dhe t'ju sjellim gjithnjë e më afër Bashkimit Evropian, deri në fund, si anëtarë”.

Është mirë që këto sinjale të dëgjohen nga i gjithë spektri politik në Kosovë, e sidomos nga qeveria e sapozgjedhur. Pa krijimin e një ekipi dinamik, me përvojë, me vullnet për punë, pa një udhëheqje që është e gatshme të bëjë hapa të guximshëm dhe të marrë vendime të mëdha, përfshirë reformat e thella, vendnumërimi do të vazhdojë.

Esenciale këtu janë raportet sidomos me Gjermaninë si vendi më me ndikim në BE. Edhe në NATO Gjermania, me kërkesë dhe me pëlqimin amerikan, po merr detyra e obligime të reja. Nga viti 2027 në krye të Këshillit Ushtarak të NATO-s do të jetë një oficer i lartë gjerman. Në strukturat komanduese të NATO-s, Gjermania pritet të marrë përgjegjësinë më të madhe. Tri komandat rajonale të NATO-s në të ardhmen do të drejtohen nga europianët. Kjo po bëhet sipas dëshirës amerikane; Washingtoni ka theksuar se Europa duhet të jetë vetë përgjegjëse për mbrojtje konvencionale.

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, lavdëroi këtë javë sidomos faktin se Gjermania po ndan për mbrojtje 109 miliardë euro. Pritet që deri në vitin 2029 Gjermania të ndajë 3,5 për qind të kontributit të saj ekonomik për NATO-n, ndonëse vendet anëtare për të arritur këtë cak kanë kohë deri më 2035. Përballë zhvillimeve të rëndësishme dhe shpesh dramatike në të cilat ka hyrë bota perëndimore, edhe në Kosovë duhet të marrë fund periudha e fjalimeve të mëdha dhe punëve të vogla. Është koha e fundit për seriozitet të shtuar, angazhim të mençur dhe lobim strategjik në politikën e jashtme.