I magjepsur nga shikimi i një vajze të vogël nga Gaza dhe i frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij, Ermal Meta rikthehet në Festivalin e Sanremos 2026 me këngën “Stella stellina”. Sipas Editorialedomani.it, që i referohet ANSA-s, kjo është e vetmja këngë në buqetën e larmishme të këtij edicioni që trajton drejtpërdrejt temën e luftës.

Kënga rrëfen historinë e një vajze të vogël të vrarë gjatë një bombardimi në Rripin e Gazës. Edhe pse fjala “Gaza” nuk përmendet drejtpërdrejt në tekst, referencat ndaj popullit palestinez janë të qarta.

Kënga është për një vajzë të vogël nga Gaza. Një vajzë pa emër, që i përket një populli pa zë”, shpjegon artisti.

Kjo shënon paraqitjen e shtatë të Ermal Metës në skenën e teatrit “Ariston”, por është hera e parë që ai ngjitet aty si baba.

Kthimi pas pesë vitesh është shumë emocional. Kënga që po sjell rrit peshën time emocionale. Mendoj se Sanremo im i parë si baba ndryshon diçka, sikur të kisha një shkallë më të madhe përgjegjësie”, u shpreh ai gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e albumit të tij të ri, “Funzioni Vitali”.

Meta tregon se kënga u shkrua për vetëm 15 minuta.

Vajzës sime i pëlqen shumë muzika. Isha pranë saj duke luajtur kitarë. Pak orë më parë kisha parë një video në Instagram, me imazhe shumë të forta. Vështrimi i një vajze të vogël nga Gaza më goditi dhe më mbeti në mendje. Pasi vajza ime ra në gjumë, e shkrova këngën. Ende e kisha atë shikim në sy”, rrëfen ai.

Është koha të flasim edhe për fëmijët e të tjerëve, të zgjerojmë horizontet tona”, shton këngëtari 44-vjeçar, duke theksuar se historia e këngës nuk kufizohet vetëm te Palestina, por përqafon tragjedi të tjera në mbarë botën.

Detyra e një këngëtari dhe kompozitori është të shprehë atë që ndjen, pa e filtruar. Kur e nxjerr veten atje, jam gati të mbroj atë në të cilën besoj”, shprehet ai.

Para nisjes së festivalit, 30 artistët pjesëmarrës do të priten në pallatin Quirinale nga presidenti italian Sergio Mattarella, së bashku me Carlo Conti dhe Laura Pausini.

Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që do ta takoj. Ai ka qenë një figurë qendrore për imazhin e Italisë jashtë vendit dhe i ka dhënë vendit një dinjitet që shumë figura politike nuk kanë arritur”,- përfundon Meta.