Tirane - Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një intervistë për Report Tv thotë se Ilir Meta do të vijojë me drejtimin e Partisë së Lirisë nga burgu.

Partia e Lirisë e ka presidentin e saj, Meta do e drejtojë partinë edhe në kushtet e arrestit me burg, që është i panevojshëm, ata mund të vendosnin edhe dje për detyrim paraqitje, për sa kohë është paraqitur sa herë është kërkuar. Kemi rastin e Trump, që kandidon sot për president të SHBA edhe pse ka 34 akuza. Arrest me burg është  e pajustifikuar dhe jo proporcionale”, tha Xhixho në Report Tv.

Arrestimin e Metës e quan një përdorim nga qeveria Rama që po i bëhet drejtësisë për të goditur opozitën. Xhixho thekson se nuk do të tërhiqen për asnjë arsye nga aksioni opozitar. Edhe deputetja e PL Erisa Xhixho, njësoj si PD, flet për sulm të koordinuar ndaj liderëve të opozitës, ndërsa do të vazhdojnë aksionin e tyre opozitar me protestën e datës 29 tetor.

“Ne do vazhdojmë me aksionin opozitar, protestën e 29 nëntorit dhe me takim me qytetarët dhe denoncimet. Nuk na tremb asnjë përdorim i drejtësisë për t’i mbyllur gojën opozitës”, përfundoi Xhixho.

Në dosjen që SPAK ka kopsitur për Ilir Metën i akuzuar është dhe babai i saj Pirro Xhixho, i cili po hetohet për akuzën e korrupsionit pasiv për kohën që ka qenë në krye të AKEP. 

Për emisionin “Sot live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, deputetja Xhixho thotë se pranon se janë ditë të vështira për familjen e saj dhe se në dosje nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e të atit

“Së pari unë e kam marrë vesh nga mediat. Ka qenë një situatë shumë e vështirë për familjen time. Më është dashur të lajmëroj vetë babain tim. Kjo nuk është normale. Më parë duhej të lajmëronin ne më pas mediat. Unë vlerësoj vendimin e gjykatës që dha dje për zbutjen e masës për babanë tim duke pasur parasysh gjëndjen dhe kushtet ku ndodhet babai im.

Dy tre ditë shumë të vështira dhe të shokuara, mund të them edhe pse u gëzuam për ndryshimin  e masës por jemi të revoltuar se unë dhe avokatët kemi parë dosjen. Nuk ka provë as fakte që implikon drejtorin e AKEP në përfitime personale. AKEP është një institucion kushtetuese që zgjidhet nga parlamenti dhe funksionon nga bordi ku vendimet janë kolegjiale. Nuk ka provë që të implikojë babanë time. Do të ndjekim procedurën ligjore me bindjen e thellë se do dalë i pafajshëm” tha Xhixho

Nuk habitet me kërcënimet e Ilir Metës ndaj Dumanit në sallën e gjyqit dje në GJKKO dhe flet për një drejtësi me standarde të dyfishta.

“ Ka shkelje të rënda proceduriale të arrestimit. Njerëz me maskë, pa identifikim që i afrohen një ish presidenti, një ish kryetari i kuvendit. Ishte moment i panevojshëm. Mund ta thërrisnin në SPAK apo polici. Po pse çfarë reagimi duhet të ketë? Se u tha që arrestimi i ligjshëm, ndërkohë arrestimi ishte i panevoshjëm në atë formë. U arrestua në formë banditeske nga policia. Ke dy standarde. Rasti i fundit Jurgis Çyrbes. La mandatin u kthye në ish deputet. Të ketë hetime dhe të atyre që vjedhin sot të hetohen në pozicione zyrtare dhe jo kur bëhen ish.

Ilir Meta po hetohet nga SPAK nën masën e sigurisë 'arrest me burg' për tre akuza korrupsion pasiv, pastrim parash, dhe fshehje pasurie. Në hetim në masë sigurie më të butë janë dhe Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Metës, babai i deputetes Erisa Xhixho, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku bashkëpunëtore e çiftit Meta.