ÇEZ llogarit një dëm prej 200 milionë eurosh nga largimi (për shkak të heqjes së licensave). Po Enti a ka një vlerësim të dëmit dhe si mendohet të rikuperohet?
Ju siguroj që dëmi që kompania CEZ Shpërndarje ka shkaktuar ndaj palës shqiptare, ekonomisë tonë dhe sistemit energjetik është të paktën tre herë më e lartë. Të gjitha të provuara me fakte, të cilat janë mbledhur dhe analizuar. Provat që disponojmë për dëmin që CEZ Shpërndarja na ka shkaktuar do të përdoren në rast se do të jetë e nevojshme edhe në gjykatën e Arbitrazhit.
Ky dëm është shkaktuar nga mungesa e investimeve, si plan të miratuar nga ERE, por që CEZ Shpërndarje nuk i është përmbajtur. Investimet e realizuara nga CEZ Shperndarje në vitin 2012 ishin rreth 10 për qind, kurse në vitin 2011 më pak se 50 për qind. Me këto dua t’ju them se kompania kishte nisur me kohë problemet e menaxhimit. Humbjet kishin arritur në nivelin e 50 për qind, pra nuk faturohej gjysma e energjisë elektrike që hidhej në rrjet, ndërsa importi për të mbuluar këto humbje kishte stopuar që në muajin shtator.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga ana e Entit Rregullator të Energjisë për gjetjen e zgjidhjeve, nga pala çeke nuk u pa asnjë angazhim, të paktën per katermujorin e fundit te vitit 2012.
Çekët kishin ose kanë 76% të aksioneve dhe natyrshëm lind pyetja se si mundet shteti të marrë kontrollin e kësaj kompanie? Si do të realizohet shtetëzimi dhe a jeni përgatitur për arbitrazhin?
Kompania CEZ Shpërndarje, ku CEZ a.s kishte 76 për qind të aksioneve ishte e vetëdijshme që në fillim të procesit të privatizimit se cilat ishin detyrimet e saj. përcaktime keto të firmosura nga vet shoqëria në mars të 2009, kur u nënshkrua marrëveshja mes tyre dhe Ministrisë sonë të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Shoqëria çeke e dinte se në rast se nuk përmbushte detyrimet e percaktuara ne license, ERE ne baze te ligjit kishte te drejten do të vendoste masën e heqjes së licencave, Gjithashtu Deklarata Rregullatore dhe Modeli i Tregut i përcaktojnë qartë detyrimet per importin e energjise elektrike per mbilimin e humbjeve dhe reduktimin e tyre sipas targeteve. Shkaqet e heqjes se licensave nuk jane një rast apo dy, por janë disa, të cilat ne i kemi bërë publike ditën që u mor vendimi, më 21 janar 2012.
Lidhur me çfarë pyesni për aksionet, sqaroj se kompania kishte pranuar vet ne komunikimet e saj me ERE-s, gjendjen e pamundësisë për të vijuar më tej aktivitetin. Për shkak të dështimit në disa tregues ERE i hoqi dy licencat, atë të shpërndarjes dhe furnizimit. Me heqjen e licencës, kompania humbi të drejtat për të operuar në treg dhe ERE vendosi një administrator të përkohshëm, deri në zgjidhjen e çështjes së aksioneve.
Qeveria shqiptare është e angazhuar për të negociuar çdo zgjidhje të mundshme lidhur me pronësinë. Palës ceke iu ofrua mundësia që qeveria shqiptare të blinte aksionet me çmim simbolik, si hap i parë, deri sa palët të gjenin zgjidhjen e përbashkët. Por kompania CEZ a.s nuk e pranoi këtë kërkesë. Tashmë kane filluar procedurat për perzgjedhjen e dy kompanive audituese për të bërë të mundur vlerësimin real (financiar dhe teknik) të CEZ Shpërndarje. Me realizimin e këtyre dy vlerësimeve, pra duke ditur dhe njohur se sa vlen CEZ shpërndarje dhe cila është gjendja teknike e saj, atëherë shteti shqiptar do te filloje procedurat e shpronesimit. Në momentin që nuk do të gjejnë një zgjidhje për çmimin e vleresuar të aksioneve te CEZ tek qeveria shqiptare, atëherë çështja shkon në arbitrazh.
Siç ju thash më sipër, ERE dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës janë të përgatitur me prova dhe fakte ndaj shoqërisë për dëmin që ajo i ka shkaktuar shtetit shqiptar. Kemi konsulentë me përvojë në këtë fushë, të cilët na asistojnë vazhdimisht, ndërsa dosja me materialet pasurohet në çdo kohë.
Largimi i CEZ mund të dëmtojë imazhin e vendit. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër për të “shpëtuar marrëveshjen”, por u pa si zgjidhje vetëm heqja e dy licensave?
Rasti i largimit të CEZ nuk ka lidhje me situatën dhe klimën e investimeve në vend. Sa më shumë që kalon koha aq më tepër investitorët e huaj binden se kompania CEZ gaboi për shkak të keqmenaxhimit. Drejtues të shoqërisë CEZ po japin deklarata në dëm të imazhit të vendit tonë, që nuk janë aspak të vërteta. Te dëmi ekonomik, i cili arrin në 1 miliard dollarë, pala shqiptare ka patur parasysh edhe imazhin.
Heqja e licensave nuk ishte vendim i lehtë. Procesi kishte nisur me kohë dhe nuk u mor si vendim aty për aty. CEZ u njoftua dy muaj para datës së vendimit. Gjatë kësaj kohe, ERE u ka kërkuar per gjate gjithe vitit 2012 permbushjen e detyrimeve te licenses, por e vetmja përgjigje që merrnim ishte se pamundësia financiare. Konkretisht që në muajin shtator e më vonë, në takimet e zhvilluar me drejtues të CEZ, të dokumentuara, menaxherët kryesorë të saj pranuan se nuk mund ta drejtonin më tej kompaninë per arsye financiare.
Edhe para datës për marrjen e vendimit, u kemi kërkuar takime, ndërsa në rang qeveritar janë kryer bisedime të vazhdueshme, por pa zgjidhje. Dukej qartë se CEZ a.s e kishte marrë vet vendimin për tu larguar nga Shqipëria.
Për sa kohë do ta drejtojë shteti CEZ Shpërndarjen dhe a ka plane për një pravitizim të dytë?
Këtë nuk mund ta themi me siguri, pasi është ende heret. Shoqeria ka kaluar ne administrim te perkohshem deri ne zgjidhjen e ceshtjes te vlerësimit te aksioneve. Megjithatë, si çdo aset shtetëror strategjik, edhe Sistemi i Shpërndarjes së energjisë mund ti rikthehet procesit te privatizimit. Menaxhimi nga ana e shtetit i nje kompanie ne këtë sektor kaq delikat eshte i veshtire dhe natyrshëm që një kompani private, e specializuar në këtë fushë, e huaj dhe me reputacion të mirë do të jetë shumë shpejt në të ardhmen pronare e kompanisë.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)