TIRANE- Jo vetëm provat e mbledhura në vendin e krimit, por policia dhe prokuroria kanë në dorë edhe dëshminë e të akuzuarit të dytë për masakrën në lokalin e natës “Ante Grand”. I arrestuari i dytë, Erald Sida, gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar për policinë se, ka qenë vetë Kostandin Xhuvani ai që i ka treguar se, kishte vrarë dy persona.

“Kostandini më tha që kam vrarë dy persona, pasi unë nuk kam qenë në lokal në momentin që ka ndodhur ngjarja”, ka thënë Sida kur është marrë në pyetje nga oficerët e krimeve të rënda në Policinë e Tiranës. Burime policore thanë për “Shqiptarja.com” se, në fakt Sida ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes në kohën kur ka ndodhur krimi i rëndë. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se, disa pjesë të dëshmisë së Sidës janë duke u marrë me rezervë, pikërisht sepse ai ka qenë i pranishëm në skenën e krimit dhe mund të jetë duke hedhur fajin tek Kostandin Xhuvani.