ERE: Kush konsumon mbi 450 
kWh/muaj do të paguajë më pak

ERE: Kush konsumon mbi 450 <br />kWh/muaj do të paguajë më pak
TIRANE- Enti Rregullator shpalli më në fund vendimin e shumëpritur: Prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, energjia elektrike e konsumuar nga familjarët do të faturohet me 9.5 lekë për një kilovatorë, ndërkohë që hiqet sistemi i dy tarifave. Tre vitet e fundit, ajo është paguar me 7.7 lekë për më pak se 300 kilovatorë në muaj dhe 13.5 lekë për çdo kilovatorë mbi këtë kuotë. Sistemi dytarifor ishte vendosur në vitin 2001 për të dekurajuar konsumin e lartë të energjisë, por pati pak rezultate, duke qenë se një sasi shumë e lartë vidhej.

Operatori i Shpërndarjes kishte kërkuar një tarifë të vetme, por prej 11.08 lekësh për familjarët, që, sipas OSHEE-së, mbulonte humbjet. ERE duket se nuk ka pranuar mbulimin e humbjeve, që Operatori mund t’i rregullojë nëpërmjet uljes së ndjeshme të mosarkëtimeve, çka ka filluar me këmbë të mbarë në gjithë vendin, pas aksionit të mbeshtetur nga Policia e Shtetit.

Kjo tarifë unike vendos një “kuotë të re”. Ajo është kuota e konsumit prej 450 kilovatorësh në muaj. Familjet që konsumojnë këtë sasi nuk do të kenë asnjë ndryshim në faturë. Ata që konsumojnë më pak, psh 300 kilovatorë në një muaj, do të shohin se shifra në faturë do të rritet rreth 650 lekë. Shtesa do të ishte 170 lekë për ata që konsumojnë 400 kilovatorë. Ndërkohë, një familje që konsumon psh 700 kilovatorë/muaj, në të kundërt, do të paguajë një faturë 1.200 lekë më të ulët e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, për të ndihmuar familjet në nevojë, në buxhet janë parashikuar 16 milionë dollarë, çka bën që ato të marrin mesatarisht 650 lekë në muaj, duke bërë që të mos ndihet ndryshimi i çmimit.  

Në këtë mënyrë, ERE cakton një tarifë më të ulët se mesatarja e dy tarifave aktuale, që është 10.6 lekë.

Por sa më sipër vlen vetëm për familjarët. Një biznes industrial psh, që lidhet me tensionin e ulët, do ta paguajë 14 lekë kilovatorin, ndërkohë që aktualisht e paguan me 10.5 lekë. Kjo është një rritje në masën 33 për qind. Në përgjithësi, vendimi i ERE-së duket qartë se e ka kaluar barrën kryesore të problematikës së sistemit energjetik shqiptar tek subjektet private. Natyrshëm, ata janë më të paktë në numër se familjarët, por konsumi nga ana e tyre është shumë i lartë, krahasuar me familjet. Furrat e bukës dhe prodhuesit e miellit do të njohin ulje tarife, në 7.1 lekë për kilovatorë.

Enti Rregullator i Energjisë ka hedhur dje poshtë kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) për rritje të tarifës së tij. Por ka pranuar një rritje në masën 45 për qind të çmimit të shitjes së energjisë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tek OST ose subjekte të tjera, duke e çuar tarifën e një kilovatori në 1.45 lekë, nga 1 lek. Kërkesa nga KESH ishte për rritje 100%, pra në 2 lekë.

Berisha: Çmimi i ri varfëron 75% të shqiptarëve
Ish-kryeministri Sali Berisha çmimin e ri të energjisë e konsideron si “masë katastrofike”. Sipas tij, ky çmim dhe heqja e fashës mbrojtëse është lehtësim për ata që harxhojnë mbi 1.000 kilovatorë dhe varfërim për 75 për qind të shqiptarëve, që ishin të mbrojtur nga fasha.“Ky çmim është 25 për qind rritje, rritje katastrofale. Tmerrësisht e rëndë për qytetarët shqiptarë. Është e pamotivuar. ERE në 1 janar 2015 duhet të fillonte uljen e çmimit; pse ERE nuk fillon uljen? Sepse është gropa e CEZ-it. Lekët do të shkojnë për të shlyer lekët që CEZ ia u rrëmbeu ndërmarrjeve të Shqipërisë”, tha Berisha. Këto deklarata janë të përfshira në konkluzionet e bëra prej tij lidhur me qeverisjen e majtë në vitin 2014.
 
Basha: Vendimi i ERE, një krim ndaj të pamundurve
Nga ana e tij, edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka konsideruar si një krim që godet të pamundurit vendimin e marrë dje nga Enti Rregullator i Energjisë lidhur me çmimin e ri të energjisë elektrike. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha thekson se “rritja e çmimit të energjisë do ta thellojë krizën ekonomike dhe do t’i zhysë edhe me thellë shqiptarët në varfëri dhe papunësi”. “Rripi është shtrënguar aq shumë, sa po këputet. Rritja e çmimit të energjisë do ta thellojë krizën ekonomike, do t’i zhysë edhe me thellë shqiptarët në varfëri dhe papunësi. I vetëdijshëm për mashtrimin e tij kriminal, sot që dha mandatën e kobshme, ja mbathi për Prishtinë”, shkruan Basha.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Gjithë qyteti pret Jurgen Klopp, trajneri letër lamtumire tifozëve të Liverpool

VIDEO/ Gjithë qyteti pret Jurgen Klopp, trajneri letër lamtumire tifozëve të Liverpool