ERE zhvillon seancën dëgjimore për çmimet e energjisë 2015


 
TIRANE, 5 Dhjetor/ATSH, Nini Mano/- Enti Rregullator i Energjisë zhvilloi sot seancën dëgjimore me kërkesat nga tre operatorët publikë KESH, OST dhe OSHEE, që kanë propozuar rritje të çmimit të energjisë për vitin 2015, përfaqësues nga grupet e interesit, mes tyre, shoqatat e konsumatorëve, sindikatat, prodhuesve të HEC-ve privatë, biznesit, etj.
OSHEE ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me pakicë nga 9.53 lek/kwh, në 12.23 lekë/kwh, ose 29.3% më shumë.
KESH ka kërkuar rritjen e çmimit nga 2.2 lekë/kwh, në 3.4 lekë/kwh për energjinë që shet tek OSHEE, ose 51.8% me arsyetimin e mbulimit të shpenzimeve dhe kryerjen e investimeve.
KESH llogarit se vendit i duhet në total sasia prej 4.544 GWH, prej të cilit, 1154 GWH prodhimi nga HEC-et vendore private, 3.424 GWH nga kaskada e Drinit dhe 142 GWH nga importi.
Ndërsa OST nga 0,65 lek/kwh që trasmeton energjinë në transmetim sot, kërkon 0,71 lek/kwh si tarifë, që i faturohet OSHEE-së, me rritje 12.3% më shumë. Përfaqësuesi i OST tregoi se vlera e projekteve nga projektet e huaja është më e madhe se financimet e vetë kompanise dhe janë përqëndruar në zhvillimin e rrjetit interkonjeksionit, që krijon kapacitetet e nevojshme për eksport-importet e energjisë.
Për vitin 2015 sasia e energjisë që do të transmetojë OST është parashikuar 7517 GWH, përfshirë edhe humbjet në rrjet.
Për OSHEE gjendja është e keqe për shkak të detyrimeve të prapambetura, të cilat në total arrijnë 104 miliardë lekë. Sipas saj gjatë vitit 2014 janë arritur tregues më pozitive krahasuar me periudhën janar- tetor 2013 dhe janë arkëtuar 3,1 miliardë lekë më shumë si pasojë e uljes së humbjeve në rrjet. Realizmi i arkëtimeve në vitin 2014 arrin 86.7 %, ku vetëm në Shtator arritën 102.6 %.
Borxhet e pambledhura të kompanisë OSHEE (të mbartura nga CEZ) ndaj konsumatorëve arrijnë 71 miliardë lekë, ose rreth 600 milionë euro në fund të 2013, ku pjesën më të madhe të borxhit e zënë familjarët me më shumë se 45 miliardë lekë. Sipas OSHEE-së, kjo shumë llogaritet të jetë krijuar pas vitit 2007.
Qeveria nisur nga kjo situatë, ka marrë masa për qytetarët që te paguajnë borxhet e prapambetura të energjisë, në rast të kundërt, u pritet energjia elektrike, ndërsa po merret masa arrest me burg nëse tentojnë të rilidhen në mënyrë të paligjshme në rrjet.
Kreu i Sindikatave tha se heqja e fashës 300 kwh prek 76% të konsumatorëve.
Përfaqësues të shoqatave të biznesit kërkuan rishikim të tarifave për përdorimin e linjave të OSHEE-së, të cilat janë të larta dhe kërkuan që ato të jetë të njëjta si ato të vendeve të rajonit.
Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja theksoi se situata e rëndë në sektorin energjetik lidhet me privatizimin e dështuar me CEZ-in, që thelloi borxhin që ka arritur me mbi 1 miliardë lekë borxhe të pashlyera, kosto e madhe për gjithë vendin.
Sipas tij, tarifat e energjisë për vitin 2015 duhet të japin pasqyrimin e reformave në sektor, të mbrojnë konsumatorin, shtresat në nevojë, përdorim me eficencë të energjisë, zhvillimin e tregut liberal dhe konkurrues, daljen nga tregu i rregulluar.
Bejtja kërkoi që për OSHEE-në të përfshihet në kosto vetëm tarifa e humbjeve teknike. Për KESH-in të llogaritet cmimi i HEC-ve private në kostot reale me metodologji të njëjtë përllogaritje për të mënjanuar cënimin në konkurrencë. Për të tre kompanitë pulbike të mëerren në konsideratë investimet më kryesore, tha Bejtja, që njoftoi se hapja e tregut të energjisë do të përfshijë gjithë operatorët që furnizohen me linjat 35 kv brenda vitit 2015.
Zv/ministri Bejtja tha gjithashtu se heqja e konsumit prëj 300 Këh në muaj për shtresat në nevojë do të subvencionohet nga buxheti i shtetit.
Kërkesat e të tre operatorëve për rritjen e cmimit të energjisë vijnë pas një periudhe 3-vjeçare ku u caktua cmim fiks nga ERE pa pësuar ndryshime edhe pse kostot e borxhet e operatorëve mes tyre erdhën në rritje nga viti 2012-2014.
Nga data 1 janar 2015, heqja e fashës 300 kwh/muaj pritet të ndryshojë çmimin e energjisë, që sot është 7.7 lek/këh.
Nivelin e këtij ndryshimi do ta vendosë brenda muajit Bordi i Komisionerëve të ERE-s.
.f.n/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 24 Janar, 09:42

    Sa i drejtë do të jetë procesi i primareve në PD?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Ndjekje si në filma në rrugët e Padovës, shqiptari i droguar dhe me precedentë përplas makinën me murin!