Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, ish-deputeti Petro Koçi ka bërë një analizë të së majtës shqiptare, tranzicionit politik dhe sfidave me të cilat përballet sot PS-ja. I ftuar në “Albanian News Cast” me gazetarin Arbër Hitaj, Koçi u ndal fillimisht te vitet e para të pluralizmit, duke kujtuar presionin dhe përplasjet politike që, sipas tij, shoqëruan lindjen e Partisë Socialiste.

“Partia Socialiste u ngrit mbi gërmadhat e një sistemi diktatorial dhe duhej të gjente rrugën si një e majtë moderne. Mendoj se ia arriti, ndonëse me vonesë”, u shpreh ai.

Sa i takon debatit mbi raportin mes Partisë Socialiste dhe Partisë së Punës, Koçi tha se PS nuk ka asnjë lidhje ideologjike me modelin komunist, por pranoi se historikisht trashëgon një pjesë të asaj periudhe. Ai shtoi se personalisht ka qenë për një kërkim faljeje më të qartë dhe më publik për krimet e diktaturës.

“Distancimi është një lloj faljeje, por unë kam qenë për një akt më eksplicit kërkim-faljeje. Kjo do t’i shërbente kulturës politike shqiptare”, deklaroi Koçi.

Koçi u ndal edhe te masakra zgjedhore e 26 majit 1996, të cilat i cilësoi si ngjarjen më të rëndë të tranzicionit shqiptar. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për manipulim zgjedhor, por për grabitje të votës dhe grusht shteti.

“26 maji nuk ishte manipulim. Ishte grabitje e zgjedhjeve, ishte grusht shteti. Në qendrat e votimit pati dhunë fizike, komisionerë të rrëmbyer, të rrahur dhe fletë votimi të zhdukura”, tha ai.

Koçi kujtoi se komisionerët socialistë përfundonin në qeli me urdhër të Sali Berishës një ditë para votimeve, ndërsa në disa raste u dërguan me forcë kilometra larg qendrave të votimit për të mos ushtruar detyrën.

Sali Berisha futi përplasjen fizike në qendrat e votimit. Askush nuk e kishte bërë më parë këtë”, deklaroi ish-deputeti socialist.

Duke komentuar situatën aktuale politike, Koçi tha se Partia Socialiste është sot më e fortë se kurrë, por jo domosdoshmërisht më e mirë.

“Partia është më e fortë, por nuk është më e mirë. Dikur zot ishte statuti i partisë. Sot nuk është më kështu”, u shpreh ai.

Sipas tij, problemi kryesor lidhet me mungesën e demokracisë së brendshme dhe përqendrimin e pushtetit.

“Nëse një parti nuk ka demokraci, rrezikon të kthehet në klan. Kur të gjitha pushtetet i ka i deleguari, anëtarësia mbetet pa zë”, tha Koçi.

Ai foli edhe për kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se ka merita të rëndësishme në transformimin e vendit, sidomos në arenën ndërkombëtare, urbanizim dhe infrastrukturë.

Megjithatë, Koçi vlerësoi se korrupsioni mbetet një problem serioz.

“Rama nuk e ka kontrollin e plotë mbi gjithçka. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të lihet vetëm në dorë të drejtësisë. Duhet të jetë prioritet politik dhe administrativ”, deklaroi ai.

Ish-deputeti socialist kritikoi gjithashtu promovimin e figurave të paprovuara në poste të rëndësishme drejtuese, duke theksuar se integriteti dhe eksperienca duhet të jenë kriteret kryesore.

“Nuk mund t’i japësh një institucioni të rëndësishëm një personi të paprovuar dhe të presësh rezultatet më të mira. Integriteti duhet të jetë i provuar, jo i supozuar”, tha Koçi.

Në fund të intervistës, ai kërkoi më shumë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke theksuar se Partia Socialiste nuk duhet të mbështetet vetëm te siguria e fitores.

“Duhet të përzgjidhen njerëz me integritet të provuar. Fitorja nuk duhet të jetë arsye për të ulur standardet”, përfundoi Petro Koçi.