Në politikë ekziston një rregull i vjetër: ai që bërtet më fort për tradhti, zakonisht është vetë tradhtari. Sot, Sali Berisha po bërtet shumë.

Ndoqa intervistën e Roland Bejkos jo për të mësuar detaje nga mbledhja e Kryesisë së PD-së mbi takimin e Gjirokastrës, por për të parë edhe një herë në veprim mekanizmin klasik berishist: shpikjen e armiqve për të mbuluar kapitullimet e mëdha. Një ditë më parë, Berisha kishte hedhur akuza në mbledhje se organizatori i takimit të Salianjit në Gjirokastër ishte pikërisht Bejko. Pra, njeriun që kishte mbushur sallën me demokratë, e kishte etiketuar si “kukull të Edi Ramës”. Nuk më intereson realisht çfarë po ndodh aktualisht në atë parti, sepse ka kohë që s’flitet për parime, por më ngacmon fakti që ishin rikthyer sulmet ndaj Bejkos.

Roland Bejkon e njoh. Ia njoh sakrificat, djersën dhe përplasjet në PD, por edhe qëndrimet që mbajti kundër berishizmit në çarjen politike që iu bë partisë. Bejko nuk është produkt pazari, por produkt qëndrese. Është nga ata njerëz që nuk i shmangen përplasjes, që nuk heshtin për të ruajtur karrigen. Ka një natyrë të ashpër, por edhe një shpirt njerëzor të pastër: bëhet copë për t’u përgjigjur qytetarëve, brenda mundësive reale që ka.

Bejko ka mbajtur mbi shpinë një Parti Demokratike në Gjirokastër të rrënuar nga figurat e vjetra dhe, pavarësisht gjithçkaje, e ka mbajtur në këmbë në një qark të vështirë. Ka qenë themelues i PD-së, drejtues i protestës studentore në Universitetin e Gjirokastrës në shkurt ’91, anëtar i komisionit nismëtar të PD-së, drejtues i degës 1998–2004, anëtar i Kryesisë së PDSH-së 2002–2005, themelues i FRPD-së, kryetar i PD-së Gjirokastër 2014–2015, si dhe nënkryetar i PD-së nga 2023 deri në 2024. Ka qenë aty edhe në vitet e zjarrit, kur PD-ja u ringrit, e shkatërruar nga ’97-a, e kur Berisha u fut në jug, në një territor të ndaluar për të. Këto janë vetëm disa nga kontributet e Bejkos për PD-në, por edhe për vetë Berishën.

Ka mbajtur edhe poste administrative, por askush nuk e akuzon për korrupsion. Askush nuk ka një dosje për ta shantazhuar, për ta përdorur, për ta nënshtruar.

Pikërisht për këtë arsye Berisha e sulmon: sepse Bejko nuk i përket, sepse nuk kontrollohet, sepse nuk i ka borxh asgjë, sepse nuk ka dosje dhe sepse nuk përkulet.

Sot armiku i vërtetë i PD-së nuk quhet Roland Bejko. Quhet Sali Berisha. Ai ulet përballë Edi Ramës dhe pranon çdo marrëveshje që i garanton mbijetesë personale. U rikthye në PD me pretendimin se do ta forconte, por e ka dobësuar më shumë se kurrë. Bilanci i tij nga 2021 deri në 2025 është brutal: minus 300 mijë vota. Sot, hendeku mund të jetë edhe më i thellë. Ky nuk është opozitarizëm. Ky është shkatërrim i qëllimshëm.

Berisha nuk jep asnjë shpjegim pse demokratët nuk dalin më në shesh.

Pse opozita është e paralizuar.

Pse Rama qeveris pa frikë.

Pse çdo betejë përfundon me humbje dhe çdo protestë shndërrohet në farsë.

Ai nuk shpjegon pse amerikanët nuk ia hapin derën.

Pse është i izoluar.

Pse Partia Demokratike është kthyer në një bunker personal, ku çdo mendim ndryshe etiketohet si “armik” apo “kukull”.

Por ka pyetje edhe më të rënda, që Berisha i shmang me kujdes: Pse njerëz nga rrethi i tij i ngushtë pasurohen nën qeverisjen e Ramës? Pse bizneset e tyre lulëzojnë? Pse heshtja blihet? Pse opozita e tij është më e butë se servilizmi?

Berisha i rikthehet sulmeve kundër Bejkos sepse ka nevojë për një alibi. I duhet një figurë për t’u kryqëzuar, që të ndërtojë fabula me armiq të rremë dhe të shmangë përgjegjësinë personale. Është e njëjta skemë e vjetër: fajtorë të rinj për mëkate të vjetra.

Por e vërteta është brutale dhe nuk fshihet më.

Kukulla e Ramës nuk është Roland Bejko.

Kukulla e Ramës është Sali Berisha, sepse kukull është ai që e mban pushtetin në këmbë, duke bërë sikur e lufton.